Mbledhja e Këshillit Bashkiak, ja vendimet në ndihmë të shtresave në nevojë

Apr 26, 2018 | 11:09
SHPËRNDAJE

Këshilli Bashkiak i Tiranës pritet të miratojë sot një sërë vendimesh të rëndësishme me karakter social dhe që do kenë ndikim në jetën e shumë familjeve dhe qytetarëve të Tiranës. Kështu pritet miratimi i projektvendimit mbi dhënien e ndihmës ekonomike për 3545 familje në kryeqytet, ndërmjet të cilëve personat me statusin e jetimit, viktima të dhunës në familje, individë viktima të trafikimit apo edhe familjet me shumë fëmijë.

Keshilli bashkiak 2

Një tjetër vendim i rëndësishëm është edhe ai për kompensimin e energjisë elektrike për kategoritë në nevojë. Më konkretisht individët përfitues të statusit të invalidit, paraplegjik dhe tetraplegjik që kanë nevojë për kujdestarë, u jepet kompensim për faturën e energjisë elektrike, në masën 2 000 (dy mijë) lekë në muaj.

Individëve përfitues të statusit të të verbrit, që kanë nevojë për kujdestarë, u jepet kompensim për faturën e energjisë elektrike, në masën 2 000 (dy mijë) lekë në muaj. Ndërsa për individët përfitues të statusit të invalidit, paraplegjik dhe tetraplegjik dhe individëve përfitues të statusit të të verbrit, të cilët nuk kanë nevojë për kujdestarë, pritet t’u jepet një kompensim për faturën e energjisë elektrike, në masën 1400 lekë në muaj.

Kategoritë të tjera që përfitojnë kompensim për efekt të heqjes së fashës së konsumit të energjisë elektrike deri 300 kwh në muaj janë: familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike, si dhe familjet që kanë në përbërje anëtarë me aftësi të kufizuar, të lindur ose të bërë të tillë. Kryefamiljarët, që përfitojnë pension invaliditeti shtetëror dhe pension invaliditeti të plotë në fshat dhe nuk kanë anëtarë të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar.

Gjithashtu Këshilli Bashkiak do të miratojë dhe fondin për pagesën që u jepet personave me aftësi të kufizuar dhe invalidëve të punës në territorin e Njësive Administrative nën administrimin e Bashkisë Tiranë.

Vendimi i Këshillit Bashkiak,  Parku Rinia më shumë gjelbërim dhe mundësi argëtimi për fëmijët

Parku “Rinia” në qendër të Tiranës pritet që të transformohet në një ambient më të gjelbër, më argëtues e me rregulla më të qarta menaxhimi e përdorimi.

Pas suksesit në transformimin e Parkut të Madh të Liqenit Artificial që është shndërruar në një nga hapësirat më të frekuentuara nga të gjitha grupmoshat, edhe Parku Rinia pritet që të ketë të njëjtën përkujdesje.

Tashmë kjo hapësirë do të jetë nën kujdesin e veccantë të Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit të Bashkisë së Tiranës e cila ka hartuar një strategji zhvillimi bazuar në nevojat e komunitetit, për mirëmbajtjen e hapësirave ekzistuese e ndërtimin e hapësirave të reja rekreative, nëpërmjet krijimit dhe vënies në zbatim të projekteve të ndryshme si dhe riorganizimin e aktiviteteve të larmishme argëtuese dhe cclodhësepër fëmijët, të rinjtë dhe të moshuarit.

Ndaj edhe ky vendim synon rregullimin e administrimit sa më efektiv të këtyre hapësirave publike, kombinimin e funksionalitetit të infrastrukturës rekreative me aktivitetet komunitare të jetesës aktive, kujdesin për kushtet e sigurisë, projektimin bashkëkohor dhe përcaktimin e rregullave të qarta për mbrojtjen, mirëmbajtjen dhe menaxhimin publik sa më efecient të këtyre hapësirave në dobi të komunitetit.

Përmes kësaj ndërhyrje, pritet që “Parku Rinia” të kthehet si një nga hapësirat që ofron më shumë mundësi rekreative për qytetarët e të gjitha moshave dhe të jetë një pikë atraktive për qytetin e Tiranës dhe si rrjedhojë një zonë e frekuentuar nga një numër i madh qytetarësh.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura