PRISHTINE- Zyra Civile Ndërkombëtare në Kosovë (ICO) nuk e ka përjashtuar mundësinë që çështja e veriut të vazhdojë të mbetet e hapur edhe pas përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës. I pyetur se kush do të udhëheq me procesin e adresimit të çështjes së veriut nëse ICO e përfundon misionin deri në fund të vitit, zëdhënësi i kësaj zyre, Christian Palme ka thënë se ajo do të vazhdojë të mbetet ndërmarrje e përbashkët ndërmjet aktorëve vendorë dhe ndërkombëtarë.
“Asnjë aktor nuk është përgjegjës për zgjidhjen e përhershme të situatës në veri të Kosovës. Veriu është dhe do të vazhdojë të mbetet ndërmarrje e përbashkët ndërmjet aktorëve vendorë dhe ndërkombëtarë”, ka thënë Palme. Ai ka shtuar se derisa Qeveria e Kosovës të përfundojë detyrat e mbetura në CSP (Propozimin Gjithepërfshirës për Statusin) edhe ICO-ja i afrohet fundit të mbikëqyrjes së pavarësisë në Kosovë.
“Siç është theksuar nga Grupi Ndërkombëtar Drejtues pas takimit në Vjenë, partnerët ndërkombëtarë të Kosovës pritet që të vazhdojnë të këshillojnë Qeverinë e Kosovës”, ka shtuar ai.
“ Sa u përket komunave të reja Mitrovicë/Mitrovicë Veriore janë ndërmarrë shumica e masave – Qeveria e Kosovës tani u jep më shumë shërbime qytetarëve të veriut të Kosovës se më parë. Për shembull para 18 muajsh nuk kishte zyrë të Qeverisë së Kosovës në veri, tani janë 7 zyra funksionale. Para 18 muajsh nuk kishte asnjë aplikues për dokumente të Kosovës. Tani janë më shumë se 8000”, ka thënë ai.
Sipas Palmes, përderisa më 2010, MPT-ja që punon drejtpërdrejt me qytetarë të në veri të Mitrovicës kishte sponsorizuar vetëm një projekt të infrastrukturës, vitin e kaluar i kanë kompletuar 8 të tilla.
ICO-ja konsideron që krerët e komunave ilegale të veriut nuk mund ta mbajnë peng Kosovën, ndërsa nga Qeveria në Prishtinë pret që të jetë më aktive në qasjen e saj ndaj kësaj pjese të vendit. (Koha Ditore)
© Panorama.al











