Mbi rolin dhe kufijtë e shtetit në ekonomi

Jun 8, 2011 | 10:18

ENO BOZDO

Debati i fundit politik dhe mediatik mbi përshpejtimin e procesit të privatizimit të aseteve publike nuk po ndodh për herë të parë, dhe as të fundit. Në të vërtetë, Partia Socialiste dhe lideri i saj, në vijimësi e ka kontestuar politikisht këtë proces thuajse në të gjitha tribunat politike dhe zgjedhore. Në të njëjtën kohë, një sërë analistësh dhe opinionistësh kanë kundërshtuar dhe vazhdojnë publikisht të kundërshtojnë programin ekonomiko-politik të privatizimeve. Po për ç’arsye maxhoranca e sotme këmbëngul dhe e konsideron si shumë të rëndësishëm këtë proces? Në këtë shkrim do të desha të sjell një analizë më të detajuar të këtij qëndrimi konstant të qeverisë së z. Berisha, qëndrim i cili nuk është shfaqur thjesht dhe vetëm në shpalljen si prioritet të procesit të privatizimit. Në mendimin tim, rrënjët e këtij qëndrimi të pandryshueshëm duhen kërkuar në konceptin e “rolit dhe kufijve të shtetit në ekonomi”. Duke e shtjelluar më tej këtë mendim, do të shtoja se në thelb, qëndrimi i kësaj maxhorance ndaj procesit të privatizimeve nuk është gjë tjetër veçse derivat i konceptit thelbësor të saj mbi rolin që duhet të luajë shteti dhe kufijtë/kufizimin e tij në ekonominë (sociale) të tregut.
E thënë me pak fjalë dhe përmbledhtazi, koncepti i një “shteti të vogël” dhe të një “roli të kufizuar të tij në ekonomi”, rrjedhimisht derivon në konceptin e “privatizimeve” dhe “kalimit te privati i atyre funksioneve”, të cilat ai (privati) mund dhe duhet t’i bëjë më mirë.
Z. Berisha, që kur mbrojti programin politik të qeverisë se tij, në vjeshtën e vitit 2005 dhe në fushatën zgjedhore 2009, ka pasur si kryefjalë të tij “shtetin e vogël”, “rolin e kufizuar të tij në ekonomi”, “taksat e ulëta”, “delegimin e shërbimeve te privati dhe përmirësimin e shërbimeve publike” nëpërmjet një programi të përshpejtuar të privatizimeve jo vetëm në sektorët strategjikë, por edhe të aseteve të tjera publike.
Debati intelektual ekonomik dhe politik në rrafshin global mbi rolin e shtetin në ekonomi është një debat që ka evoluar dhe revolucionarizuar pikëpamjet dhe konceptet tona me kalimin e kohës. Në njërin skaj të këtij debati qëndron Hayek, me idetë e tij kontinentale mbi supermacinë e ligjit dhe konceptin gjerman të një shteti solid. Hayek valëviti çështjen e një sistemi kapitalist që ngrihet mbi konkurrueshmërinë, por, sidoqoftë, funksionon brenda një sistemi monetar të kontrolluar dhe të konsoliduar. Në skajin tjetër të mendimit intelektual qëndron Lange, i cili veçanërisht pas Depresionit të Madh të viteve ‘20 argumentonte me forcë se socializmi dhe ekonomia e planifikuar janë përgjigjet logjike për dështimin e mekanizmave të ekonomisë së tregut. Në mes të kësaj panorame ndodhet Keynes, i cili mbron kauzën e politikave aktive shtetërore makroekonomike, në kontekstin e së cilës një treg konkurrues (dhe i dominuar nga sektori privat) duhet të funksionojë.
Pavarësisht debatit teoriko-politik, shteti, apo me saktë pjesa e tij, në shpenzimet e përgjithshme buxhetore u rrit nga 20% në fillimin e viteve ‘60 në mbi 40% në fund të shekullit të kaluar. Tashmë kjo shifër qëndron në mbi 50% në shumë prej vendeve europiane, “mbështetur” nga nivele shumë të larta dhe shqetësuese të borxhit publik, përafërsisht 100% sa PBB (GDP).
Koncepti i “shtetit të vogël dhe rolit të tij në kufizuar në ekonomi” është artikuluar për herë të parë si tezë ekonomike-politike nga z. Berisha në shpjegimin e platformës ekonomike në fushatën elektorale të vitit 2005. Z. Berisha u bë kështu i pari politikan që e artikulonte gjerësisht dhe në detaje këtë tezë, si përqafim filozofik i ekonomisë liberale të tregut të lirë. Derivat i kësaj kredoje, përveç premtimeve të mbajtura dhe tejkaluara për një barrë fiskale të ulët, ishin edhe programet e suksesshme të privatizimeve të ndërmarrjeve strategjike, veçanërisht gjatë mandatit të parë qeverisës.
Më anë të privatizimit të suksesshëm të OSSH-së, ARMO-s, si dhe paketës së mbetur shtetërore aksionere të AMC-së, në radhë të parë u mundësua kalimi i aseteve strategjike te sektori privat, duke reduktuar pjesëmarrjen e shtetit në ekonomi. Në të njëjtën kohë u ul numri i punonjësve buxhetorë, u reduktuan shpenzimet dhe u shënua një sukses në luftën kundër korrupsionit dhe abuzivizmit me pronën publike.
Në radhë të dytë, këto privatizime (veçanërisht ai i OSSH-së, por edhe ARMO-s), u shoqëruan me domosdoshmërinë e reformave të mëdha sektoriale, pa të cilat do të ishte i pamundur vetë procesi i privatizimit. Sektori i energjisë elektrike u rikonceptua nga e para duke u liberalizuar thellësisht; KESH u nda në tri kompani dhe një model i ri bashkëkohor i tregut të energjisë elektrike u miratua. Hapja e sektorit, së bashku me kuadrin e ri rregullator të Partnershipit Publik-Privat (PPP), mundësoi thithjen e disa miliarda euro investime në sektorin e energjetikës.
Së treti, me anë të këtyre privatizimeve dhe kontratave që ato prodhuan, po mundësohen në vijimësi investime të mëdha dhe serioze nga sektori privat. Këto investime do të ishin thjesht të pamundura për t‘u kryer nga sektori publik.
Së katërti, dhe jo me pak e rëndësishme, nëpërmjet këtij procesi kanë hyrë në tregun shqiptar kompani të njohura ndërkombëtare në sektorin e telefonisë, energjetikes, minerareve etj. Në këtë mënyrë, jo vetëm u rrit ndjeshëm (rreth katër herë) niveli i investimeve të huaja direkt nga viti 2005 në vitin 2010, por edhe u dhanë siguri shtesë për të gjithë ata investitorë që marrin garanci ndërsa shohin se emra shumë të njohur të biznesit europian, por edhe botëror, janë prezentë në Shqipëri.
Sot, shteti në Shqipëri zë pak me shumë se 30% të shpenzimeve, ndërsa kontributi i tij në ekonomi varion nga 20%-25%. Nuk mund dhe nuk do të këtë mënyrë tjetër për ta bërë ekonominë konkurruese veçse nëpërmjet “prerjes” së të gjitha “degëve të ekonomisë publike jofunksionale” dhe dorëzimit të tyre te menaxhimi dhe pronësia e sektorit privat. Vetëm duke luftuar për konceptin e shtetit të vogël dhe duke e ruajtur atë me fanatizëm, do të mundësojmë një ritëm të lartë të investimeve publike pa rritur më tej normën e borxhit publik, tutje kufirit të artë të 60%. As më tepër që sot më shumë se kurrë, Shqipëria ka nevojë për investime në infrastrukturë, në rrugë kombëtare dhe dytësore, në vepra të infrastrukturës bujqësore, energjetikë, ujësjellës, menaxhim të mbetjeve etj., dhe do të vazhdojë të këtë edhe për shumë dekada të tjera.

Sidoqoftë, dhe për fat të keq, nën tezën populiste të mosprivatizimit të sektorëve “të perceptuar si fitimprurës” të ekonomisë, një sërë analistësh kanë shprehur shqetësimin e tyre për mënyrën e gabuar me të cilën qeveria “Berisha” po e trajton pasurinë kombëtare(!).
Së pari, duhet t‘i kujtojmë gjithkujt që këta sektorë vërtet rezultojnë sot si ekonomikisht fitimprurës, por janë kthyer në të tillë për shkak të menaxhimit privat dhe derdhjes se qindra milionë eurove investime nga ky sektor. Është e palogjikshme të marrësh për të mirëqenë faktin që investimet publike dhe menaxhimi publik do të arrinin të njëjtin rezultat. Kjo është thjesht e pamundur, po aq sa të pretendosh se ekonomia e planifikuar mund të jetë konkurruese me ekonominë e tregut të lirë…
Së dyti, populizmi shfaqet veçanërisht me spekulimin e skajshëm në këto arsyetime me konceptin e “pasurisë publike kombëtare”. Qeveria “Berisha” është akuzuar periodikisht për shitje të pasurisë kombëtare te të huajt(!), shitje të asaj pjese të pasurisë që është “fitimprurëse”,  si dhe shitje në mënyrë jotransparente e klienteliste. E ndërsa akuza e fundit është e motivuar politikisht, akuza e parë dhe e dytë nuk përbën as sens ekonomiko-tregtar, as sens politik.
Qeveria “Berisha” ka privatizuar “asete publike” dhe jo “pasuri publike”. Dallimi midis së parës dhe së dytës është thelbësor: aseti mund të ekzistojë, por kjo nuk do të thotë që ai automatikisht prodhon pasuri. Përkundrazi, eksperienca ka treguar që janë privatizuar ato asete, të cilat ishin thjesht “gropa” për buxhetin e shtetit dhe performonin shumë ulët në cilësinë e shërbimeve të tyre kundrejt konsumatorit. Këto asete u kthyen në fitimprurëse pikërisht nga menaxhimi dhe investimet private.
Megjithatë, mund të thotë dikush, si mund të komentohet vendimi i fundit i qeverisë për privatizimin e pesë HEC-eve, të cilat prodhojnë dhe janë fitimprurëse? Po, kjo është e vërtetë, të pesë objektet në fjalë prodhojnë dhe janë fitimprurëse. Por nuk duhet të harrojmë se ato përbëjnë vetëm 6% të kapacitetit prodhues ekzistues të energjisë elektrike në vend. Ndërkaq, në kemi koncesionuar dhe licencuar investime private, të cilat e kalojnë 200% këtë kapacitet aktual.
Sidoqoftë, dikush me të drejtë pyet: ku qëndron logjika e këtij privatizimi? Nëpërmjet këtij privatizimi, shteti ka zgjedhur: (a) të akumulojë para, të cilat mund t‘i investojë më tej në infrastrukturë dhe vepra publike; (b) të mos shpenzojë më në të ardhmen për mirëmbajtjen e këtyre veprave duke ia transferuar këtë detyrim privatit; (c) të marrë pjesën legjitime të fitimit nga privati në formën e taksave dhe tatimeve, si dhe të tarifës koncesionare. Në fund të fundit ky është një ekuacion ekonomik, i cili, nëse formula e privatizimit do të përpunohet me profesionalizëm, do të mund ta rrisë disa herë përfitimin ekonomik të shtetit nga këto asete publike.
Pyetja e “mençur”, pra, nuk është se përse qeveria ka zgjedhur t`i privatizojë këto HEC-e, se sa çfarë do të bëhet me paratë që do të fitohen? Dhe këtu përsëri logjika e mirëfilltë ekonomike mbizotëron: për sa kohë këto para do të investohen në infrastrukturë publike nëpërmjet së cilës realizohet rritja dhe integrimi ekonomik i rajoneve të tëra të Shqipërisë, luftohet me sukses varfëria, rritet prodhimi bujqësor, mundësohet lidhja e porteve dhe aeroporteve me tregun ndërkombëtar, atëherë kjo logjikë qëndron plotësisht.
Si përfundim, tutje tezave dhe kritikave politike dhe populiste, objektiv kryesor ekonomik i kësaj qeverie, por edhe i atyre që do të pasojnë, duhet të jetë reformimi i plotë strukturor i ekonomisë, ruajtja me fanatizëm e shpenzimeve të ulëta buxhetore me qëllim mbajtjen e ritmeve të larta të investimeve publike në infrastrukturë, privatizimi i sa më shumë aseteve strategjike dhe jostrategjike me synim thithjen e kapitalit  dhe know-how të huaj dhe vendas, i cili është me vital, më i suksesshëm dhe krijon më shumë vende pune.
Veçanërisht investimi në infrastrukturë publike është një domosdoshmëri për të mbajtur së paku në këtë nivel pozicionin konkurrues të ekonomisë shqiptare dhe për ta kthyer atë në një ekonomi tërheqëse për investitorët e huaj. Çdo slogan kundër këtyre reformave nuk ndihmon në klimën ekonomike dhe as në perceptimin e publikut, përkundrazi, dëmton reformën dhe krijon barriera, qoftë edhe psikologjike, për reforma të mëtejshme të tregut.

© Panorama.al

Te lidhura