Ryshfeti është një problem modern i tregtisë ndërkombëtare. Në një kohë kur kaq shumë njerëz janë duke luftuar me rënien ekonomike, ryshfeti është një sëmundje shumë e vërtetë dhe kërcënuese për prosperitetin tonë. Ai paraqet një sfidë serioze për zhvillimin e ekonomive dhe kontribuon në dështimin e tregut. Ai shtrembëron konkurrencën, dëmton ndërmarrjet dhe është një mallkim për bizneset. Ai mbyt talentin dhe inovacionin dhe vret sipërmarrjen. Në shumë raste, janë më të varfrit e shoqërisë ata që e pësojnë më keq. Për bizneset, ryshfeti është një kërcënim që ka nevojë të menaxhohet në mënyrë aktive, si mashtrimi apo përvetësimi. Korrupsioni shton deri në 10% të kostos totale të të bërit biznes në nivel global, dhe deri në 25% të kostos së kontratave të prokurimit në vendet në zhvillim. Të bësh biznes në tregjet e korruptuara është si të shtosh shpenzime ekuivalente me një taksë 20% mbi biznesin. Në vitin 2010 dhe 2008, afërsisht një e pesta e drejtuesve të anketuar kanë raportuar se i është kërkuar të paguajnë një ryshfet, dhe afërsisht po e njëjta përqindje kanë humbur biznesin ndaj një konkurrenti i cili e kishte paguar ryshfetin.
Në mënyrë të pandryshueshme, kostot sociale vijnë paralelisht me kostot mbi biznesin – efekte shumë të dëmshme mbi punësimin, shëndetësine, arsimin, si dhe një shterim i kotë i burimeve natyrore. Ligji kundër ryshfetit, i cili hyn në fuqi më 1 korrik në Mbretërinë e Bashkuar, është një hap i rëndësishëm në përpjekjet e Britanisë për të luftuar ryshfetin. Ligji do t’i pajisë gjykatat në Mbretërinë e Bashkuar me disa nga legjislacionet më të fuqishme antiryshfet në botë. Ligji konsolidon dhe aktualizon legjislacionin e mëparshëm dhe paraqet dy akte të reja të përgjithshme për dhënien ose marrjen e ryshfeteve: një akt mbi ryshfetet e zyrtarëve publikë të huaj për bizneset dhe një akt në lidhje me organizatat tregtare që dështojnë të parandalojnë ryshfetet e kryera në emër të tyre.
Duke treguar një qëndrim të fuqishëm kundër ryshfetit, jo vetëm që do të luftojmë këtë fenomen, por kjo do të shërbejë si një nxitje për biznesin. Veprime të fuqishme kundër ryshfetit do të forcojnë tregun e lirë. Kjo do të shtyjë më tej konkurrencën dhe do t’u sigurojë konsumatorëve dhe publikut një pazar më të drejtë e më të mirë. Çmimet ulen, shërbimet përmirësohen dhe biznesi rritet. Por, mbi të gjitha, qëndrimi i fortë kundër ryshfetit do të tërheqë biznese dhe investime, në vend që t’i pengojë ato. Bizneset janë në një mëndje me ne. Edhe ata do të donin të shihnin problemin e ryshfetit jashtë transaksioneve të biznesit. Ata gjithashtu duan të shohin një lojë të ndershme dhe të niveluar njëlloj për të gjithë. Të gjitha bizneset kryesore dhe organizatat e bizneseve në Mbretërinë e Bashkuar e kanë bërë të qartë se duan t’i shohin fundin këtij problemi. Ky nuk është vetëm një problem për Perëndimin apo ekonomitë udhëheqëse në botë. Ryshfeti krijon dëme edhe më të mëdha në vendet në zhvillim, të cilat mund ta përballojnë atë më pak nga të gjithë. Vendet në zhvillim përballen mjaftueshëm me luftën për të ndërtuar ekonominë, të krijojë sisteme të duhura tatimore, të ofrojnë shërbime publike si shëndetësia dhe arsimi, si dhe të nxitin rritjen. Ryshfeti shton kostot, mashtron sistemin dhe vjedh të holla. Ai fut në kurth të varfërisë njerëz dhe shtete. U bëj thirrje vendeve të tjera për të parë mirë ligjet dhe rregullat e veta mbi ryshfetet dhe të marrin masa të ashpra kundër tij. Sa më shumë të bashkohen me ne për të luftuar këtë fatkeqësi, aq më shpejt ne do ta mundim atë. Shumë vende kanë tashmë ligje të ashpra mbi ryshfetet, por nuk ka dyshim që mund të bëhet akoma më shumë për t’i bërë ato më të forta dhe të zbatohen plotësisht. OECD ka kryesuar përpjekjet ndërkombëtare për të trajtuar ryshfetin në të gjithë botën dhe ata duhet të marrin meritat për përpjekjet e tyre deri tani. Konventa e OKB-së kundër korrupsionit është një tjetër marrëveshje e rëndësishme ndërkombëtare në luftën për ndërtimin e ekonomive dhe të shoqërive më të forta. Ka shumë organizata të tjera të tilla si G20-a që bashkohen në përpjekje për të trajtuar këtë problem dhe Mbretëria e Bashkuar është e prirur për të punuar me të gjithë ata. Unë vendosmërisht besoj se Akti mbi Ryshfetin në Mbretërinë e Bashkuar do të bëjë më shumë për të mbështetur biznesin dhe tregtinë tonë me botën. Por, Mbretëria e Bashkuar nuk mund të ketë sukses vetëm. Vetëm nëpërmjet veprimit global, udhëheqjes së vendosur dhe përmes veprimit të qeverive edhe në vende të tjera dhe me mbështetjen e biznesit do të bëjmë të mundur të ardhmen e begatë që të gjithë duam të shohim.
*Sekretar i Jashtëm i Britanisë së Madhe
© Panorama.al












