Lexova me vëmendje një shkrim të analistit Mentor Nazarko mbi nevojën e një autoriteti moral në shoqërinë shqiptare. Një shkrim që sigurisht ka nevojë për shtjellim e sqarim të mëtejshëm, shpresoj nga ana e vetë autorit, në mënyrë të veçantë mbi natyrën dhe mënyrën e funksionimit të këtij autoriteti moral. Kam edhe një ndrojtje tjetër se një diskutim i tillë ngjall jo pak indiferencë, për të mos thëne tallje ose edhe paragjykim brenda vetë njëfarë elite morale, sikurse e quan veten. Mbaj mend që para disa kohësh, në mënyrë modeste, në gazetën “Panorama” mendova të shkruaja diçka mbi këtë temë. Një ndër telefonatat që bëhen në këto raste, kur dikujt i pëlqen shkrimi ose edhe kur nuk i pëlqen, ishte ajo e një personazhi mjaft publik, i cili më tha: “Mirë ai shkrimi, por çfarë do tani ti, që të bëhet Kisha Katolike ky autoritet moral?”. Nuk ishte as qëllimi, as dëshira ime të thosha këtë gjë, por paragjykimi më la pak si të zhgënjyer për cektësinë e gjykimit (edhe pse, sinqerisht do të kisha shumë argumente të natyrës historike në Shqipëri për të mbështetur edhe kontributin e Kishës Katolike në jetën shqiptare, pikërisht si autoritet moral). Megjithatë, pasi dikush, jo nga fusha religjioze, e hapi këtë çështje, po mundohem të kontribuoj sadopak në kuadër të pluralizmit të ideve në këtë temë kaq të rëndësishme për të cilën nuk mundem, sigurisht, të dal krejtësisht jashtë “gunës” në të cilën ndodhem, ajo e priftit katolik.
Nevoja e një autoriteti të tillë duket se është mjaft e nevojshme, por jo vetëm në situata krizash, por në rrjedhën normale të jetës shoqërore. Përgjithësisht, kjo vjen nga shtresat e borgjezisë së mesme që prodhojnë art, kulturë dhe mendim në të gjitha epokat, e sidomos në kohët moderne dhe postmoderne. Sot, krijimi i opinionit dhe i ashtuquajturi autoritet moral, kushtëzohen fort nga dy elemente që ravijëzojnë edhe shoqërinë shqiptare e, pse jo, edhe atë europiane e perëndimore në përgjithësi: Individualizmi dhe përfitimi.
Shoqëria shqiptare, sikurse edhe ajo europiane, vuan nga sëmundja e individualizmit, që përkthehet në protagonizëm. Çfarë do të thotë më shkoqur? Ndërhyrjet e një autoriteti mbi palët në një konflikt, jo gjithmonë kanë mjetin e mirë (pa dashur t’u bëj gjyq mjeteve), por i shërbejnë më shumë ngritjes së kultit individual. Kjo ndodh jo rrallëherë në jetën politike dhe shoqërore. Pse kjo? Meqë kulti i individit është mjaft i përhapur, atëherë kriteri i gjykimit është ngritja dhe zhvillimi i këtij kulti deri në fund. Çdo hapësirë dhe mundësi shfrytëzohen për të nxjerrë në pah unin individual. Gjë kjo që ngjan në politikë, në art, në arsim, në media etj., etj. Ne mund ta vërejmë shumë mirë se si struktura të tëra ngrihen në këmbë për t’i shërbyer individit, afirmimit të tij dhe idesë së tij. Kjo ndodh kur nuk veprohet duke marrë parasysh të mirën e përbashkët, por atë indviduale. Njeriu formësohet si tillë, jeton si i tillë, edukohet dhe vdes si i tillë.
Një element tjetër është përfitimi. Jo rrallëherë autoriteti moral ndërhyrës midis palëve në konflikt është i ushqyer nga dëshira për fitim. Paguhet opinioni, paguhet mendimi, madje edhe imazhi i personit që nën dukjen e paanshmërisë, shpesh hedh helm mbi njërën palë apo mbi tjetrën në konflikt, dhe kush paguan më mirë i jepet edhe malli më i mirë. Kur them përfitimi, kam parasysh edhe një post, edhe një shkallë në hierarkinë e shtetit apo të biznesit etj.
Në të dyja rastet mund të marrim shembuj plot nga jeta shqiptare që luajnë letrat e intelektualizmit të paanshëm, të nacionalizmit gjithëpërfshirës (i cili, për hir të së vërtetës, në kohët tona duket si një epos kreshnikësh moderne, por që nuk ka më lahutarë ta këndojnë), të medias së pavarur etj.
Për të mos mbetur vetëm në nivel analize, mendoj se një autoritet moral i besueshëm ka nevojë për tri gjëra që do t’i jepnin me të vërtetë autoritet.
Së pari, dashuria për të mirën e përbashkët, e cila kthehet në dashuri për të vërtetën. Kur them dashuri për të mirën e përbashkët, e kam fjalën për atë koncept që i ikën vite dritë larg kolektivës komuniste apo individualizmit protagonist, por që do të thotë e mira e njerëzve të gjallë, të cilët duhet të jetojnë natyrshëm në shoqëri si frymorë shoqërorë, duke përdorur së bashku dhe për të mirën e të gjithëve të mirat materiale. Lidhur ngushtë me këtë është gratuiteti vështirësisht i përthyeshëm në shqip: Aftësia për të dhënë pa pritur një shpërblim.
Së dyti, ky autoritet moral, qoftë si person e qoftë si bashkësi njerëzish, duhet të jetë thellësisht i përgatitur dhe rreptësishtë i formuar me mendimin më të mirë Perëndimor klasik, qoftë në filozofi e qoftë në art apo në politikë.
Së treti, por që qëndron në themel të dy të parave, është përvujtëria. Ajo është një virtyt i madh dhe, të them të drejtën, nuk mund të jetë një virtyt tjetër përveçse me rrënjë shpirtërore. Fjala përvujtëri kthen nga latinishtja fjalën humilitas, tatis, që ka në rrënjë fjalën humus, e që do të thotë dhé, tokë. Autoriteti që nuk ka një kontakt me humus-in, me tokën, qoftë për të kujtuar atë çka është, qoftë për të dëgjuar zemrën e tokës që rreh dhe flet (pra, atë të njerëzve të zakonshëm), nuk ka forcën që i vjen nga rrënja. I mungon limfa jetësore. Mungesa e përvujtërisë që në shoqërinë shqiptare del në pah si arrogancë politike, ekonomike dhe kulturore, është burimi i krejt të këqijave që shqetësojnë dhe mbajnë peng fluturimin e Shqipërisë drejt zhvillimit të saj.
Kjo, gjithashtu është e lidhur edhe me një gjë tjetër: Rënia në humus që sjell jetën e re, frytet e dëshiruara, por këto fryte nuk mund të mbijnë, nëse fara e hedhur aty nuk vdes. Kjo kërkon guxim, sepse do të thotë të shpronësohesh nga vetvetja për t’i dhënë jetë diçkaje më të re, më të bukur e më të fortë. Cili autoritet moral do të kishte mundësi dhe guxim ta bënte këtë?
© Panorama.al












