
Të lexosh libra arti apo filozofi? Të lexosh histori, memuaristikë apo psikologji… Të lexosh… Pavarësisht zgjedhjes individuale, mjaft të drejtohet në librari mes botimeve të panumërta, cilido lexues mund të gjejë tituj mbi gjithsecilën fushë për të cilën interesohet. Është tashmë larg koha kur libraritë e varfra ofronin pak mundësi dhe boshllëqet e mëdha në vitrina shënonin po aq boshllëqe në formimin e shqip-lexuesve… Tashmë është një kohë tjetër. E, ndërsa prej mbi 20 vjetësh hapësirat boshe mbushen hap pas hapi, së fundmi po mbushet një ndër të paktat zbrazëti të mbetura bibliotekave: raftet që u takojnë botimeve mbi arkitekturën dhe urbanistikën. Pikërisht me librat “Hyrje në arkitekturë” dhe “Origjinat e urbanistikës moderne”, prej pak ditësh në vitrina, janë shënuar gurët e parë të themelit të ngrehinës që do të zëvendësojë boshllëkun e deritashëm në literaturën mbi arkitekturën dhe urbanistikën.
Pse Benevolo
“Hyrje në arkitekturë” dhe “Origjinat e urbanistikës modernë” janë dy prej librave të shkëputur nga lista e gjatë e titujve që i janë ofruar lexuesit (jo vetëm italian, por atij të të gjithë Europës e tashmë edhe shqiptareve) që mbajnë autorësinë e Leonardo Benevolos. Kurse autori është një prej figurave kyçe të historisë dhe teorisë së arkitekturës. Në vendin e tij, në Itali, është konsideruar një personalitet i padiskutueshëm, pikërisht njeriu që jo vetëm ka ngjallur vazhdimisht debate, por mbi të gjitha njeriu që bëri revolucion me këndvështrimin nëpërmjet të cilit e pa për së pari historinë e arkitekturës botërore, kur iu kushtua seriozisht kësaj fushe, në mesin e shekullit të shkuar… Po, pikërisht revolucionar për kulturën e atyre viteve, me një intuitë gjeniale, ai u ofroi profesionistëve dhe jo vetëm, dritën e duhur nën të cilën duhej parë e shkuara dhe duhej interpretuar dhe zhvilluar e sotmja…
Arkitektura dhe urbanistika

“Hyrje në arkitekturë”, e ideuar si një parathënie historike e përditësuar për arkitektët, mbetet gjithaq një domosdoshmëri për cilindo që pretendon një njohje fillestare mbi arkitekturën e së shkuarës dhe të së tashmes. Sepse, siç shkuan Benevolo në librin e vet: “dallimi mes “ekspertëve” dhe “publikut” funksionon keq në arkitekturë. Jo se arkitektët nuk janë ekspertë, por se askush nuk mund të konsiderohet thjesht publik, duke qenë se të gjithë në një mënyrë apo një tjetër janë të përfshirë në punën e vazhdueshme për rregullimin e mjedisit dhe përgjegjës nga ana e tyre për mbarëvajtjen e të njëjtit mjedis”. Është fjala për lidhjen e pazgjidhshme mes njeriut dhe arkitekturës (urbanistikës), pavarësisht se si, lidhje që nis nga çasti që blejmë një shtëpi, jetojmë në një shtëpi a qytet, por edhe thjesht duke ecur nëpër një rrugë, shesh a park. Duke analizuar nën këtë dritë, mund të thuhet edhe se librat “Hyrje në arkitekturë” dhe “Origjinat e urbanistikës moderne”, përveçse u kushtohen profesionistëve (të cilëve u ka rënduar mungesa e literaturës në fushën e tyre); përveçse u kushtohen profesionistëve të ardhshëm (të cilët duhet t’ia nisnin nga alfa, pra nga dy librat e sipërpërmendur), kanë vlerë të patjetërsueshme për të gjithë lexuesit. Jo vetëm si një plotësim i kulturës së përgjithshme të gjithsecilit, por pikërisht për faktin se arkitektura u takon të gjithëve…











