Mbetet në letër marrëveshja për vetëm një vulë në Morin

Jun 27, 2011 | 10:45

Kontrollet e shtetasve dhe automjeteve përmes dy pikave kufitare Shqipëri-Kosovë sjellin vonesa të pajustifikueshme të qytetarëve që udhëtojnë drejt Shqipërisë dhe anasjelltas.Marrëveshja për kontrollin vetëm në hyrje të shtetasve dhe automjeteve, e nënshkruar ditë më parë mes Shqipërisë e Kosovës nga drejtorët respektivë të policisë shqiptare dhe asaj të Kosovës, ende nuk është vënë në zbatim. Fluksi i udhëtarëve sa vjen e rritet, kur tashmë po shkohet drejt pikut të sezonit turistik. Udhëtarët shprehen se këtij problemi duhet t’i jepet sa më shpejt zgjidhje nga autoritetet e dy shteteve shqiptare. “Pse duhet të ekzistojë kufi, aq më shumë dy kontrolle?”, shprehet një qytetar i Ferizajt, që udhëton drejt Tiranës. “Kemi luftuar për të hequr barrierat. Jemi një komb, një gjak, ç’ka duhet ky kufi?” E ndërsa një qytetar tjetër, që është nisur drejt Durrësit me familjen e tij, e quan absurditet kontrollin në dy pika të njëjta. “Po synohet të hiqen kontrollet në të gjitha shtetet që janë në hapësirën “Shengen” e këtu ndalojmë dy herë për të njëjtin qëllim, brenda një distance 200 metra. Është shumë vështirë të imagjinohet nga djemtë tanë që janë rritur në Bruksel e kanë shëtit Evropën. Tash kanë ardhur me pushime e po shkojmë në Durrës, jemi qe nji orë në pritje. Sa mbaruam kontrollin te pika e Vërmicës, po na kontrollojnë edhe këtu. Është e pafalshme për politikanët tanë.” Një autokolonë mjetesh, së cilës u prin flamuri kombëtar. Me targa të Tiranës e të zbukuruara me elemente të tjera, makina i përket dasmorëve nga Bajram Curri, por që banojnë në Tiranë. Mes autokolonës është dhe makina e çiftit të sapokurorëzuar e që duhet t’i nënshtrohet kontrollit të dyfishtë. I moshuari, që ndodhet në krye të autokolonës në makinën me flamurin kombëtar, thotë që i takon dy shteteve të heqin kufijtë mes kombit “Kaluam 50 vite të ndarë. Kam njohur djemtë e motrës sime pas 50 vitesh, e cila u martua në ’47-n në Pejë. E sot, megjithëse u hapën kufijtë, prapë na kanë lënë ferrat rrugës e na pengojnë. Kemi gjakun tonë, kemi lidhjet tona. Sot kemi dasmë e gëzim, kemi pas edhe hidhërim e bashkë me ta e ndajmë, por duhet marrë guximi prej dy palëve e me i heqë këto ferra. Boll me këto pengesa që nuk na kanë hije. Ne jemi bashkë tash e s’kemi pse t’ia fshehim askujt.”
Karvanë të panumërt autobusësh presin në radhë për kontrolle e po ashtu dhjetëra automjete të tjera, që shpeshherë u soset durimi. Nga Policia Kufitare e Kukësit janë shtuar sportelet, duke e çuar në shtatë numrin e tyre në hyrje. Burime të kësaj policie thanë se janë përfunduar të gjitha procedurat për zbatimin e marrëveshjes për regjimin e kontrollit vetëm në pikat hyrëse të kahut të lëvizjes së shtetasve. Konkretisht, për shtetasit që udhëtojnë drejt Shqipërisë, të kontrollohen vetëm në Morin dhe për ata që udhëtojnë drejt Kosovës, të kontrollohen vetëm në Vërmicë. Ata shprehen se kjo marrëveshje pritet të fillojë brenda ditës së sotme, por që deri në mesditë nuk ishte vënë në zbatim.

Prefektura, plan pune për sezonin

Prefektura e Kukësit ka hartuar një plan të posaçëm pune për të përballuar pa probleme sezonin e ri turistik të verës. Pozicioni gjeografik në kufi me Kosovën, por dhe shumë më pak me Malin e Zi dhe Maqedoninë, shtron detyra të veçanta për organet e rendit dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese. Prefekti i qarkut, Elez Maçi, ka kërkuar nga vartësit e tij bërjen publike të të gjitha masave të marra. Më shumë vëmendje i është kushtuar punës së policisë kufitare, asaj të rendit dhe rrugores. Ato janë direkt përgjegjëse për menaxhimin dhe lëvizjen e gjithë turistëve, që hyjnë kryesisht nga Morini për në bregdetin shqiptar. Në terren marrëveshja për patrullimin e përbashkët nga policia jonë dhe e Kosovës e akseve rrugore që të çojnë në bregdet. Ky patrullim do të zgjasë deri në fund të sezonit.

 

KUKES/ JONUZ HALLAÇI

© Panorama.al

Te lidhura