Mbetësit e maturës, ja datat e vjeshtës

Jul 27, 2011 | 13:16

Caktohen datat e provimeve të vjeshtës për maturantët mbetës.
Ministria e Arsimit publikoi dje udhëzimin për mënyrën se si do të zhvillohen
këto provime. Kush ka mbetur në Letërsi, do të mund ta rijapë atë më 9 shtator. Provimi i Matematikës është caktuar më 13 shtator, ndërsa lëndët me zgjedhje jepen më 17 shtator. “Në sesionin e dytë, provimet e Maturës Shtetërore të fillojnë në orën 10:00. Për kandidatët që do të japin
provim njërën nga lëndët me zgjedhje, provimi të fillojë në orën 12:00 dhe të zhvillohet në mjedise të veçanta”, thuhet në udhëzim. Sipas tij testi për secilin
nga provimet e detyruara të përmbajë 25 pyetje, nga të cilat 13 pyetje të jenë me përgjigje alternative dhe të vlerësohen me 13 pikë, kurse 12 pyetje të jenë me zhvillim dhe të vlerësohen me 37 pikë. Provimet e lëndëve të detyruara
të zgjasin 2 orë e 30 minuta  secila. “Ndërsa testimi për lëndët me zgjedhje do të zgjasin 2 orë për secilën lëndë. Procedurat e hartimit të testeve
përcaktohen në “Rregulloren për zhvillimin e provimeve të Maturës Shtetërore në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në udhëzim. Sipas tij, testi për secilin nga provimet me zgjedhje të përmbajë 20 pyetje, nga të cilat 10 pyetje të jenë me përgjigje alternative dhe të vlerësohen me 10 pikë, kurse
10 pyetje të jenë me zhvillim dhe të vlerësohen me 30 pikë. Në provimet e sesionit të dytë të Maturës Shtetërore 2011 kanë të drejtë të marrin pjesë
maturantët që rezultuan mbetës në një ose më shumë provime në sesionin e parë të Maturës Shtetërore 2011. “Do të marrin pjesë maturantë që
rezultuan mbetës në vitin shkollor 2010-2011 dhe i shlyejnë
provimet shkollore në datat 25 gusht dhe 27 gusht 2011”, thuhet në udhëzim.
Veç tyre do të marrin pjesë kandidatët që kanë përfunduar  shkollën e mesme para vitit 2011, por nuk kanë shlyer detyrimet e Maturës Shtetërore
dhe për arsye të ndryshme nuk kanë plotësuar formularin A1Z, shtetasit që
kanë përfunduar arsimin e mesëm jashtë vendit. Provimet të zhvillohen të përqendruara në Drejtoritë Arsimore Rajonale. Përzgjedhja e testit për
secilin nga provimet e sesionit të dytë Maturës Shtetërore 2011 të kryhet nga specialistë të caktuar prej ministrit të Arsimit dhe Shkencës, të cilët
emërohen përzgjedhës të testit përfundimtar (PTP) në kushtet e ruajtjes së plotë të sekretit, brenda ambienteve të izoluara të AKP-së. Pas
përzgjedhjes së testit, të kryhet shumëfishimi dhe paketimi i testbroshurave nga AKPja. Periudhat kohore të ekspozimit potencial të sekretit (KOEPS-eve) për sesionin e dytë të Maturës Shtetërore 2011 të jenë: 6 shtator – 9 shtator
2011, për lëndën “Gjuhë shqipe dhe letërsi, 10 shtator  – 13 shtator 2011, për
“Matematikën” dhe 14 shtator – 17 shtator 2011, për lëndët me zgjedhje. “Vlerësimit i testeve të Maturës Shtetërore 2011 të ndjekë procedurat
e përcaktuar në nenin 58 të Rregullores së Maturës Shtetërore 2011”, përcakton udhëzimi.  ZIRINA LLAMBRO

PROVIMET E VJESHTES

Provimet e sesionit të dytë të Maturës Shtetërore 2011:
• Gjuha shqipe dhe Letërsia 9 shtator 2011
• Matematika 13 shtator 2011
• Provimet me zgjedhje 17 shtator 2011
Kush jep provimet në vjeshtë:
• Maturantët/kandidatët që rezultuan mbetës në një ose
më shumë provime në sesionin e parë të Maturës Shtetërore
2011;
• Maturantë që rezultuan mbetës në vitin shkollor 2010-
2011 dhe i shlyejnë provimet shkollore në datat 25 gusht
dhe 27 gusht 2011;
• Kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme
para vitit 2011, por nuk kanë shlyer detyrimet e Maturës
Shtetërore dhe, për arsye të ndryshme, nuk kanë plotësuar
formularin A1Z.

© Panorama.al

Te lidhura