“Mbështetje për Procesin e Berlinit”- Ministri i Financave takohet me menaxherin e Bankës Botërore

Sep 19, 2023 | 11:18
SHPËRNDAJE

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, priti në një takim zyrtar Menaxherin e Bankës Botërore për Shqipërinë, Emanuel Salinas.

Ervin MEte BB

Mete vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm me Bankën Botërore dhe falënderoi Salinas për mbështetjen e vazhdueshme që BB i ka dhënë dhe i jep vendit tonë në procesin e reformave drejt integrimit europian dhe zhvillimit ekonomik.

Nga ana e tij, Salinas uroi Mete për detyrën e re si Ministër i Financave dhe Ekonomisë dhe shprehu gadishmërinë e Bankës Botërore për të vijuar bashkëpunimin dhe mbështetjen për Shqipërinë.

Gjatë takimit u diskutua lidhur me rëndësinë e Procesit të Berlinit për vendet e Ballkanit Perëndimor, në kuadër të të cilit më datë 26 shtator do të mbahet në Tiranë “Forumi i Ministrave të Ekonomisë”.

Dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim për nevojën për të shtyrë përpara procesin e Berlinit, si një mundësi shumë e mirë për mbështetje dhe zhvillimin ekonomik të vendeve të rajonit, drejt integrimit në Bashkimin Europian.

Banka Botërore u angazhua në mbështetjen e projekteve në tregti dhe transport, në Shqipëri dhe në vendet e tjera të Ballkanit Perendimor. Gjithashtu një tjetër fushë ku Banka Botërore do të ofrojë mbështetjen dhe asistencën e saj ka të bëjë me sistemet e pagesave.

Deri më sot Banka Botërore ka ofruar për Shqipërinë mbi 2.4 miliardë USD financime, ku peshën më të madhe e zë mbështetja buxhetore me 42.23%, duke vijuar me investimet në sektorin e transportit me 13.77%, në sektorin e energjisë me 9.65%, furnizimin me ujë dhe kanalizime me 7.86% e të tjera.

Këtë vit u miratua nga BB Marrëveshja e re e partneritetit (Country Partnership Frameëork for Albania – CPF 2023-2027).

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura