Me ftesë të Forumit Ekonomik të Vjenës, Liri Berisha, Presidente e fondacionit “Fëmijët shqiptarë” zhvilloi një vizitë 2-ditore në Vjenë. Vizita kishte për qëllim prezantimin përpara bizneseve austriake, partnere të Forumit, punën e Fondacionit si dhe për të diskutuar me ta mundësitë e bashkëpunimit dhe të mbështetjes në ndihmë të fëmijëve me problematika të ndryshme. Ajo u prit nga Presidenti i Forumit Ekonomik, Erhard Busek, Elena Kirtcheva, Sekretare e Përgjithshme dhe përfaqësues të kompanive “Uniqa Group Austria”, Wolf Theiss, EVN dhe AME International. Gjatë takimit, presidentja e Fondacionit Fëmijët Shqiptare, Liri Berisha, i njohu ata më nga afër me aktivitetet dhe punën e fondacionit “Fëmijët shqiptarë” gjatë viteve të fundit. “Jam e lumtur për nisma e aktivitete siç është Forumi Ekonomik i Vjenës, të cilat, përveç mbështetjes dhe shtimit të mundësive për bashkëpunim ekonomik, përbëjnë në të vërtetë dhe një mundësi për afrimin me njëri-tjetrin, përafrimin e ideve dhe ecjen përpara bashkërisht drejt zhvillimit. Gjithashtu, vlerësoj faktin që Forumi Ekonomik i Vjenës është i angazhuar jo vetëm në promovimin e mbështetjen e investimeve dhe bashkëpunimeve ekonomike në rajon, bizneseve, por po shërben edhe si një urë sociale midis kombeve. Jam e bindur që shumë prej partnerëve të Forumit kanë qenë pranë shtresave në nevojë dhe më parë, sikurse dhe unë jam mbështetur në punën time për fëmijët nga biznesi shqiptar”, tha Liri Berisha gjatë takimit në fjalën e saj. Presidenti Busek vlerësoi angazhimin e presidentes së fondacionit “Fëmijët shqiptarë” dhe shprehu mbështetjen e tij dhe të partnerëve të Forumit për veprimtarinë dhe projektet e ardhshme të Fondacionit. Në vijim të vizitës, Liri Berisha pati takime me drejtues të kompanisë “Uniqa Group Austria” si dhe me drejtues të kompanisë EVN. Gjithashtu, një pritje u organizua nga përfaqësues të “Vienna Insurance Group”, ku ishin të ftuar dhe përfaqësues të Forumit Ekonomik. Gjatë vizitës në Vjenë, Liri Berisha vizitoi Spitalin e Përgjithshëm të Vjenës, Spitalin e Fëmijëve “Saint Anna” si dhe qendra të ndryshme për fëmijë.











