Kriza globale ka hapur debate për të rritur rolin e Bankës Qendrore në ndaljen e përkeqësimit të ekonomisë, në ndaljen e rënies ekonomike dhe në përdorimin e politikave dhe instrumenteve monetare në ringritjen e ekonomisë dhe kthimin e saj te ritmet e rritjeve të larta. Sot diskutohet kudo se cili duhet të jetë prioritare në politikat ekonomike, stabiliteti apo rritja, ky dallim shoqërohet me ndryshimin në politikat monetare dhe fiskale.
Po kërkohet një fokus më i qartë te rritja ekonomike, e cila vjen nëpërmjet reformave që rrisin produktivitetin dhe aftësinë konkurruese. Pa rritje ekonomike është e vështirë të mblidhen të ardhurat, të rritet punësimi, të ulet papunësia e varfëria. Pa rritje ekonomike pabarazia bëhet kërcënuese për kohezionin social, i cili mbetet parakusht për suksesin e çdo pakete apo reforme.
Politikat dhe instrumentet që ndihmojnë rikthimin te rritja ekonomike duhet të përdoren më mirë, si e vetmja strategji për të ulur papunësinë, varfërinë dhe stabilitetin e financave publike.
Pikërisht duke mos cenuar sado pak statusin dhe prioritetin ligjor të Bankës Qendrore të vendit tonë, duhet të diskutojmë për politikat dhe instrumentet monetare dhe fiskale që ndihmojnë që të ndalet ulja e rritjes ekonomike. Shifrat janë shqetësuese. Gjatë 1997-2007, rritja ka qenë 6-7%, ndërsa tri vitet e fundit 0.1.-2.5%.
Pa rritje ekonomike, treguesit e buxhetit do të përkeqësohen. Rënia e rritjes ekonomike dhe rritja e deficitit dhe borxhit të qeverisë redukton, vështirëson dhe rrit koston e burimeve të financimit edhe të biznesit privat. Kriza e burimeve të financimit dhe likuiditeteve po godet rëndë biznesin dhe po vështirëson rritjen ekonomike.
Duhet të diskutohet profesionalisht se cila është rrugëdalja më e mirë, duhet të qartësohet pse për qeveritë dhe kompanitë e mëdha aplikohen instrumente të që lehtësojnë shpëtimin e tyre, ndërsa për bizneset ndërtohen strategji stresuese dhe penalizuese deri në falimentim të sforcuar? Nuk mundet që politikat dhe instrumentet lehtësuese ndaj qeverive, korporatave të mëdha dhe bankave, të jenë produktive nëse nuk arrihet të ndikohet pozitivisht biznesi privat, ekonomia reale e vendit, sektorët realë të tij, energjia, minierat, bujqësia, turizmi.
Kjo nuk nënkupton të mos mblidhen detyrimet e prapambetura, por të riskedulohen ato dhe të lehtësohet biznesi gjatë periudhës së krizës. Sistemi bankar dhe depozitat e shqiptarëve nuk rrezikohen nga riskedulimi i kredive, por nga rënia ekonomike dhe mungesa e alternative lehtësuese për biznesin. Kjo dallon qartë maxhorancën nga opozita. Maxhoranca ka zgjidhje të vetme mbledhjen me forcë të detyrimeve, e cila e thellon krizën e likuiditeteve të bizneseve.
Opozita vlerëson se biznesi duhet të ndiej uljen e interesave të kredive. Kostoja e depozitave është ulur. Kostoja e parasë nga BQ është ulur disa herë, ndërsa interesat e kredive vazhdojnë shumë të larta. Biznesi duhet të ketë mundësi rikreditimi, mund t’i zgjaten afatet e pagesave të prapambetura. Kjo do të lehtësojë daljen e tyre nga kriza dhe do të lehtësojë dhe pagimin e kredive të prapambetura. Kjo do t’i mbrojë më mirë bankat.
Ndërmjetësit financiarë, ku vendin kryesor e zënë bankat, kanë një mision të rëndësishëm në cilësinë e investimeve në ekonomi, sepse ata duhet të përzgjedhin dhe mbështesin me kredi investimet më të suksesshme, duke ulur kreditë e këqija, duke rritur produktivitetin e ekonomisë dhe duke e bërë më të qëndrueshme rritjen e lartë ekonomike.
Bankat e kanë të qartë se pa rritje ekonomike, bizneset e kredituara prej tyre do të jenë në vështirësi. Kreditë e pakthyera do të rriten, provigjonet e tyre do të rriten, cikli negativ do të shkojë nga bizneset te bankat dhe nga bankat te ekonomia në tërësi. Nëse konsumatorët dhe bizneset private kanë risk në rritje të vazhdojnë shpenzimet dhe investimet e tyre, nëse kanë kosto të lartë të gjejnë burime financimi, druhem se kriza do të vazhdojë për një kohë më të gjatë dhe pasojat do të jenë më të rënda.
Kur opozita flet për rritjen e kredive të këqija, nuk kërkon dështimin e sistemit tonë bankar, por ka parasysh domosdoshmërinë e disa reformave dhe paketave që e ndalin trendin negativ të rritjes së tyre. Kreditë e këqija në kohë krize nuk ulen duke krijuar ushtritë private të mbledhjes me forcë të detyrimeve, por duke ndërtuar politika, instrumente dhe programe konkrete sa më fleksibile. Bankat, më mirë se kushdo, e kane të qartë se cili biznes është në vështirësi për shkak të impakteve të krizës dhe cili biznes është në vështirësi për shkak të keqmenaxhimit të tij. Të parat duhen asistuar, të dytat kanë risk të lartë vetëfalimentimi.
Kur qeveritë ishin në pamundësi financimi dhe kur kostoja e borxheve të tyre po rritej me shpejtësi, BQE ndërmori politika monetare dhe krijoi instrumente të reja të politikave monetare për të mos lejuar falimentimin e tyre. Ajo u afroi 529 bankave tregtare në vendet e BE-së rreth 489 miliardë euro kredi trevjeçare, me kushte lehtësuese.
Edhe pse me shumë vonesë dhe në përmasa relativisht të vogla, BQE aplikoi ato politika dhe instrumente të cilat FED i aplikoi që në fillim të shfaqjes së krizës. Ndaj, sipas FMN-së, rritja ekonomike e SHBA-ve në vitin 2012 do të jetë rreth 2.4%, ndërsa eurozona vetëm me 0.1%.
Në qoftë se nga niveli global apo europian zbresim në atë shqiptar, a mund të na thotë qeveria dhe BQ se me cilat politika dhe instrumente, me cilat paketa lehtësuese e ka asistuar biznesin e vendit tonë që të kalojë këtë fazë të vështirë?
Po të kemi parasysh propozimin për mbledhjen paraprake të detyrimeve fiskale, po të mbajmë parasysh aplikimin abuziv të pagave, çmimeve në dogana, detyrimeve fiskale, po të mbajmë parasysh bllokimin e kreditimit, zinxhirin e borxheve të këqija të krijuara nga qeveria dhe institucionet jobuxhetore ndaj bizneseve private, po të kemi parasysh mungesën e politikave dhe paketave lehtësuese ndaj biznesit, ai do t’i ngjajë një njeriu që disa institucione njëherësh i kanë vënë thonjtë në grykë.
Nëse situata nuk ndryshon, patjetër që një pjesë e biznesit nuk ka asnjë mundësi të mbijetojë. Do të ketë më shumë falimentime, më shumë të papunë, më shumë kredi të këqija, më pak të ardhura në buxhet, më shumë borxhe dhe kosto më të larta të financimit të ekonomisë.
Duke afruar paketa lehtësuese për biznesin e vendit, ne i ulim këto risqe, ndihmojmë bizneset të kalojnë këtë situatë kritike, e cila nuk është e krijuar vetëm apo kryesisht prej tyre. Këto paketa do të mbështesin rritjen e biznesit, do të rritet punësimi, do të ulen kreditë e këqija, do të rritet kreditimi, investimi dhe konsumi.
Një nga rekomandimet e IFN për rritjen ekonomike është ndërtimi i skemave të kreditimit që kanë në fokus ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të cilat kane një lidhje më të drejtpërdrejtë me punësimin.
Qeveria duhet të krijojë kuadrin ligjor dhe institucionet përkatëse që ndajnë riskun midis bankave, bizneseve dhe qeverisë, e cila ka objektiva të qarta të uljes së papunësisë dhe uljes së varfërisë. Këto skema do të kërkojnë edhe fondet përkatëse.
Modeli europian ka vlerë edhe për këtë projekt. BE po synon që të gjitha fondet e papërdorura të mos i konsiderojë “kursime buxhetore”, por t’i alokojë te Banka Europiane për Investime, për të financuar projekte zhvillimi që mbështesin rritjen ekonomike në vendet në krizë.
Në vendin tonë, një pjesë e fondeve buxhetore të “kursyera” mund të shkojë për krijimin e kapitalit të agjencive të garantimit të kredive, duke lehtësuar ristrukturimin e kredive të prapambetura dhe duke nxitur kreditimin në ekonomi, BQ ka propozuar krijimin e një banke zhvillimi.
Ka shume ide, politika dhe shumë programe që po diskutohen dhe po aplikohen në vende të tjera. Pikënisja e tyre është e ndryshme nga ajo e qeverisë sonë. Këto vende europiane e kanë parë në sy krizën dhe janë të përgjegjshme për pasojat dhe kostot e saj.
Ne duhet të fillojmë sa më parë me diskutimin për strategjitë e rritjes ekonomike dhe për paketat lehtësuese ndaj biznesit dhe sistemit bankar. Në rast të kundërt, do të jemi vonë dhe kostot do të jene më të rënda. Kriza sociale do të ushqejë mungesën e stabilitetit politik, ndërsa kjo e fundit do ta bëjë më të thellë krizën sociale. Ky është leksioni i hidhur që vjen nga eksperienca e disa vendeve në krizë të eurozonës.
© Panorama.al












