Ndërkohë që mungojnë vetëm 9 javë nga zgjedhjet presidenciale, përkrahësit e republikanëve po vendosin reklama agresive në rrugët e SHBA. Reklama të mëdha kundër Obamës kanë nxitur zemërim në Shtetet e Bashkuara, duke u cilësuar edhe si sulme raciste. Tri tabela të mëdha ishin vënë në autostradën “Route 27” përpara një lokali në Hanson, Masaçusets. Një prej tyre tregon një vajzë të vogël që ka ngritur gishtin e mesit me mesazhin: “Faleminderit Obama. Ke shpenzuar paratë e drekës sime, ndihmën financiare, trashëgiminë time, çeqet për 35 vjet të së ardhmes sime dhe pensionin. Ti i luajtur! Votoni Mit Romnej për 2012!”. Një tjetër poster që mbështet kandidatin republikan, Romnej, tregon Presidentin Obama me çekanin komunist duke buzëqeshur, me mesazhin: “Diku në Kenia, një fshati po i mungon idioti i tij. Obama – një t… i madh, ishte gabim për Amerikën. Votoni Mit Romnej për 2012!”. Kjo reklamë u cilësua si raciste për shkak të mesazhit të saj. Një tjetër reklamë shkruan me ironi sloganin e Obamës: “Amerika e falimentuar. Po ne mundemi!”. Zyrtarët lokalë thanë se reklamat ishin ilegale dhe tërhiqnin vëmendjen e shoferëve. Pronari i lokalit, Robert Sullivan, nuk ka marrë leje për vendosjen e tyre, por avokati i tij tha se Sullivan është i mbrojtur nga Amendamenti I për lirinë e të shprehurit. Ky është rasti i fundit i vendosjes së reklamave të debatueshme në SHBA. Pak kohë më parë, në Indiana, Obama ishte krahasuar me Osama bin Ladenin. Në poster shkruhej: “Navy SEALS hoqën një kërcënim për Amerikën. Votuesit duhet të heqin tjetrin”. Më 6 nëntor, SHBA zgjedh Presidentin e ri. Në mbyllje të Konventës republikane të enjten në mbrëmje, kandidati republikan, Mit Romnej, u premtoi amerikanëve se do të krijonte miliona vende pune, në qoftë se zgjidhet President në nëntor, duke u bërë thirrje të kthenin faqen e viteve Obama, për të ecur së bashku drejt një të ardhmeje më të mirë.











