Mbaron Ramazani, pushuesit kosovarë pushtojnë plazhin

Aug 27, 2012 | 13:20

DURRES/ Fundjava shkakton dyndje në hotelet e zonës, pas braktisjes.

Përfundimi i Muajit të Ramazanit ka sjellë dyndje të madhe gjatë kësaj fundjave në plazhet e Durrësit. Familje të tëra, në pamundësi për të siguruar një dhomë hoteli apo banese siç e quajnë ata marrjen e dhomave me qira që lëshohen nga qytetarët që banojnë në zonën e plazhit, e kanë kaluar natën në automjetet e tyre, ndërsa një pjesë kanë fjetur në shezlonë. Situata në plazh ka qenë e paparashikuar edhe nga vetë pronarët që ushtrojnë aktivitetin e lëshimit të dhomave me qira.
Rikthimi i pushuesve
Ndonëse disa ditë më parë pushuesit që frekuentonin plazhin e madh numëroheshin me gishtat e dorës, gjatë kësaj fundjave situata ka qenë krejt ndryshe. Hotelet, restorantet, baret, por edhe banesat që qytetarët lëshojnë gjatë kësaj periudhe me qira për pushuesit kanë qenë të tejmbushura nga pushuesit e ardhur nga Kosova. Ndonëse disa ditë më parë pronarët e këtyre bizneseve ankoheshin për largimin e pushuesve, gjatë kësaj fundjave, për shkak të numrit tejet të lartë, kanë pasur luksin t’i përzgjedhin ata, pasi kërkesa për banesa apo dhoma hotelesh ka qenë shumë e madhe. Vija bregdetare nga Ura e Dajlanit deri në Plepa gjatë fundjavës ka qenë e tejmbushur, sa që ishte e pamundur për të gjetur një shezlon, apo një vend për të ngritur çadrën. “Shyqyr se na ishin tharë sytë për të parë kaq njerëz”, thotë Xh. Braho, pronari i një lokali të vogël buzë detit në sektorin “Apolonia”, ndërsa tregon se kur ka ardhur ditën e shtunë për të hapur lokalin, në verandën e tij ka gjetur rreth 10 persona të ulur në tavolinë. “Kur erdha në mëngjes mendova se kisha ngatërruar lokalin, pasi u habita kur pashë verandën e tij të mbushur me njerëz në një kohë që ende nuk ishte hapur. Ndërsa disa familje, që ndoshta kanë ardhur në orët e vona të mbrëmjes, në pamundësi për të gjetur një dhomë për të fjetur e kanë kaluar natën përjashta, duke shfrytëzuar shezlonët për të fjetur. Shyqyr Zotit këtë javë ka pasur mjaft lëvizje dhe kemi punuar ndopak”, pohoi Braho.
Fundi i agjërimit
A.Hoxha, një prej qytetarëve të shumtë që gjatë periudhës së verës lëshojnë dhoma me qira për pushuesit, shprehet se të gjitha dhomat deri në fund të muajit i ka të prenotuara. “Muaji i Ramazanit na penalizoi shumë, por tani sikur u stabilizua situata. Gjatë kësaj fundjave ka pasur dyndje pushuesish, ndërkohë që kërkesa për dhoma me qira ka qenë tepër e madhe. Kjo është fundjava e parë gjatë kësaj vere që të gjitha dhomat janë të zëna”. Përgjatë Muajit të Ramazanit “plazhi i madh” në Durrës pësoi një tronditje të fortë, pasi për shkak besimi shqiptarët e Kosovës dhe shqiptaro-maqedonasit, që njihen si frekuentues të rregullt të kësaj vije bregdetare, u larguan nga Durrësi.

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

© Panorama.al

Te lidhura