
TIRANE- Ministria e Brendshme deklaroi sot se Shqipëria është një nga vendet më të sigurta në Bashkimin Evropian. Deklarata erdhi në përgjigje të thënieve të kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama i cili në tryezën e sotme të opozitës, për sigurinë, u shpreh se shteti e ka humbur betejën me krimin.
Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësi i ministrisë së Brendshme, Fatmir Konja tha se “…falë mirëorganizimit, punës, përkushtimit, aftësisë dhe profesionalizmit të Policisë së Shtetit. Niveli i krimit të vrasjes në Shqipëri është nën mesataren e vendeve anëtare të Bashkimit Europian ndërsa zbulueshmëria e këtij krimi në nivelet më të larta.”
Ai tha se, Policia e Shtetit vlerësohet sot si një partner i denjë dhe serioz i organizmave më të rëndësishëm policorë europianë dhe ndërkombëtarë falë arritjeve domethënëse dhe luftës pa kompromis kundër të gjitha veprimtarive kriminale.
Konja tha se kreu socialist, Edi Rama duhet duhet t’i jetë mirënjohës Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme që i rikthyen dinjitetin dhe forcën e ligjit shtetit shqiptar pas asaj trashëgimie rrënqethëse që qeverisja e partisë së tij i la imazhit të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Zëdhënësi i ministrisë së Brendshme tha se, Rama duhet të fshijë nga kultura e tij politike urrejtjen ndaj Policisë së Shtetit pse ajo mbrojti institucionet, ligjin dhe rendin në 21 janar 2011.
Më herët kreu socialist tha se; “Shifrat flasin atë që të gjithë e shohin, shteti e ka humbur betejen me krimin se policia ka rënë moralisht e profesionalisht, por edhe jeta po degradon prej papunësisë dhe degradimit të shërbimeve publike”
© Panorama.al











