Maxhoranca, e palëkundur nga qëndrimi për Kushtetutën

Aug 15, 2011 | 10:12
Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani dhe Neritan Ceka

Maxhoranca duket e palëkundur nga qëndrimi i saj për të mos ndryshuar asnjë germë të Kushtetutës.Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, i cili ka mbajtur edhe postin e ministrit të Drejtësisë për 2 vite, u shpreh se ndryshimet e vitit 2008 sipas propozimeve të Partisë Socialiste ishin të duhura dhe zgjidhën një ngërç institucional. Sipas tij, Kushtetuta nuk ka më asnjë vend për të ndryshuar dhe se propozimi i PS-së në këtë moment është jo i ndershëm. “Jam i bindur që opozita në momentin që ofroi propozimet për të ndryshuar Kushtetutën mbante parasysh që ishte në opozitë dhe mund të vinte në pushtet. Pra, raportet që përcaktonte Kushtetuta ishin raporte të qarta mes institucioneve, çka ishte e qartë që ndryshimet që iu bënë Kushtetutës ishin për të eliminuar krijimin e ngërçeve artificiale në jetën parlamentare të të gjitha institucioneve të vendit. Për sa kohë Kushtetuta me propozimet e opozitës arriti të evidentonte ngërçe të mundshme institucione, besoj se ishte një arritje për standarde”, tha Nishani dje për “Tv Klan”, duke mbrojtur idenë e ndryshimeve të vitit 2008. Në lidhje me iniciativën e PS-së për të ndryshuar sërish Kushtetutën, Nishani shprehet se kjo nuk është e ndershme ndaj Ligjit themeltar të shtetit, por mund të sjellë edhe probleme në raportet mes institucioneve nëse një gjë e tillë ndodh. “Në praktikën tonë legjislative nuk ka ligje të thjeshta që mund të amendohen më herët se 4 ose 5 vjet. Të trajtosh ndryshimet kushtetuese në këtë prizëm, besoj se në radhë të parë nuk është korrekt ndaj Kushtetues, në konceptim doktrinar, ndaj vetë sistemit”, shtoi ai.
Nga ana tjetër, aleati i PD-së, Neritan Ceka, shprehet kundër ndryshimeve duke thënë se vendi nuk ka nevojë. Në lidhje me çështjen e Presidentit, ai shprehet se posti i tij është i garantuar nga Kushtetuta dhe se përvoja e deritanishme me presidentët ka treguar se ata kanë qenë të pavarur, pavarësisht se kush i ka votuar dhe mbështetur. “Mendoj që ka qenë një zgjidhje relativisht logjike, e cila nuk ka nevojë për ndryshme të tjera. Është e vërtetë që Presidenti zgjidhet me shumicë të thjeshtë prej 71 deputetësh, por, nga ana tjetër, mbetet konsensual pasi mandati i tij nuk përkon me atë të Kryeministrit. Së dyti, është një president i fortë, sepse nuk hiqet me 71 vota si Kryeministri, por me 94 vota, pra që mund ta dënosh”, tha Ceka. Për të mbrojtur idenë e tij Ceka mori si shembull Presidentin aktual, Bamir Topi, dhe ish-Presidentin Moisiu. “Si rrjedhim, në të gjitha aktet e fundit ka qenë një President i pavarur nga partia apo nga estabilishmenti politik që e ka nxjerrë, siç qe rasti i Moisiut. Është një President që ka fuqi, sepse emëron disa funksionarë të lartë të shtetit dhe ka një kontroll të fortë mbi to, si dhe ka një kontroll në sistemin e drejtësisë”, tha Ceka. Në lidhje me debatin nëse Presidenti mund të votohet nga populli, Ceka shtoi se një gjë e tillë është e pamundur, pasi mund t’i ndryshohej ngjyra republikës shqiptare. sipas tij, një President nga populli duhet të ketë kompetenca të zgjeruara dhe ekzekutive, si rasti i republikës franceze apo amerikanëve. “Do të duhet të ndryshojmë të tërë Kushtetutën si ajo e Francës, sepse një President që zgjidhet nga populli, duhet të ketë fuqi ekzekutive si ai francez apo ai amerikan. Unë mendoj se kemi të bëjmë me një artificë që duan të marrin një post me forcë”, shtoi Ceka.

Debatet

Maxhoranca dhe opozita janë përfshirë në një debat mes juristësh dhe ekspertësh në lidhje me mundësinë e ndryshimeve në Kushtetutë. Opozita e sheh këtë si alternativë pajtimi dhe fundin e bojkotit nëse miraton ndryshimet kushtetuese, që në një farë mënyrë zhbëjnë ndryshimet e vitit 2008. Por maxhoranca shprehet e palëkundur që Kushtetuta nuk mund të ndryshojë. Edhe ndërkombëtarët, si ambasadori i OSBE-së, janë shprehur që Kushtetuta të mos preket.

© Panorama.al

Te lidhura