
Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare debuton këtë javë kundër Bajernit: Bavarezët s’na trembin.
“U regjistrova në Akademinë Policore kur isha 16 vjeç”
Mërgim Mavraj pritet të debutojë këtë të shtunë në Bundesligën e parë gjermane kundër Bajernit të Mynihut. Në një intervistë për të përditshmen gjermane “spox.com”, kapiteni i Grojter Fyrthit flet mbi të shkuarën e tij si polic, skualifikimin nga Kupa e Gjermanisë, si dhe shanset e skuadrës së tij për të mbijetuar në Bundesligë.
Mërgim jeni emëruar kapiten, por sakaq kolegu juaj në skuadër, Tomas Klaine, është mërzitur….
Më erdhi e papritur. U surprizova. Zgjedhja u bë spontanisht pas dy seancave stërvitore dhe nuk mendoja që do mund të bëhesha kapiten. U befasova pasi nuk kam shumë kohë që kam ardhur këtu. Për një moment situata u bë e pakëndshme për të dy. E vlerësoj Tomasin si futbollist dhe si njeri. Nëse është i zhgënjyer apo i mërzitur, arrij ta kuptoj. Megjithatë edhe ai më mirëkupton dhe sillemi shumë mirë.
Ju rridhni nga një familje emigrantësh, apo jo?
Po, babai im përfundoi studimet e larta në Shqipëri për Inxhinieri Mekanike dhe studioi gjatë ndërtimin e makinave, por ngaqë s’kishte fusha veprimi dhe s’kishte se çfarë të bënte, u detyrua të emigronte në Gjermani dhe ishte punëtor fabrike. Ai bëri një hap para për të na siguruar neve (familjes) një jetë më të mirë. Prandaj i jam mirënjohës gjithë jetën time dhe respekti për prindërit e mi është parësor.
Në moshën 16-vjeçare keni kryer një praktikë në fushën e Policisë…
Kam respekt të veçantë si për autoritet, ashtu edhe për ligjin e rendin. Më ka pëlqyer shumë që i vogël, prandaj fëmijë nuk ushqeja mendimin për t’u bërë futbollist, përkundrazi, për të nisur karrierën si polic. Një polic merr përgjegjësi dhe në një situatë të caktuar merr vendime. Që në klasën e 10-të imagjinoja se si mund të ishte profesioni im dhe doja ta shihja ashtu siç më pëlqente mua.
Dhe më pas, si talent futbolli, shkuat në rajonin e policisë dhe u interesuat…
Po. Shkova në rajonin e policisë së Selingstadt (qyteti), ku u rrita dhe pyesja thjesht për kuriozitet. Ata më thoshin se për fat të keq nuk bënin praktikën, por për këtë mund të regjistrohesha në Muhlheim (qytet). Edhe pse policët ishin skeptikë, unë mora rrugën dhe shkova në Mylhaim, por asnjë prej tyre s’më besonte. Ata kujtonin se unë nuk mendoja seriozisht që doja të ndiqja kriminelët me pistoletën në brez. Më duhej t’i bindja dhe u desh të qëndroja 4 javë. Në fillim qëndrova në zyrë, ku prisja ankesa apo padi për vjedhje. Në fund më duhej edhe të patrulloja.
Pse tani jeni futbollist dhe jo polic?
Mendova të përfundoja maturën dhe të regjistrohesha në Shkollën e Policisë. E kisha të qartë që në këtë situatë më duhej të lija futbollin, sepse puna dhe seancat stërvitore binin ndesh me kohën, prandaj mendova për më mirë, të vazhdoja maturën dhe paralelisht të luaja futboll. Nëse nuk do kishin shkuar mirë punët me futbollin, atëherë policia mbetej e vetmja alternativë.
Si e shihni Bundesligën?
Për secilin nga ne do jetë sfida më e madhe e të gjitha kohërave. Vjet i vumë qëllim vetes, se vetëm nëse do jemi dinamik dhe do luajmë në grup do t’ia arrijmë qëllimit. Për sa kohë që do funksionojmë si një ekip unik dhe do marrim me vete mentalitetin fitues nga viti i kaluar, nuk do kemi frikë nga askush. Objektivi i drejtuesve është që, përveç kontingjentit aktual, të bëjmë përforcime cilësore. Kemi nevojë për të rinj që japin shpirtin në fushë dhe që nuk dorëzohen kurrë.
Mjafton kjo që të surprizoni Bajernin në start të sezonit?
Edhe pse Bajerni si klub elitar dëshiron ta nisë mbarë sezonin me një rezultat pozitiv, ne do përpiqemi të japim gjithçka në fushë dhe të përqendrohemi te skuadra jonë, jo te miqtë. Vitin e kaluar në kupë arritëm të ndëshkonim si Nurenbergun edhe Hofenhaimin, madje konkurruam shumë me Dortmundin. E dimë se deri ku shkon limiti i forcave tona. Vendimtare në këtë sezon do jetë të paraqesim armët tona më të forta në fushë. Nëse e kryejmë këtë, nuk ka rëndësi më pas nëse është Bajerni, Fraiburgu apo Augsburgu.
LEONARD KARAJ
© Panorama.al











