
Marrëveshje për kthimin e armëve të Skënderbeut nga Austria.
Këshilli i Ministrave, me dy vendime të posaçme të miratuara në mbledhjen e qeverisë, vendosi për kthimin e armëve të Skënderbeut Muzeut Kombëtar me rastin e 100-vjetorit, për një kohë të caktuar. Kreu i qeverisë bëri të ditur se me një fond të posaçëm do të financohet ndërtimi i një mauzoleu për familjen mbretërore, duke respektuar në këtë mënyrë këto figura të rëndësishme për kombin shqiptar dhe duke u rikthyer atyre nderin e nëpërkëmbur nga diktatura komuniste. “Dihet se në një akt barbar Enver Hoxha urdhëroi minimin e varrit të nënës mbretëreshë, për fajin e vetëm se i kishte dhënë kombit burrin që i ndërtoi shtetin shqiptarëve, Ahmet Zogun. Mauzoleu do të jetë më i madh se sa varri i nënës mbretëreshë, sepse aty do të prehen Mbreti vetë, do të prehet Mbretëresha Geraldinë, Leka i Parë dhe bashkëshortja e tij, pra tani do të jetë një varrezë mbretërore”, u shpreh Kryeministri. Për kreun e maxhorancës asgjë nuk e ndryshon modelin e shtetit shqiptar. “Natyrisht, ky vend është dhe do të mbetet Republikë, por gjykoj se Parlamenti shqiptar dhe këtu gjykoj i tërë spektri politik shqiptar, me disa ligje dhe vendime të marra ka mbajtur një qëndrim të drejtë, ka hedhur poshtë Kongresin e Përmetit dhe ka bërë korrigjime në historinë e vendit, dhe më vonë një ligj u kalua në Parlament, ku familja mbretërore vlerësohet në mënyrë të veçantë në protokollin e shtetit dhe tani ky vendim duhet të miratohet për të finalizuar tërësisht statusin e një historie reale të shqiptarëve”, u shpreh Berisha.
Historia, Berisha: Jo baltosje të figurave
Kryeministri Berisha tha se rishkrimi i historisë nuk ka si qëllim baltosjen e disa figurave dhe ngritjen e disa të tjerave, por nxjerrjen në dritë të disa të vërtetave të mohuara ndër vite. “Ka një keqkuptim, në të gjithë përpjekjen tonë, ne nuk bëjmë gjë tjetër vetëm nxjerrim në shesh të vërtetat e mëdha dhe në qoftë se një figurë e baltosur në mënyrën më të pamerituar dhe e nxjerrë jashtë historisë kombëtare, hyn në histori, kjo nuk do të thotë aspak se të tjera figura errësohen. Kjo nuk do të thotë se kalohet në idealizma të pamerituara. Historinë e kemi një histori qëndrese, por edhe probleme kemi pasur, sepse kështu e kemi pasur historinë me qëndresa me tradhtira, të gërshetuara”, u shpreh Berisha. Kreu i maxhorancës kërkoi që figura e Ahmet Zogut të trajtohet në përputhje me kontributin e tij historik. “Atë që i kemi bërë ne vetes sonë, nuk na e ka bërë kush kurrë, sepse për 45 vite u bunkerizuam nga regjimi i Enver Hoxhës. Pra kjo nuk duhet parë si një përpjekje për të ngritur një figurë dhe për të ulur një figurë tjetër. Çdo figurë ka vendin e vet në histori, por e vërteta është që Ahmet Zogu ishte një figurë e ndaluar në historinë tonë kombëtare, derisa Parlamenti, me një sërë vendimesh historike, i hapi rrugën zgjidhjes së këtij problemi”, u shpreh Berisha.
Rikonstruksioni i Vilës nr.4, 50 milionë lekë
Një javë më parë, qeveria miratoi vendimin për kalimin e një fondi prej 51 638 144 lekësh të rinj, që do të përdoren nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare për rikonstruktimin e plotë të Vilës nr. 4. Vila ndodhet te Kodrat e Liqenit dhe nuk ka njohur rikonstruksion prej shumë vitesh. Si presidenti Rexhep Meidani, ashtu dhe presidenti Alfred Moisiu nuk mundën të merrnin fonde për rikonstruksionin e vilës qeveritare. Ndërsa ish-presidenti Topi jetoi në vilën e tij personale gjatë mandatit të tij katërvjeçar. Ndërhyrjet e fundit në Vilën nr.4 janë bërë gjatë kohës së monizmit dhe presidentit Alia, ndërsa pas viteve ’90, vila i është nënshtruar vetëm ndërhyrjeve në fasadë dhe lyerjeve,
por jo sistemeve funksionale të saj.











