Ndryshojnë datat e provimeve të Maturës Shtetërore. Vitin që vjen ato nuk do të nisin më 1 qershor, siç ka ndodhur gjatë 5 viteve të fundit, por në muajin maj.Gjithçka e bëri me dije dje Ministria e Arsimit. Me anë të një konference për shtyp, drejtori i Arsimit Parauniversitar Fatmri Vejsiu, shpjegoi strukturën e vitit të ri shkollor për 9-vjeçaret dhe gjimnazet. Organizimi semestral ka pësuar ndryshime, çka ka bërë që MASH t’i njoftojë më herët nxënësit edhe për datat e pushimeve dhe provimeve. “Provimi i parë do të jetë në datën 23 maj ose më 1 qershor. Do të jenë më shumë qendra ku do të jepen provimet, që maturantët t’i kenë më afër banesave të tyre, me qëllim që të menaxhohen më mirë”, tha Vejsiu. Ministria e Arsimit ka vendosur gjithashtu që vitin e ardhshëm shkollor, provimet për maturantët të zhvillohen ditën e shtunë, me qëllim që të krijohen më tepër lehtësi. Do të rikthehen sallat e mëdha për zhvillimin e provimeve të maturës. Ky propozim, i cili pritet të zbatohet vitin e ardhshëm, vjen pas rasteve që janë evidentuar për mosadministrim të mirë dhe korrekt gjatë zhvillimit të testeve për të shmangur kopjet, por edhe për faktin se numri i maturantëve është gjithnjë në rritje dhe klasave u mungojnë kapacitetet, pasi nxënësit duhet të vendosen në 1 metër e gjysmë distancë nga njëri-tjetri. “I vetmi defekt, e metë apo pasaktësi në Maturën Shtetërore është administrimi. Gjetja e sallave të mëdha të universiteteve për të organizuar dhe menaxhuar më mirë provimin. Ka njerëz që edhe tentojnë të kopjojnë, dhe krijojnë shqetësime edhe për vete, edhe për nxënësit e tjerë, por edhe për ne”, tha drejtori i Arsimit Parauniversitar.
Gjatë këtyre viteve që është aplikuar skema e Maturës Shtetërore, në shumë shkolla të vendit janë evidentuar abuzime për shkak të mosadministrimit korrekt. Ministria e Arsimit ka theksuar vazhdimisht se administratorët e provimeve kanë qenë të trajnuar dhe kopjet janë ulur nga viti në vit. Por, pavarësisht kësaj, nuk kanë munguar raste të tilla, sidomos në rrethe të ndryshme të vendit.
Viti i ri shkollor
Ai shtoi se viti i ri shkollor nis më 12 shtator si për shkollat 9-vjeçare, ashtu dhe për gjimnazet. “Arsimi bazë ka 35 javë dhe do të përfundojë në datën 6 qershor. Provimet e Lirimit do të jenë në periudhën 7 dhe 22 qershor. Do të kenë dy periudha pushimi, jo tri, një në pushimet e Vitit të Ri, rreth 2 javë, dhe një në fund të marsit. Ndërsa, përsa i përket arsimit të mesëm, ky i reformuari është vetëm me një vit shkollor pa semestra, fillon më 12 shtator dhe mbaron më 13 qershor të 2012-s. Ndërsa maturantët kanë 2 javë më pak mësim. Ata kanë 5 javë provimet e maturës dhe do të përfundojnë në fund të qershorit”, tha Fatmir Vejsiu. Semestri i parë për shkollat 9-vjeçare fillon më 12 shtator 2011 dhe mbaron më 27 janar 2012. Semestri i dytë fillon më 30 janar 2012 dhe mbaron më 6 qershor 2012. Periudha e parë, pushimet fillojnë më 24 dhjetor 2011 dhe mbarojnë më 4 janar 2012.Periudha e dytë, pushimet fillojnë më 28 mars 2012 dhe mbarojnë më 1 prill 2011. Provimet e Lirimit do të zhvillohen në periudhën 7 – 22 qershor 2012. Sa u përket gjimnazeve, mësimi fillon më 12 shtator 2011 dhe mbaron më 22 maj 2012. Periudha e parë e pushimeve fillon më 24 dhjetor 2011 dhe mbaron më 4 janar 2012. Periudha e dytë e pushimeve fillon më 28 mars 2012 dhe mbaron më 1 prill 2012. Provimet e maturës: 23 maj 2012 – 30 qershor 2012.
Struktura e vitit shkollor 2011-2012
Klasa I-IX
Mësim
Semestri i parë 18 javë
Semestri i dytë 17 javë
Gjithsej 35 javë
Festa 7 ditë
Për klasat I-IX
Semestri i parë fillon më 12 shtator 2011 dhe mbaron më 27 janar 2012
Semestri i dytë fillon më 30 janar 2012 dhe mbaron më 6 qershor 2012.
Pushime
Periudha e parë, pushimet fillojnë më 24 dhjetor 2011 dhe mbarojnë më 4 janar 2012.
Periudha e dytë, pushimet fillojnë më 28 mars 2012 dhe mbarojnë më 1 prill 2011.
Provime:
Provimet e Lirimit zhvillohen në periudhën 7 – 22 qershor 2012
Klasa X-XI
Mësim: 36 javë
Festa 7 ditë
Klasa XII
Mësim: 34 javë
Provimet e maturës
5 javë
Festa 7 ditë
Klasa X-XI
Mësimet fillojnë më 12 shtator 2011 dhe mbarojnë më 13 qershor 2012
Klasa XII
Mësimet fillojnë më 12 shtator 2011 dhe mbarojnë më 22 maj 2012
Pushimet
Periudha e parë: pushimet fillojnë më 24 dhjetor 2011 dhe mbarojnë më 4 janar 2012.
Periudha e dytë: pushimet fillojnë më 28 mars 2012 dhe mbarojnë më 1 prill 2012.
Provimet e maturës: 23 maj 2012 – 30 qershor 2012
Formulari A2, 289 degë për nxënësit
Dy ditë më parë, Ministria e Arsimit bëri publik formatin e ri të formularit A2. Maturantët do ta plotësojnë vetëm pas datës 22 korrik, pasi të kenë dalë të gjitha rezultatet e provimeve të Maturës Shtetërore. Ata kanë në dispozicion 289 degë për 11 universitetet publike në vend. Do të duhet të zgjedhin 10 prej tyre. Ashtu siç bën me dije Ministria e Arsimit, të gjithë maturantët duhet ta lexojnë me kujdes. Nëse gabojnë gjatë plotësimit, skualifikohen dhe nuk mund të konkurrojnë për në shkollat e larta, sado nxënës të mirë të jenë. Përcaktimi i fituesve ndërmjet maturantëve kandidatë për studime në institucionet e arsimit të lartë, sipas parimit meritë–preferencë. Të hënën pritet që Ministria e Arsimit të publikojë notat e provimeve me zgjedhje. Pas marrjes së rezultateve për 4 provimet, maturantët do të mund t’i llogarisin vetë pikët. Vetëm pasi të kenë bërë këtë, do të mund plotësojnë formularin A2.
Parimet e maturës
Parimi i meritës përcaktohet sipas pikëve të grumbulluara në bazë të rezultateve të shkollës së mesme, të provimeve të Maturës Shtetërore dhe për programe studimi të caktuara: Arte, Sporte, arkitekturë etj., degët me konkurs edhe në bazë të plotësimit të kritereve të veçanta të propozuara nga IALP dhe të miratuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Parimi i preferencës përcaktohet nga vullneti i kandidatëve, i shprehur nëpërmjet preferencës më të lartë të grupit të preferencave fituese, midis 10 ose më pak preferencave të zgjedhur prej tyre
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











