Matura, del Formulari A2, ja si duhet plotësuar

Jul 15, 2012 | 12:05

Afati i fundit i dorëzimit për maturantët në shkolla është data 30 korrik.

MASH: Më parë llogarisni pikët që keni grumbulluar.

Ministria e Arsimit ka gati Formularin A2. Janë 300 degë të shkollave të larta, mes të cilave maturantët do të zgjedhin 10 preferencat ku do të konkurrojnë. Udhëzimi për Formularin A2 nuk është ende gati, por duket se nuk do të ketë ndonjë risi madhore për plotësimin e tij. Burime zyrtare pranë MASH thanë dje se brenda datës 20 ky udhëzim do të jetë gati.
Gjatë këtij harku kohor, përpara se të dorëzojnë formularin e plotësuar, maturantët duhet të bëjnë llogaritjen e pikëve.
Janë dy formula në dispozicion të tyre. Në to jepen 5 komponentët e Maturës Shtetërore dhe koeficientet sipas profilit të shkollës se mesme e universiteteve.
Formula e dytë u vihet në dispozicion maturantëve për herë të parë këtë vit. Atë do ta përdorin vetëm ata kandidatë që kanë dhënë 3 lëndë me zgjedhje. Mundësia u jepet për herë të parë në maturën e këtij viti, e cila përfundoi me kurrikulat e reja.
Pasi të kenë përmbyllur këta hapa, nxënësit duhet të konsultohen me tabelat e vëna në dispozicion nga MASH, ku jepen pikët e fituesit të fundit për çdo degë. Duke ditur me siguri se cilës prej degëve të universitetit i afrohen më shumë me rezultatet që kanë, maturantët do të mund të plotësojnë Formularin A2.
Afati i fundit i dorëzimit të tij në shkolla është data 30 qershor.  Maturantët do të shpallen fitues vetën në një prej 10 preferencave që kanë caktuar. Edhe këtë vit do të zbatohet parimi i meritë-preferencës, sipas të cilit renditet i pari kush ka më shumë pikë dhe në vartësi të pozicionimit që i ka bërë degës së preferuar.
I pari duhet të jetë programi i studimit, ku gjasat janë më të larta për të fituar, i dyti ai që preferohet nëse kandidati nuk do të mund të fitojë në preferencën e parë e kështu me radhë.

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura