Janë më shumë se 35 mijë maturantë që sot i nënshtrohen provës së parë të Maturës Shtetërore.Provimin e Letërsisë ata do ta japin në të njëjtën kohë në të gjithë vendin. Në orën 10:00, zyrtarisht nis zgjidhja për pyetjet e testit. Maturantët do të kenë në dispozicion 2 orë e 30 minuta për t’iu përgjigjur pyetjeve me zhvillim dhe atyre me alternativa. Ato kanë për qëllim, sipas specialistëve të MASH-it, vlerësimin e njohurive dhe aftësive të nxënësve që mbarojnë shkollën e mesme, formimin letrar e gjuhësor të tyre. Teza është përgatitur duke u mbështetur në linjat e përmbajtjes të përshkruara në programin orientues që u është dhënë prej kohësh shkollave përkatëse. Pyetjet e provimit lidhen me fragmente veprash nga autorë të përcaktuar më parë. Ky test do të jetë i ndarë në dy pjesë. Secila pjesë e testit përmban: fragmente veprash ose pjesë letrare të periudhave dhe gjinive të ndryshme letrare, ku përfshihen pyetje bazuar në pjesën e tekstit, pyetje që kërkojnë shpjegime, zëvendësime, komente, krahasime, analiza, interpretime, perifrazime, pyetje që kërkojnë nxitjen e imagjinatës dhe fantazisë së nxënësit, si dhe pyetje që kërkojnë përgjigje krijuese. Vështirësia e pyetjeve do të jetë e përshtatur për të tria nivelet. Testi i provimit përmban 25 kërkesa, nga këto 13 janë me alternativa dhe 12 me zhvillim. Njëra nga pyetjet me zhvillim është ese.
Rregullat
Për t’u futur në ambientet ku do të zhvillohet provimi, maturantët duhet të kenë detyrimisht me vete dokumentin e identifikimit, në të kundërt nuk do të lejohen të marrin pjesë në të. Po ashtu, në rregullore përcaktohet se ata duhet të tregojnë kujdes dhe të ulen në vendet që u janë caktuar, të shmangin çdo tentativë për të komunikuar apo kopjuar, sepse penalizohen me humbjen e një viti për garën e konkurrimeve në universitete. Në rregullore përcaktohet se rezultati i provimit nuk njihet kur maturanti, gjatë plotësimit të testit, do të përdorë laps. E njëjta masë do të merret edhe në rastet kur largohet nga mjedisi i provimit pa bërë sekretimin e testit, e dorëzon atë pa u vendosur firma përkatëse, si dhe në rastet kur dëmtohet numri i identifikimit. Kjo masë do të merret edhe kur dëmton testin (e palos, e zhubros, e gris, vendos shenja të dallueshme dhe të veçanta) ose nuk e dorëzon atë tek administruesit përkatës. Aktualisht ka përfunduar hartimi i tezës finale për të shtatë profilet shkollore dhe në orët e vona të mbrëmjes do të nisë transportimi i këtyre materialeve drejt rretheve nën masa të rrepta sigurie.
10 dite
pas dhënies së provimit do të shpallen rezultatet për nxënësit.
Ata kanë të drejtë të tërheqin një kopje të testit vetëm pasi të kenë përfunduar katër provimet e maturës.Këtë përcakton rregullorja
6 qendra
vlerësimi janë caktuar këtë vit për korrigjimin e testeve. Prej tyre dy janë në Tiranë, ndërsa të tjerat në Elbasan, Shkodër, Fier, Korçë. Transportimi i testeve në to do të bëhet nën masa të rrepta sigurie
Akomodimi në klasa
Drejtori i shkollës dhe personat e paautorizuar nuk lejohen të hyjnë në mjediset ku zhvillohet provimi. Hyrja, shpërndarja dhe sistemimi i çdo kandidati nëpër klasa bëhet duke ndjekur rigorozisht rendin zbritës të listës emërore të dërguar nga AVA. Vendi i përcaktuar për kandidatët që mungojnë mbetet bosh. Ndalohet ndërrimi i vendeve. Ndalohet hyrja në mjediset e provimit e maturantëve/kandidatëve që nuk janë në listat e AVA-s dhe nuk kanë dokument identifikimi.
Dëmtimi i testeve dhe skema e vlerësimit
Kandidatët duhet të bëjnë kujdes në kontrollin e fletës së provimit përpara se ta nisin atë. “Nëse testi që i jepet maturantit është i dëmtuar ose ka faqe të bardha, ai ka të drejtë të kërkojë menjëherë ndërrimin e testit”, thuhet në rregullore. Maturantët që dorëzojnë testin e provimit përpara kohës së përcaktuar, nuk duhet të dalin nga mjedisi më herët se 15 minuta para orarit të përfundimit të provimit. Ata grumbullohen në një sallë brenda mjedisit të provimit të përcaktuar më parë. Për mbikëqyrjen e tyre caktohet një administrator. Pas përfundimit të çdo provimi të maturës, AVA shpall skemën e vlerësimit të testit. Skema e vlerësimit është standard vlerësues i njëjtë për çdo maturant/kandidat. Vlerësimi i çdo përgjigjeje të dhënë nga maturanti/kandidati për kërkesën përkatëse, mbështetet në skemën e vlerësimit të përgatitur nga hartuesit e testeve. Vlerësimi i përgjigjeve të maturantëve/kandidatëve në provimet e detyruara dhe me zgjedhje bëhet me pikë, të cilat ekuivalentohen në notë të përshkallëzuar. Testet e provimit të maturës vlerësohen nga vlerësues të jashtëm.
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











