Ngujohen hartuesit e tezës së provimit të matematikës. Dje, rreth orës 10:00 të mëngjesit, specialistët e përzgjedhur hynë në ambientet e AVA-s për të dalë mëngjesin e datës 15 qershor, pra pas 7 ditësh. Pyetjet e testit do të jenë për tri nivele nxënësish. Hartuesit duhet të zbatojnë skemën ku rreth 40% të pyetjeve të tezës të jenë për nxënësit e dobët, 40% për nxënësit mesatarë dhe 20% për nxënësit shumë të mirë. Sipas drejtuesve të Ministrisë së Arsimit, edhe në këtë provim pritet të marrin pjesë rreth 41 mijë maturantë. Uniformat blu do të qëndrojnë në gatishmëri për mbarëvajtjen e procesit 24 orë. Sipas rregullores së Maturës, hartuesit e tezës nuk do të kenë asnjë lloj komunikimi, me përjashtim të rasteve emergjente, ku të vetmit persona që do të njoftohen do të jenë ministri i Arsimit dhe zv/ministri. Krerët e MASH kanë siguruar se për provimin e dytë janë marrë të gjitha masat, në mënyrë që të garantohet transparencë.











