Mat, Prokuroria denoncon në KLD dy gjyqtarë për shkelje

Jul 15, 2011 | 12:34

Dy gjyqtarë janë denoncuar nga Prokuroria e rrethit të Matit si shkelës të ligjit, madje i është kërkuar Prokurorisë së Përgjithshme që të dërgohen në Këshillin e Lartë të Drejtësisë për shkelje ligjore me dashje dhe shkeljen e Kodit të Etikës.Vesel Bako dhe Rexhep Karaj, sipas përfaqësuesve të organit të akuzës, abuzojnë me detyrën shtetërore. Burime të sigurta nga Prokuroria e Matit thanë se kanë kërkuar largimin nga trupi gjykues të gjyqtarit Vesel Bako, i cili është pjesë e trupit gjykues në ngarkim të shtetases Fatbardha Gjoni, e akuzuar për vrasje me dashje. Prokuroria ka grumbulluar prova e fakte që implikojnë gjyqtarin në takime të fshehta pas përfundimit të procesit gjyqësor. Mësohet se më 5 korrik 2011, gjykata mbylli debatin gjyqësor dhe palët u ftuan për të dhënë diskutimet përfundimtare për çështjen penale në fjalë. Ndërkaq mësohet se më datë 11.07.2011, Prokuroria është informuar se kryetari i trupit gjykues, Vesel Bako, në mënyrë të jashtëligjshme ka marrë jo vetëm kontakte, por dhe ka biseduar për rrethanat e çështjes me qëllim zgjidhjen e saj jashtë gjyqësorit me njerëz të afërm të së pandehurës Fatbardha Gjoni. Prokuroria ka faktuar se më 07.07.2011, Vesel Bako është takuar me shtetasin Taulant Gjoni dhe ka biseduar me të për zgjidhjen e çështjes në ngarkim të motrës së tij. Këtë, organi i akuzës e konstatuar nëpërmjet punonjësit të policisë që ruan Gjykatën e Matit. Prokuroria vëren se Bako ka shkelur parimet kryesore, siç është ai i paanshmërisë së gjyqtarit në dhënien e drejtësisë, në mënyrë të pavarur. “Thirrja e vëllait të saj për të biseduar, pikërisht pas përfundimit të debatit gjyqësor, na shton dhe më shumë mosbesimin ndaj gjyqtarit në fjalë në dhënien e vendimit. Ai nuk do të marrë në konsideratë provat që i janë nënshtruar debatit gjyqësor pranë kësaj gjykate, por ato të marra jashtë saj”, thanë burime pranë Prokurorisë së Burrelit. Të njëjtat burime shtojnë se në këtë rast gjyqtari Bako ka shkelur parimin e sanksionuar në të drejtën e Prokurorisë se gjyqtari, në dhënien e vendimit, mbështetet vetëm në provat që janë verifikuar dhe nënshtruar debatit gjyqësor në seanca gjyqësore. Duke kërkuar largimin nga trupi gjykues, prokurorët mendojnë se kemi të bëjmë me veprime antiligjore të gjyqtarit të Matit dhe vendimi i marrë prej tij nuk do të jetë i besueshëm për palët. Për të faktuar pretendimin e tyre, prokurorët e Burrelit kanë marrë dy dëshmi, njërën nga vëllai i së pandehurës Fatbardha Gjoni dhe tjetrën nga punonjësi i policisë së ruan Gjykatën e Matit. Ndërkaq, akuza e dytë i adresohet gjyqtarit Rexhep Karaj. Sipas Prokurorisë së Burrelit, ai është iniciatori i nxitjes së shtetasit Hajredin Rami për të protestuar para godinës së Prokurorisë. “Ne e kemi thënë me zë të lartë se Prokuroria nuk shpërndan prona. Rami ka plotësisht të drejtë në kërkesat e tij, por është Gjykata e Burrelit ajo që e zvarrit çështjen e pronave të këtij shtetasi”, theksuan burime pranë Prokurorisë së Matit. Sipas tyre, Rami është nxitur për të fajësuar Prokurorinë për të humbur vëmendjen nga fajtorët që e sorollatin atë prej 10 vitesh.

Çeshtja e Fatbardha Gjonit

Fatbardha Gjoni është e dyshuara kryesore për vrasjen e Flamur Brukës më 13 korrik të vitit të kaluar. Ajo ka pranuar përpara oficerëve të Policisë Gjyqësore dhe prokurorëve se e ka vrarë 36-vjeçarin Bruka. Gjoni ka deklaruar se e ka kryer krimin për vetëmbrojtje, pasi viktima ka tentuar t’i hyjë në shtëpi me forcë dhe i armatosur. Sipas rrëfimeve të saj në polici, Bruka i është drejtuar shtëpisë së saj në orët e para të mëngjesit kur ajo ishte vetëm në shtëpi, pasi e ëma kishte shkuar në treg për të shitur fruta e perime. Bruka gjeti vdekjen në vend, ndërsa Gjoni u vetëdorëzua në polici pak orë pas krimit të kryer.

Replikat në sallën e gjyqit

Burime të sigurta bëjnë me dije se herë pas here mes gjyqtarit Bako dhe prokurorëve ka pasur replika të forta. Edhe në seancën e fundit gjyqësore, atë të zhvilluar më 13 korrik 2011 në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Mat, nuk kanë munguar fyerjet e replikat e gjyqtarit Bako ndaj prokurorit të çështjes “Gjoni”, Sabri Kastrati. Të gjitha këto i janë relatuar kryeprokurores Ina Rama dhe pritet që të mbërrijnë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Kjo, thanë prokurorët, përbën shkelje flagrante të etikës nga ana e gjyqtarit Bako.

© Panorama.al

Te lidhura