KORÇE – I grabisin me dhunë një shumë të madhe parash, kapet njëri prej autorëve. Sektori Kundër Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Korçë organizoi dy ditë më parë një aksion, nga ku arriti të arrestonte 31-vjeçarin Aleko Sholla. “Arrestimi i këtij shtetasi u bë, pasi rezulton të jetë njëri prej autorëve të dyshuar të vjedhjes me dhunë në bashkëpunim, të banesës në Lagjen Nr.10 në Korçë, në pronësi të shtetases me iniciale L.B., 60 vjeçe. Ngjarja ka ndodhur më 4 shkurt të këtij viti”, bëri të ditur Policia e Korçës. Sipas burimeve të Policisë, autorët kanë qenë të pajisur me mjete maskimi në momentin e hyrjes në banesë. Bashkëshorti i 60-vjeçares nuk ka qenë në shtëpi në momentin e ngjarjes. Duke qenë se ai tregtonte mjaltë, dy autorët janë futur në banesë me pretekstin se do të blinin mjaltë. Por, pasi kanë goditur 60-vjeçaren me tytën e armës në kokë, ata kanë arritur të përvetësojnë gjatë kontrollit të banesës shumën prej 30 mijë eurosh, si dhe 1 milion lekë. Dyshohet se autorët kanë qenë në dijeni të shumës së madhe të parave që ajo mbante në shtëpi. Pas denoncimit të saj, blutë u vunë në lëvizje dhe arritën të identifikonin autorët. Njëri prej tyre u arrestua dy ditë më parë, por ai nuk ka pranuar autorësinë. Ndërsa Policia bëri të ditur se është duke punuar për kapjen e bashkëpunëtorit të dytë të implikuar në këtë ngjarje dhe dokumentimin e plotë ligjor të saj. Ata akuzohen për veprën penale të “vjedhjes me dhunë të kryer në bashkëpunim”. dh.d











