MIRANDA HAXHIA
Replikë me shkrimin e Balil Gjinit “Histori me rrepa që s’bëhen dot rrape”
Lexova me vëmendje shkrimin e tejmbushur me krahasime, paragrafë librash e sentencash të z. Balil Gjini, botuar në gazetën e përditshme “Panorama”. Duhet të them në krye të herës së kam respekt për dijet e z. Gjini, letërsinë e tij, por ndoshta kjo më jep kurajën të debatoj për një temë që është shtjelluar me hidhësirë dhe ligësi, e cila gjatë tërë rrugës së vet bën një qerthull të ngushtë dhe të qartë, hatërmbetjen. E, heraherës, gabimet në logjikë mbulohen edhe nga gabime gjuhësore. Kujton Balil Gjini rrape të mëdha, (gjuha shqipe e njeh me: – rrepe të mëdhenj), rrepa të kuqe, aludon, ngacmon, sikur është i filtruar pas pirjes së 150 ml çaj me lëng rrepash, që me sa tregon enciklopedia, shëron sëmundje të gjakut. 1. Është komode të kritikosh dhe është pjesë e kulturës demokratike. Njerëzit e zgjuar nuk përbuzin askënd, sepse e dinë që nuk ka njeri aq të dobët sa të mos hakmerret kur e fyejnë. Më erdhi keq për atë mal përbuzjesh që kishte futur në rrepat dhe rrepet e shkrimit të tij z. Gjini. E keqja e shkrimit të z. Gjini ishte se qe konceptuar dhe ngritur mbi një bazament klishesh dhe fryrje të stisura, boshe, që, mbushur me figuracion të degraduar, që nuk i ka hije penës së një intelektuali. Duke pasur parasysh se vetëm kur je në gjendje të dëgjosh arrin të ushqesh një pjekuri të atillë që të bën të aftë të gjykosh dhe të përballesh me problemet, mendoj se edhe pasi e kam rilexuar shkrimin e z. Gjini, kam kuptuar frymën e kundërshtisë ndaj Kryesisë së Partisë Demokratike të Beratit, frymën e mllefit ndaj deputetëve; një shtjellë a vorbull ere që vjen rrotull, më e shumta krijon një vrimë të zezë në letërsinë e shpërdoruar të z. Gjini, ndërsa shikimin dhe arsyen e zbeh. Kujton Balil Gjini rrape të mëdha (gjuha shqipe e njeh me: – rrepe të mëdhenj), rrepa të kuqe, aludon, ngacmon, sikur është i filtruar pas pirjes së 150 ml çaj me lëng rrepash, që me sa tregon enciklopedia, shëron sëmundje të gjakut. Ndjehej mllefi, urrejtja, reagimi i të lënduarit, por se nga i vinte e tërë kjo gjendje, nuk shprehej konkretisht e për çfarë. Guximi për të përmendur të gjithë drejtorët e zgjedhur në Berat, grupin e deputetëve, kryetarin e grupit të deputetëve, nuk përligjej, sado krahasime botanike e zoologjike të ketë gjetur, për sa kohë nuk argumentohej asnjë prej akuzave. Janë servilë? Cilët prej tyre? Janë arrogantë? Kur? Kundër kujt është shprehur kjo arrogancë? Nuk shkruhen fjali me aludime për dashnorë e sekretare pa e ulur shumë pragun e standardit të komunikimit. Edhe çdo lexues që nuk e njeh as strukturën e drejtuesve të Partisë Demokratike të Beratit, apo as z. Gjini, jam e sigurt se pas shkrimit të z. Gjini, pyet me vete: Ku i fle lepuri këtij? Me kë e ka inatin? Çfarë burrnie qenka të fshihesh pas fjalëve të shkrimtarëve e të mos hedhësh dorashkën ndershmërisht në një debat të kulturuar e me vlerë? Nuk e kuptoj se nga i pret të zgjedhurit z. Gjini, nga Kryesia e Partisë Socialiste? Do t’i duhet të presë gjatë, pasi me hallet që ka ajo parti, nëse një ditë do të kërkojë të shkruajë për perimet e asaj partie, do të kërkojnë ndihmë vetëm në shkurre e ferra. Nuk ka shkruar ndonjëherë qytetari i Beratit, z. Gjini, për fole qyqesh në bashki e komuna ku drejtojnë socialistë, ku vezët që lënë pas këto ish-kuadro të ish-PPSH-së, nuk janë vezë zogu, por vezë gjarpri, të cilin as me dorë nuk e kap dot, se të rrëshqet tinëzisht e pabesisht. E, kur nuk e ndjen, kupton se nuk je më. 2. “Jeni të dy shkrimtarë, nuk është e hijshme t’i kundërvihesh z. Balil Gjini”, ishte mesazhi që më dërgoi një mik i vjetër, i ngjashëm më sojin e shkrimtarëve. Nëse shkrimtari e përdor penën dhe mendjen e vet për të ngjyer pezmin, vrerin e hidhur të hakmarrjes, atëherë, me gjasë, refuzoj të quhem shkrimtare. Edhe sikur të mos më pranojnë në ato shtojcat e veta klanore poetike e fetare, ku shërbehet iftari me ndonjë strofë poetike dialektore, unë besoj se nuk do eci kurrë me patericat e një klani letrar që mbahet fort duke i thurur lavdi veç njëritjetrit e duke hedhur në turrën e druve gjithë letërsinë shqipe (veç asaj që shkruajnë ata vetë), po aq lehtë sa z. Gjini djeg pa dallim personalitetin e drejtuesve të Partisë Demokratike në Berat. Në fëmijërinë time, rreth meje, në fshatin ku jam rritur, nuk ka pasur fole me vezë zogjsh të ngatërruar me gjarpërinj. Dhe guri i fatit tim është vetëm guri i arsyes dhe i qetësisë, pa peshë vreri e ironie të pashembullt e të paskrupullt për një forcë politike që drejton në Berat, për njerëz që kryejnë detyrën shtetërore në Berat, që mirë apo keq, nuk janë as më shumë e as më pak nga sa ka qenë z. Gjini kur ishte një herë e një kohë drejtor. 3. “Mos u merr me Balil Gjinin, se do të të turret edhe ty. Pse i mbron kaq shumë ata që denigron ai?”, ishte miku i tretë që më dërgoi mesazhin. Nuk vihen në kandar e as mund të krahasohen fyerjet që u bëhen të tjerëve me ato që na bëhen neve. 160 karaktere të sms nuk mjaftojnë për t’i dhënë përgjigje edhe këtij të njohuri të përbashkët (imi dhe i z. Gjini), ndaj, lexuesi të përligjë durimin për të lexuar këtë paragraf ku do të rendis disa arsye kundërshtie. Nëse Partia Demokratike në qytete të tjera e ka pasur diçka më të lehtë forcimin dhe punën e saj, në Berat ka qenë një punë e madhe dhe e vështirë për shumë arsye. Sa qytetari ka vetë Berati me arkitekturë, doke, traditë e zakone, aq “katundari” ka në gjykim e arsye kur vjen puna për beteja politike. Nuk është e lehtë të jesh drejtor në një qytet të cilin e kanë harruar. Nëse po bëhet diçka për Beratin, nuk po bëhet se ka një pllakë (si pllakë varri) në dalje të tij që e njeh për qytet nën kujdestarinë e UNESCO-s, por se qeveria demokratike ka projekte për rrugë, turizëm shkollim e punësim. Nëse një drejtor shkel në kallo jo vetëm koren poetike të B. Gjinit, por edhe punën e njerëzve të tjerë, Partia Demokratike ka aq forcë sa të gjejë brenda vetes zërin e arsyes e t’i japë vendin e punës njeriut të duhur. Por pa shpresë se mund të jenë ish-kuadro të ish- PPSH, vetëm se dinë t’i buzëqeshin e sillen ëmbël z. Gjini, a ndokujt tjetër të zemëruar si ai. Zakonisht njeriu urren atë të cilin e ka frikë. Këtë ndjesi e mbolli diktatura. Po të ishte Enveri gjallë, shkrimi i z. Balil Gjini do të qe model i përkryer për ato letrat e fshehta që i lexonte çdo mëngjes Partia, me të cilat çdo mbrëmje zhdukte njerëz. E, sikur të ishte ajo kohë, rrapit Balil Gjini do t’i kishte sjellë edhe një lumë pranë Partia, ose do t’i vinte detyrë të thurte tekstin e këngës për rrapin shekullor… e kur të errej, do të arrestohej “grupi armiqësor i Kryesisë së Partisë Demokratike të Beratit”, do të akuzoheshin për rrepa e rrape, ndërsa grupi i deputetëve me z. Genc Pollo në krye, do të ishte pushkatuar pa gjyq! Bashkëthemeluesit të Partisë Demokratike të Beratit, z. Gjini, nuk i kujtohet asnjë fjali për rrugëtimin e kontributeve të tij në demokracinë, së cilës mendon se i ndezi pishtarin e sot pretendon t’i fikë dritën me artin e të shkruarit.











