Mashtrimi në Tiranë, 11 vjet burg zyrtares së rreme të Kryeministrisë

Feb 6, 2012 | 10:35
Gjykata e Tiranes

TIRANE – Ajo hiqej si zyrtare e Kryeministrisë dhe Ministrisë së Jashtme e herë si gazetare, ndërsa ai, si ndihmësi i saj besnik që mbyllte procedurat ligjore. Në dy skema thuajse perfekte mashtrimi, një çift bashkëshortësh dyshohet se kanë marrë afro 70 mijë euro nga dy qytetarë, duke u premtuar nxjerrjen e një familjari nga burgu, si edhe leje minerare. Për t’u bërë të besueshëm tek “viktimat” e tyre, përfshinin në biseda edhe emra realë avokatësh apo zyrtarësh, që në të vërtetë as nuk i kishin takuar ndonjëherë. Paratë e “zhvatura” i kishin depozituar në Gjermani, në emrat e fëmijëve të tyre. Të paktën kështu thuhet në vendimin e Gjykatës, që deklaroi fajtorë për “mashtrim me pasoja të rënda” dhe “fshehjes së produkteve të veprës penale” dy bashkëshortët Majlinda e Agim Pashollari, 51 e 58 vjeç, banorë të kryeqytetit. Pak ditë më parë, Gjykata e Tiranës i dënoi ata me një total prej 21.5 vjetësh burg dhe nga 1 milion lekë gjobë.
MASHTRIMI 3 MILIONE
Sipas vendimit të gjykatës, i siguruar i plotë nga gazeta, i pari person i mashtruar nga çifti Pashollari ishte një e njohura e tyre e hershme, pasi kishin të njëjtën origjinë. E dëmtuara Fatime P. kishte një vëlla të dënuar me burg dhe këtë hall ia ka treguar në vitin 2006 të akuzuarës Majlinda Pashollari. “E pandehura Majlinda është shprehur se punonte në Kryeministri dhe i ka premtuar të dëmtuarës se do ta ndihmonte për vëllain që kishte në burg, pasi njihte persona te ndryshëm me të cilët do të bisedonte për këtë qëllim”, thuhej në vendimin e gjykatës. Po sipas vendimit, e pandehura Pashollari ka marrë përsipër se do t’ia nxirrte në një kohë të shkurtër vëllain nga burgu. Me këtë premtim, sipas Gjykatës, e pandehura i ka marrë të dëmtuarës në kohë të ndryshme një total prej 3 milionë lekësh të rinj. Për ta bindur, e pandehura Majlinda i kishte thënë se për këtë problem kishte folur me një avokat, si edhe me Avokatin e Popullit. Po sipas Gjykatës, në funksion të justifikimit të parave të marra bashkëshortët i kanë servirur të dëmtuarës një vendim gjykate të falsifikuar, sipas të cilit vëllai i saj lirohej në qershor 2007.
MASHTRIMI 45 MIJË EURO
Rasti i dytë i mashtrimit për të cilin u deklaruan të fajshëm bashkëshortët Pashollari, ishte ai i një biznesmeni ndërtimi. Përmes një personi të tretë, biznesmeni B.G., është prezantuar në qershor 2009 me Majlinda Pashollarin. “Gjatë bisedës, e pandehura është prezantuar si këshilltare e ministrit të Jashtëm, Ilir Meta, dhe si gazetare e se me njohjet dhe mundësitë e saj mund t’i siguronte të dëmtuarit leje për shfrytëzimin e minierave të kromit”. Pas kësaj bisede, me premtimin se do t’i nxirrte licencë për shfrytëzimin e 2 galerive, e pandehura Pashollari dyshohet se ka marrë prej biznesmenit në kohë të ndryshme shumat prej 1.5 milonë lekësh të rinj, 2 milion lekësh të rinj, 5 mijë euro dhe 10 mijë euro. I dëmtuari ka pretenduar se i janë marrë me mashtrim 45 mijë euro. Sipas Gjykatës, nga Prokuroria është provuar mashtrimi me 29 mijë euro, ndërsa për pjesën tjetër ka dyshime lidhur me personin që i ka përvetësuar.

© Panorama.al

Te lidhura