MASH: Në Letërsi, 10 herë më pak se vjet nxënës kopjacë

Jun 4, 2011 | 9:36

Në të gjithë vendin janë kapur 20 maturantë duke kopjuar në provimin e Letërsisë. Gjithçka e konfirmon Ministria e Arsimit.Burime zyrtare pranë saj pohuan për gazetën se kjo shifër është 10 herë më e ulët se ajo e vitit të kaluar. “Vjet, në fund të procesit në arritëm të zbulojmë vatra kopjimi të maturantëve. Do të përmendnim Fushë-Krujën, Sarandën apo ndonjë qytet tjetër. Këtë vit ka pasur vetëm raste sporadike”, shprehen specialistët e Ministrisë së Arsimit. Sipas tyre, dje kanë mbërritur në MASH të dhënat nga të gjitha rrethet dhe ka rezultuar se, krahasuar me maturat e mëparshme, procesi ka shkuar shumë më mirë. Drejtuesit e lartë të MASH sqarojnë se nuk do të ketë asnjë mundësi që në grupin e korrektuesve të gjenden mësues që do të korrektojnë testin e nxënësve të tyre. “Nuk ka asnjë mundësi që një mësues që është zgjedhur për të korrigjuar një grup testesh, të ndodhe që të vlerësojë provimin e një nxënësi që i ka dhënë mësim”, sqarojnë drejtues të lartë të MASH. Sipas tyre, i gjithë sistemi i vlerësimit është ndërtuar në mënyrë të tillë që eviton totalisht problematika të tilla. Në të 6 qendrat e ku nisi dje korrigjimi, janë 270 mësues të trajnuar, të cilët nisën punën për të kryer vlerësimin me pikë. Edhe gjatë këtij procesi mund të konstatohen teste ku është kopjuar, për të cilat do të ketë penalizime, njësoj si ata që u kapën ditën e provimit.
Provimi i Matematikës
Ndërkohë, më 15 qershor maturantët do t’i nënshtrohen provimit të dytë të detyrueshëm, atij të Matematikës. Testi do të përmbajë 25 pyetje, njësoj si i pari. Prej tyre, 13 me alternativa dhe 12 me zhvillim. Lloji i parë i pyetjeve do të vlerësohet me 1 pikë për secilën. Duke iu përgjigjur saktë, nxënësit mund të grumbullojnë në total 13 pikë. Pyetjet me zhvillim do të kenë peshë 3 herë më të lartë. Në total, duke dhënë përgjigjen e drejtë për këtë grup, maturanti merr 37 pikë. “Asnjë pyetje nuk do të jetë jashtë programeve orientuese që maturantët i kanë në duar prej disa muajsh. Për matematikën, gjithnjë ankthi i nxënësve është më i madh se për letërsinë, por nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Pyetjet do të jenë për të treja nivelet e nxënësve”, sqaruan specialistët e Ministrisë. Për nxënësit e dobët, që përgjithësisht marrin notën 5 ose 6, do të ketë pyetje në masën 40 %. Niveli i dytë i pyetjeve, ku hyjnë nxënësit mesatarë të notave 7 dhe 8, do të zërë në çdonjërin prej testeve po 40 % të totalit. Në këtë grup pyetjesh do të ketë testim të dijeve të maturantëve jo thjesht për njohuritë bazë, por për njohuri më të thella, për të cilat mund të përgjigjen ata maturantë që përpiqen të mësojnë ose kanë qenë sistematikë. Niveli i parë ose i nxënësve të mirë dhe shumë të mirë, do të ketë 20 % hapësirë në test. Në këtë grup pyetjesh, maturantët do të testohen jo më vetëm për njohuritë që kanë marrë gjatë shkollës së mesme, por edhe për kreativitetin e tyre individual. Pesë ditë para provimit, në të gjitha shkollat do të nisin konsultimet. Mësuesit duhet të afishojnë grafikët për të grupuar nxënësit. Rezultatet e provimit të Letërsisë është menduar të afishohen pasi maturantët të kalojnë provën e dytë. Kjo masë është marrë nga Ministria e Arsimit, në mënyrë që rezultatet të mos ndikojnë në gjendjen e tyre emocionale.

20 maturante
janë kapur duke shkëmbyer kopje me celularë ditën e provimit të Letërsisë, në datën 1 qershor. Sipas Ministrisë së Arsimit, numri i tyre është dhjetë herë më i ulët se në vitin 2010.

200 maturante
janë kapur vitin e kaluar duke shkëmbyer kopje ditën e provimit të Letërsisë. Ministria e Arsimit sqaron se këta tregues dëshmojnë se masat e sigurisë janë rritur, por edhe ndërgjegjësimi i nxënësve

 

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura