Masat në Itali, kursehen 45 miliardë euro për 2 vjet

Aug 13, 2011 | 12:27

Italia do të miratojë shkurtime urgjente për ta zvogëluar buxhetin e saj shtetëror me 45 miliardë euro brenda dy vitesh.Ky vend do të miratojë një buxhet me shkurtime emergjente, me vlerë 20 miliardë eurosh për vitin e ardhshëm dhe 25 miliardë eurosh për vitin 2013. Deklaratën e bëri dje kryeministri Silvio Berluskoni, gjatë një takimi me përfaqësuesit e qeverisjes lokale. Masat emergjente, të cilat pritej të miratoheshin mbrëmë vonë në Parlamentin italian, përfshijnë shkurtime për buxhetet ministrore, deri në 6 miliardë për vitin e ardhshëm dhe 2.5 miliardë në 2013-n. Ministri italian i Ekonomisë, Xhulio Tremonti, tha se masat përfshijnë edhe shkurtime në administratën lokale, duke eliminuar disa qeverisje provinciale dhe këshilla fshatrash e duke privatizuar shërbimet lokale. Kursimet parashikojnë edhe një të ashtuquajtur taksë solidariteti për personat me të ardhura më të larta. Pas kritikave të shumta se politikanët nuk ishin prekur nga masat e kursimit, Silvio Berluskoni tha se do të ulë kostot e politikës. Ai konfirmoi gjithashtu edhe taksën e solidaritetit për persona që fitojnë më shumë se 90 mijë euro në vit. “Do të ashpërsojmë kostot e politikës me 14-15 masa”, tha Kryeministri italian. Berluskoni shpjegoi se “Banka Qendrore Europiane pretendoi se duhet paraprakisht një buxhet i balancuar. Nuk e konsideronte “të arsyeshme” në 2014-n dhe kështu më thirri duke kërkuar parashikime të reja. Kështu ne vendosën masat deri në vitin 2013″. Por, kreu i “Lega Nord”, Umberto Bosi, tha se nevojitet të përdorët “urtësia” kur bëhet fjalë për pensionet. Pensionet, sipas përfaqësuesve të Legës, aleatët e Berluskonit në koalicionin aktual, nuk duhet të preken nga shkurtimet. “Nëse del një shëtitje nëpër qytete, edhe në Romë, gjen varfanjakë, shumë prej tyre të moshuar, që vjedhin nëpër supermarkete, sepse nuk kanë për të ngrënë. Çfarë do të bëjmë? Do t’u heqim dhe pensionin?”, ka debatuar lideri i LN.

Menyja e politikanëve zemëron italianët

Sipas një rrjedhjeje informacioni nga anëtarë të stafit që punojnë për parlamentarët italianë, megjithëse vendi ndodhet pranë një rreziku financiar, për politikanët dhe njerëzit në pushtet nuk është marrë asnjë masë shkurtimi dhe për më tepër, ushqimi në restorantet e Parlamentit është detyrimisht me çmim super të ulët për ta. Spageti, bifteku dhe fileto peshku shpatë për ta kushton vetëm 8 euro, një e katërta e çmimit që duhet të paguajnë qytetarët e thjeshtë për të njëjtin ushqim. Postimi online i menysë së deputetëve ka rritur zemërimin e italianëve, të cilët përballen me masa të ashpra kursimi që do të prekin programet e tyre sociale, përfshirë edhe ndihmën për fëmijët. Italia, vendi i tretë më i madh i eurozonës, ka një borxh publik prej më shumë se 1 trilionë euro apo rreth 120 për qind e GDP-së së saj dhe ekziston frika se njëlloj si Greqia, këtij vendi do t’i duhet të kërkojë nga vendet e grupit një paketë shpëtimi, e cila është shumë e madhe për t’u përballuar. Zemërimi për politikanët e tyre ekzistonte mes italianëve edhe më parë, pasi ata kishin rrogat më të larta në Europë, me rreth 14000 euro në muaj dhe këto paga nuk prekeshin në paketën e kursimit ekonomik.

© Panorama.al

Te lidhura