Masakrimi i gruas, flet nëna: I lutem vrasësit të më kthejë kokën e vajzës

Aug 15, 2011 | 11:39
Bukurie Arapi, nëna e viktimës së masakruar

Nuk hap mort pa u gjetur koka e Lilianës. Bukurie Arapi, nëna e vajzës që u masakrua 3 ditë më parë nga 84-vjeçari, Gaqo Dumka, i ka mbyllur dyert e apartamentit në katin e katërt, aty ku jeton në qytetin e Bilishtit.Pas disa trokitjesh të dështuara dhe thirrjesh për bisedë, më në fund, përmes vrimës së çelësit, kthen disa përgjigje përzier me vajtime. Kërkon që të dijë se ç’duam ne aty, por pa na lënë kohë ta sqarojmë, bërtet vetë: “Ja, këtë dua unë. Dua kokën e Lilit këtu në shtëpi. Mos m’i bini më derës pa më sjellë kokën e saj”. Sakaq, hap krejtësisht derën dhe me duart e saj në kokë që i bie me grushte, përmend sërish pak a shumë të njëjtat fraza: “Këtë që po prek unë dua. Nuk ka punë këtu njeri, pa ardhur koka e saj”. Përpiqemi që ta qetësojmë, por edhe ta pyesim…
Kur e keni parë për herë të fundit Lilianën?
Para një muaji.
Ju bëri vizitë ajo në shtëpi?
Jo, jo, shkuam ne në Korçë. U lidhëm me telefon dhe ajo na la takim në një lokal atje në qytet.
Pse në lokal dhe jo në shtëpinë e saj?
Aty ishte gjithë puna. Ajo nuk na tregonte se ku e kishte shtëpinë dhe sa herë i kishim kërkuar për ta vizituar, na nxirrte ndonjë pretekst. Ndonjëherë edhe nuk na fliste. Sajonte gjithçka vetëm e vetëm për të na shmangur.
E dinit ju si prindër që Liliana jetonte me 84-vjeçarin, Gaqo Dumka?
Joooo, nuk e dinim. Nga bisedat që kemi pasur, edhe pse jemi zënë shpesh, ajo thoshte se jetonte me disa shoqe dhe ndante qeranë me to. Sipas Lilit, ne nuk duhet të shkonim në shtëpinë e saj, pasi shoqet i kishte tekanjoze dhe bezdiseshin shpejt.
Dyshonit se po ju gënjente?
Sigurisht që ne kishim dyshimet tona, ndaj këmbëngulëm aq shumë para një muaji që ta takonim. Jo se dyshonim për ndonjë person konkret, por vetëm e kuptonim që po na gënjente. I kërkuam që ta merrnim me vete, por ajo nuk erdhi. U përpoqëm më pas edhe me metoda të tjera, por sërish nuk u kthye.
Çfarë metodash?
Fillimisht i bëmë presion vetë, por nuk e hëngri. Më pas shkuam në policinë e Korçës për të bërë denoncimin.
E bëtë?
Policia e Korçës i mori të dhënat, por na thanë se nuk mund të bënin dot asgjë për këtë çështje. Sipas tyre, duhej të merrej Policia e Bilishtit, duke qenë se si ne, ashtu edhe Lili, ishim me gjendje civile këtu.
Ju jeni interesuar vetëm para 1 muaji për ta kthyer Lilianën në shtëpi, ndërkohë që ajo kishte dy vjet e larguar nga shtëpia. Çfarë arsyeje ju dha ajo kur u largua dhe pse pritët kaq gjatë, para se t’i kërkonit që të kthehej në shtëpi?
Ne nuk i kemi kërkuar asnjëherë Lilit që të largohej nga shtëpia. Ka qenë një vendim i saj, sepse ne në shtëpi mbetëm 4 veta, të gjithë pa punë. Tre nga ne: unë, im shoq dhe djali i vogël, jemi edhe të sëmurë. Ajo, si më e shëndetshme, na tha që ka gjetur një punë të mirë në Korçë si rrobaqepëse dhe do të na ndihmonte me para për ilaçe. Na bindi dhe e lamë deri para 1 muaji, kur edhe nisëm të kemi dyshime të forta se nuk po jetonte me shoqe. Iu lutëm të kthehej, por ajo nuk kishte moshë që ta detyronim me zor. Nuk kishte më moshë as ta rrihnim.
Por kishte moshë për të jetuar me një 84-vjeçar, 42 vjet më të ri se vetja?
(Rënkon). I vdekuri nuk gjykohet moj çupkë, lëreni të qetë. Mbase e ka bërë dhe nga halli, nga ta di unë tani. Fukarallëku është i rëndë dhe pasha e tij të përkul dhe para ndyrësive… Lëreni tani, mos ia trazoni më shpirtin, apo pak ju duket që nuk po i mblidhet trupi?! Ka gabuar, na ka gënjyer, veç duhet ta keni dëgjuar që prindi e merr vesh i fundit.
Po lajmin e vrasjes kur e morët vesh?
Ja, prapë të fundit. E kishin dhënë të gjitha televizionet, por ne hiç mendjen. Vetëm kur na trokiti policia në derë dhe na mori për identifikim.
Ju e identifikuat, jeni e sigurtë që viktima është vajza juaj, Liliana?
Jam shumë e sigurtë. Me dhimbje të madhe e pranoj se është ajo.
Ku jeni bazuar për identifikimin?
Nga rrobat që na sollën. Ishin po të njëjtat që kishte veshur kur e takuam para një muaji.
Vetëm nga rrobat? Po nga trupi?
Trupin ende nuk e kemi parë. Nuk na e tregojnë pa iu gjetur edhe koka. Kushedi ku ia kanë fshehur të tjerët…
Ku e ka fshehur Gaqo, deshët të thoni?
Jo moj jo, çfarë Gaqo thua, ata të tjerët.
Kush janë këta “të tjerë”?
A djemtë e tij, a dikush tjetër, nuk e di unë se kush janë. Vetëm e di që ky plaku (Gaqo) nuk e ka bërë vetë atë krim, por nuk tregon. Kërkon që të mbulojë të tjerë që e kanë masakruar Lilin në shtëpinë e tij. Mbase ka ndihmuar ai në vrasje apo i ka lënë të tjerët të përdorin shtëpinë e tij, këtë nuk e di.
Pse jeni kaq e sigurtë, kur Gaqo Dumka ka pranuar autorësinë dhe policia e ka konfirmuar atë si vrasës?
Sepse vajza tjetër, Marjeta, që jeton në Zvicër, e ka marrë në telefon Gaqon ditën e vrasjes dhe ai i ishte shprehur shumë i shqetësuar që kishte dy ditë që nuk e kishte parë Lilin.
Pra, ju e paskeni ditur që Liliana jetonte me Gaqon, derisa keni patur dhe kontakte telefonike?
Ne si prindër jo. Absolutisht jo. Vetëm dje e morëm vesh dhe këtë muhabet na e tha Marjeta. Ajo siç duket e ka ditur, por po e presim që të vijë në shtëpi dhe të na e sqarojë këtë muhabet. Duhet të mblidhemi si familje dhe të mendojmë për ceremoninë e varrimit.
Kur do ta bëni?
Kur të më sjellin kokën e vajzës. Si ta fus në arkivol pa kokë?! Si ta qaj Lilin pa kokë?! (Fillon sërish t’i bjerë kokës së saj me grushte. Pas disa minutash, e pyesim sërish).
Po policia, çfarë ju ka thënë?
Ata thanë se po përpiqen shumë, por vrasësi nuk tregon se ku e ka çuar. Më premtuan se do ta gjejnë brenda 3-4 ditësh, shpresoj dhe lutem në zot që të paktën kjo të jetë e vërtetë.
Po nëse nuk është e vërtetë? Nëse policia nuk do të arrijë dot që ta gjejë kokën…
Atëherë do t’i lutesha vrasësit, kushdo qoftë, që së paku të më kthejë kokën e Lilit.
Vetëm me lutje?
Po çfarë mund të bëjë tjetër unë, hë më thuaj? Unë dhe im shoq, jemi të dy me shëndet të ligë, të moshuar. Djali im ka zhvillim të vonë mendor. Tjetri është ndarë dhe ka familjen e vet, jeton larg nesh. Një vajzë tjetër e kam të martuar me një kosovar dhe jeton në Zvicër, por edhe me atë nuk marr vesh tamam se ç’bëhet. Shihe varfërinë në këtë apartament dhe më thuaj. Jemi të shkatërruar dhe me këtë hall që na ra, vetëm lutjet na kanë mbetur se çdo gjë tjetër kushton me lekë. Po ishin prindër vetë ata gjykatës që do të dënojnë vrasësin apo vrasësit, le të na mendojnë neve në ato çaste kur t’i gjykojnë.

Fëmijët e Gaqos

Edhe pse jetonte vetëm në shtëpinë me qera, Gaqo Dumka kishte dy djem dhe një vajzë. Siç mësohet nga fqinjët, duket se me asnjë prej djemve nuk kishte raporte të mira, përveçse me vajzën, Marjetën. Kjo e fundit jetonte në Greqi, ashtu sikurse një vëlla tjetër i saj, Marjeta kthehej herë pas here në Korçë për të vizituar babanë. U përpoqëm që të flisnim me të, por ajo ndodhej në kushte të rënduara psikike. Ndërkaq, referuar asaj çfarë ka deklaruar në polici, mësohet se Marjeta nuk ka pasur dijeni për historinë rozë të babait 84-vjeçar me vajzën 42-vjeçare nga Bilishti, Lilianën. Sipas policisë, por edhe sipas asaj çfarë pamë vetë, Marjeta dukej e shokuar.

sherri

I kanë dëgjuar shpesh të grinden, por fjalët e qarta janë dëgjuar gjithnjë vetëm nga Liliana. Komshinjtë e saj në katin e dytë, rrëfejnë për “Panorama” se shpesh ajo dhe Gaqo grindeshin, por për shkak të moshës, nuk kuptohej qartë se çfarë thoshte i moshuari. “Zakonisht ziheshin për papastërti. Ajo ngrinte zërin herë pas here dhe fraza më e qartë që dëgjohej ishte ‘plak i qelbur’. Ndërsa Gaqon nuk është se e kuptonim shumë çfarë thoshte. Vetëm e ndjenim se reagonte, por jo fjalët e sakta, pasi e kishte zërin e ulët. Mbase për shkak të moshës së thyer”, aludojnë fqinjët, që rrinë një kat sipër shtëpisë ku jetonte Gaqo Dumka.

“Liliana joshte shokët e Gaqos”

“U përpoq të afrohej edhe me mua nëpërmjet mbesës”

Andrea Toshi, fqinji i autorit të krimit

KORÇE – Për lagjen nr.4 në Korçë, Liliana Arapi ishte “e dredhur”. Është përpjekur që të joshë shokët e të dashurit e bashkë me to, edhe mikun e ngushtë, njëkohësisht fqinji, 72-vjeçarin Andrea Toshi. Nga ky i fundit vjen një rrëfim rreth flirteve të pretenduara nga ana e Lilianës, por edhe banorët e lagjes plotësojnë me dëshmi të ndryshme. Histori rozë, që sipas tyre, kanë detyruar 84-vjeçarin që ta vrasë 42-vjeçaren. E mbrojnë autorin që ka pranuar krimin makabër, por kur i pyet nëse dinë ndonjë gjë se ç’bëhet me kokën e Lilianës, atëherë tmerrohen dhe fillojnë t’i kundërvihen atij që e shpallën “viktimë dashurie” pak çaste më parë. Në këtë listë ndodhet edhe Andrea Toshi, që ashtu si Gaqo Dumka, është i ve. Në një rrëfim për “Panorama”, ndryshe nga banorët që historitë i rrëfejnë gojë pas goje pa qenë asnjëherë dëshmitarë, Andrea ka parë disa gjëra që nga dritarja, si fqinj përballë që ishin…
Prej sa vitesh njiheni me Gaqon Dumkën?
Që kur erdhi të banojë këtu me qera, ka rreth 8 vjet. Kjo shtëpia ku rrinte Gaqo ka qenë e Apostol Zidro, që kur ndërroi jetë, ia trashëguan 2 djem që jetojnë në Greqi. Duke mos pasur njeri tjetër, ata ia lanë me një çmim të ulët qeranë Gaqos, rreth 30 mijë lekë, dhe ndërkohë ai kujdesej për ndonjë gjë. Me kalimin e kohës, përveçse komshinj, u bëmë edhe shokë muhabeti e kafeje, pasi të dyve na kanë vdekur gratë. Kalonim ca kohë bashkë, meqë ishim të vetmuar, derisa mori atë vajzën në shtëpi.
Cilën vajzë?
Atë pra, që e vrau, Liljanën.
Ta ka prezantuar Gaqo ndonjëherë Lilianën?
Që të marrë iniciativën vetë ai, jo. Madje e shmangte edhe si muhabet. Kur e pyesja thoshte që e kishte mbesë të gruas dhe e ndihmonte për punët ndonjëherë në shtëpi. Por kur ajo erdhi që të jetonte këtu me Gaqon, nuk kishte ç’të thoshte më. Iu bënë vite me Lilianën.
Sa vite?
Po nja 5 vite. Fillimisht e shikoja njëherë në muaj, zakonisht kur merrte Gaqo pensionin. Kur para nja dy vitesh mora vesh që kishte sjellë rrobat Liliana dhe po qëndronte tek ai. Ajo kishte marrë një dhomë ngjitur me Gaqon, por në fakt ata rrinin bashkë dhe qeranë ia paguante po ai. Kështu edhe fshiheshin më mirë.
Pse duhet të fshiheshin dhe nga kush?
Siç duket i vinte zor edhe nga diferenca e moshës, por problemi kryesor ishin fëmijët e Gaqos. Ai ka dy djem, me të cilët nuk është se shkonte dhe aq mirë e nuk e vizitonin. Ndërsa vajza, Marjeta, i vinte nga Greqia më shpesh dhe i ofronte ndihmë në shtëpi për ta larë e pastruar. Kështu, me 2 dhoma, Gaqo ishte në rregull, kushdo që ta vizitonte. Liliana ishte në dhomën e saj si qiraxheshë.
Po me Lilianën, ke biseduar ndonjëherë, e ke takuar?
Kalimthi jemi takuar e përshëndetur, por nuk është se kemi biseduar gjatë. Ajo madje kërkonte që të hynte në muhabet, por unë e refuzoja.
Pse e refuzonit?
Nuk më pëlqente se çfarë vajze ishte. Nga njëra anë kishte Gaqon dhe nga ana tjetër, dilte me të tjerë. E kam parë duke hipur nëpër taksi këtu në lagje, por edhe nëpër makina të ndryshme. I moshuar apo i ri, ajo e pranoi Gaqon dhe ta mbante. Ose ta ndante dhe pastaj le të shkonte me kë të donte. Jo të joshte dhe të provokonte meshkuj të tjerë, përfshirë këtu edhe shokët e Gaqos.
Juve ju ka provokuar ndonjëherë?
U përpoq të afrohej nëpërmjet mbesës sime, filloi të më vinte për vizita në shtëpi. Pas nja dy bisedash të shkurtra, ia bëra të qartë që të mos vinte më në shtëpinë time.
Konkretisht, Gaqo ose Liliana, ta kanë pohuar me fjalë lidhjen e tyre?
Asnjëri prej tyre pra. Gaqo thoshte se e kam mbesë, ndërsa Liliana i thërriste gjyshi.
Po atëherë, nga jeni i bindur ju, që ata të dy kishin një lidhje bashkë?
Sepse i kam parë dhe nga dritarja e shtëpisë sime. Për shembull, ata kishin oborr të përbashkët dhe Liliana gjatë verës lahej aty jashtë dhe s’e kishte problem. Po ashtu, ndonjëherë debatonin e grindeshin dhe zëri më vinte deri në dhomë.
I keni dëgjuar duke debatuar ditën kur ndodhi vrasja?
Jo. Vetëm më kujtohet mirë që, rreth orës 11.30, Gaqo më afrohet dhe më thotë, duke dalë nga shtëpia: “Si nuk na bëre një drekë të mirë”. Pastaj u kthye sërish nga ora 17.00 dhe më përsëriti të njëjtën fjali. U çudita në fakt, asnjëherë nuk kishte dashur të vinte për drekë nga unë.
Vutë re ndonjë gjë të dyshimtë tek ai, atë ditë?
Dukej i zverdhur në fakt, por mendova se e ka nga mosha. Mbase do të jetë sëmurë, thashë me vete.
Po tani, çfarë thoni?
Po do i ketë ikur mendja mbase që bëri atë krim, se ai dukej shok shumë i mirë.

Koka e prerë, gërmime në oborr

Dysheku në dhomën ku u ekzekutua në gjumë 42-vjeçarja

Gaqo Dumka, 84-vjeçari që ka pranuar masakrën me thika dhe sëpata mbi trupin e 42-vjeçares, Liliana Arapi, mban sekret vendndodhjen e kokës së saj, të cilën ia ka ndarë nga trupi.Një trup gjithashtu i copëtuar, i gjetur nëpër qese të zeza në një fushë masive mbeturinash, por më në fund i “ngjitur” në një të vetëm, ku pret që t’i bashkohet koka në morgun e qytetit të Korçës. Gjatë dëshmisë që ka dhënë në polici, ai ka rrëfyer krimin me detaje, por kur ka ardhur momenti për të treguar se ku ndodhet koka, ai ka bërë të paditurin dhe të moshuarin që vuan nga skleroza, duke thënë “se nuk e mbaj mend ku e kam hedhur”. Kjo fjali është përsëritur disa herë nga ana e tij dhe sa herë ka këmbëngulur policia,

Gaqo Dumka, i arrestuar nga policia per vrasjen e 42-vjeçares (majtas) viktima Liljana Arapi

Gaqo Dumka ka deklaruar se ndihet i lodhur dhe i pafuqishëm, duke kërkuar njëkohësisht pak pushim. Duke iu referuar dëshmisë së 84-vjeçarit, ai e ka vrarë në dhomën e gjumit, teksa ajo po flinte dhe më pas i ka prerë kokën me sëpatë. “E meritonte që ta vrisja. Kemi bashkëjetuar prej 5 vitesh dhe ajo më tradhtonte me djem të rinj”, ka deklaruar ai në polici, por sa herë pyetja është rikthyer te koka e viktimës, 84-vjeçari ka hyrë sërish “në rol”. “I ka nxjerrë trupin në korridor, i ka copëtuar gjymtyrët, prerë organet gjenitale dhe të gjitha i ka paketuar në thasë, me qëllim që ta kishte të lehtë transportimin e trupit. Thasët i ka hedhur në kazanët e mbeturinave në lagjen nr. 4 të Korçës dhe ka vazhduar normalisht ditën, sikur të mos kishte ndodhur asgjë”, thonë më tej burime nga policia, që e kanë marrë në pyetje Gaqo Dumkën. Nga ana tjetër, një pjesë tjetër e ekipit policor, ka qëndruar deri pasdite në shtëpinë e marrë me qera prej 8 vitesh nga Gaqo Dumka. Ata kishin rrethuar me një shirit të verdhë vendin e krimit, ku ende dukeshin njollat e gjakut të përhapura që nga dysheku, tapeti, govatat me ujë e deri në oborr. Efektivët kanë kthyer shtëpinë përmbys dhe kanë gërmuar në disa vende në oborr me shpresën se mos gjejnë kokën e viktimës, Liliana Arapi, por kanë dështuar në të gjitha tentativat.

 

Nga Bilishti, Elisabeta Ilnica

© Panorama.al

Te lidhura