
Një biznesmen nga Lushnja me profesion inxhinier është shpallur në kërkim si autor i dyshuar për masakrimin e 25-vjeçares nga Fieri.Nëna e dy fëmijëve, e divorcuar katër muaj më parë, u gjet e masakruar me 20 plagë thike në të gjithë trupin, madje dhe në fyt. Nga hetimi i kryer, bazuar edhe në dëshminë e të afërmve të viktimës, dyshohet se autor është shtetasi me inicialet L.S, biznesmen nga qyteti i Lushnjës. Të njëjtat burime thanë se policia e ka shpallur në kërkim, pasi ai nuk është gjetur në banesë. Familjarët e tij i kanë deklaruar grupit të hetimit se i kërkuari prej tyre ndodhej në plazh. Për të evituar dekonspirimin e hetimeve, policia nuk dha më shumë detaje nëse është lokalizuar vendndodhja e tij, por bëri të ditur se është duke hetuar intensivisht, pasi në vendin e ngjarjes janë gjetur disa prova që mund të çojnë në identifikimin e vrasësit. Grupi i hetimit është duke verifikuar edhe thirrjet e fundit në telefonin e viktimës, (e gjetur në çantën e saj), si dhe SMS-të e shkëmbyera prej saj. Gjatë ditës së djeshme, në policinë e Lezhës janë shoqëruar mbi 30 persona, kryesisht kamerierë, pronarë lokalesh, pastruese, si dhe punonjës të tjerë të subjekteve private në plazhin e Shëngjinit. Ata janë marrë në pyetje nëse e kishin parë viktimën gjatë këtyre ditëve, si dhe për persona të mundshëm me të cilët ajo shoqërohej. Edhe në policinë e Fierit janë marrë në pyetje disa persona, kryesisht të afërm të Anisa Opingarit. Për vrasjen e 25-vjeçares në zonën e quajtur “Rëra e hedhur” në plazhin e Shëngjinit janë duke hetuar jo vetëm policia e Fierit dhe e Lezhës, por edhe ajo e Beratit e Lushnjës. Familjarët dhe daja i vajzës, shtetasi Robert Pena, kanë dhënë dyshimet e tyre në polici, duke kërkuar të kryhen verifikime dhe hetime për një përfshirje të mundshme në këtë krim të rëndë të biznesmenit nga Lushnja. Daja i viktimës rrëfeu dje dyshimet e tij, si dhe zanafillën e konflikteve të mbesës me të shoqin, me origjinë nga Berati.
Kur e morët vesh lajmin për mbesën?

Dje, nga mediat. Policia erdhi tek shtëpia e motrës sime. Më pas u nisëm menjëherë për në Lezhe. Atje na mori policia në pyetje.
Çfarë i thatë policisë, kishit ndonjë dyshim?
Vajza u shkatërrua nga ndarja, se ishte nënë e dy fëmijëve dhe nuk e kishte të lehtë. Ishte e ndarë nga burri që prej 4 muajsh dhe rrinte tek nëna e saj. Jetonte me të ëmën dhe vëllain e saj 10 vjeç. Anisa kishte probleme, pasi kishte nisur t’i ndërhynte i shoqi në punët e familjes së saj. Kjo gjë solli edhe ndarjen.
A mund të na thoni më konkretisht çfarë problemi kishte?
Debatet mes tyre lindën kur babai i Anisës, Aleksandri, dy vite më parë ia dha një ndërtuesi truallin e shtëpisë. Pasi mbaroi ndërtimi, ai mori 4 apartamente dhe një dyqan. Dhëndri i kërkonte pjesën e pasurisë vjehrrit, duke i thënë se gjithçka duhej të ndahej mes tre fëmijëve të çiftit Opingari. Të dy, Aleksandri dhe Anisa, nuk pranuan të bëhej ndarja e pasurisë me pretendimin që i takonte fëmijës së vogël, djalit 10-vjeçar, i cili do të pleqëronte prindërit. Me sa jam në dijeni unë, i ati ia dha një apartament Anisës, por i shoqi që rrinte bashkë me të në Greqi, kërkonte ta shisnin dhe të merrnin paratë.
Ju e kishit takuar mbesën ditët para zhdukjes?
Po, e kisha takuar. Kohët e fundit po vuante, se i shoqi filloi t’i bënte presion. Donte 25 milionë, donte pasuri tek vjehrri i tij. Babai i Anisës vdiq nga ky stres. U sëmur me tumor dhe ka 40 ditë sot (dje) që ka vdekur.
Sa fëmijë kishte mbesa juaj?
Kishte dy djem, 3 dhe 5 vjeç. I kishte çuar tek gjyshërit nga ana e babait në Berat, pasi nuk kishte mundësi t’i mbante vetë.
I nisi vetë ajo fëmijët apo e kërcënonin dhe ia morën?
Jo, jo i nisi vetë. Nuk kishte mundësi t’i mbante këto kohë pasi nisi punë si shitëse në një dyqan këtu. Ishte në stres nga kërcënimet e të shoqit. Ai i kërkonte 25 milionë lekë me ngulm gruas. E thoshte se tek pasuria e babait ka pjesë edhe vajza.
Ku kanë jetuar përpara se të ndaheshin?
Në Greqi. Që atje nisi përçarja mes tyre, derisa Anisa u kthye.
A keni ndonjë person të dyshuar për autorësinë?
Ne kapëm diçka në faqen e Facebookut të saj, një emër si L. Sinaj. Kishte edhe 14 shokë (friendsa) të tjerë ajo, por ky na dilte më shpesh në komente. Madje, për të ajo kishte thënë edhe ndonjë fjalë tek gratë tona, pra që ishte lidhur. Ajo kishte treguar se ai ishte biznesmen me profesion inxhinier. Kaq dimë.
Mendoni se mund të ketë qenë me të këto ditë?
Nuk e dimë, por kam një dyshim që ia thashë edhe policisë së Lezhës. Ajo ishte larguar nga shtëpia duke thënë se do të shkonte të shihte fëmijët në Berat.
Keni informacion, ka shkuar tek fëmijët?
Jo, nuk dimë asgjë se ku ka shkuar. E pritëm me ditë të tëra, derisa unë vajta dhe bëra denoncimin për zhdukjen e saj. Nuk di ç’të them… Është shumë e rëndë. Të gjendet autori nga policia, ose ne do interesohemi vetë pastaj dhe do të bëjmë vetëgjyqësi. m.r/r.n
20 here
është goditur me thikë në të gjithë trupin 25-vjeçarja Anisa Opingari. Ajo ishte goditur brutalisht me mjetin prerës, madje ishte prerë edhe në fyt. Trupi i saj u gjet një javë pas krimit
Të afërmit: U divorcua katër muaj më parë, kishin konflikte
Të afërmit e Anisa Opingarit pohuan dje se ajo ishte ndarë katër muaj më parë nga bashkëshorti me origjinë nga Berati. Ajo kishte shkuar në Greqi bashkë me të pesë vite më parë, por konfliktet që kishin lindur atje e detyruan nënën e dy fëmijëve të mitur të rikthehej tek banesa e prindërve të saj. Dy djemtë e çiftit, 3 dhe 5-vjeç, jetonin me familjarët e babait të tyre në Berat, ndërsa babai i tyre vijon të jetojë në Greqi. Burime të Policisë bënë të ditur se janë duke hetuar dhe verifikuar në sistemin TIMS për një ardhje të mundshme të tij nga shteti helen. Kjo, pasi për hetimin e kësaj ngjarjeje të rëndë nuk përjashtohen të gjitha pistat e mundshme. Sipas të afërmve, disa ditë më parë ajo kishte udhëtuar për në Berat për të takuar fëmijët që jetonin me familjarët e ish-bashkëshortit të saj. Blutë nuk konfirmuan nëse ajo ka mbërritur në Berat apo nëse destinacioni i saj ka qenë vetëm Lezha. Më 11 korrik, daja i saj është paraqitur në policinë e Fierit, ku edhe ka kryer denoncimin për zhdukjen e saj.
Ankesa për fëmijët
Anisa Opingari kishte dy fëmijë, 3 dhe 5 vjeç. Pas ndarjes me të shoqin, me të cilin ajo nuk kishte kryer një martesë ligjore, ishte kthyer në Fier. Pak muaj më parë ishte punësuar si shitëse në një dyqan, por për shkak se nuk kishte mundësi t’i mbante momentalisht fëmijët, i kishte dërguar tek ish-vjehrra e saj në Berat. Burime të Policisë së këtij qarku bënë të ditur se familjarët e ish-bashkëshortit të saj shkuan dhe u ankuan në komunën ku jetonin, pasi sipas tyre, nusja që ishte ndarë nga i biri u kishte lënë fëmijët dhe më pas ishte zhdukur, duke mos u kthyer më.
Anisa, viktima e dytë në familje brenda 40 ditësh

Anisa Opingari u përcoll dje për në banesën e fundit, mes dhimbjes dhe misterit për vdekjen e saj tragjike. Qindra të afërm morën pjesë në ceremoninë mortore, duke nxjerrë nga banesa e familjes Opingari arkivolin e dytë brenda 40 ditëve. Babai i viktimës, Aleksandër Opingari, kishte ndërruar jetë pas një sëmundjeje të rëndë dhe të pashërueshme. “40 ditë më parë e nxorëm një arkivol. Tani na ndodhi një tjetër tragjedi. Kjo është e rëndë, nuk dimë ç’të themi. Shteti të gjejë autorin dhe t’i japë atij dënimin e merituar”, u shpreh një i afërm i 25-vjeçares. Trupi i saj u varros në varrezat e qytetit, ndërsa ngjarja vijon të mbetet mjaft e mistershme. Trupi i viktimës u zbulua një javë pasi ishte masakruar, në gjendje të dekompozuar, në një pyll në afërsi të plazhit të Shëngjinit.
© Panorama.al











