
Avokati i Popullit, Igli Totozani do të çojë në ndjekje penale shefin e komisariatit të Pukës, për rolin që policia ka luajtur në tragjedinë e 29 qershorit në fshatin Mardhnac të komunës Qelëz në Pukë, ku një familje e tërë u masakrua në pritë.
Konkluzionet e hetimit administrativ lidhur me shkaqet që sollën tragjedine ne Puke.
Pjestarët e familjes së viktimave në datën 26.05.2012 kishin njoftuar në telefon Komisariatin e Policisë Pukë lidhur me veprat penale të vrasjes së mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim nga tre pjestarë të familjes tjetër në konflikt, si dhe për mbajtje pa leje të armëve luftarake të kryera ndaj dy familjarëve të tyre.
Policia megjithëse mori njoftimin për këto vepra penale nuk mori asnjë masë për ndjekjen ligjore të tyre. Në datën 28.05.2012 një nga kallëzuesit ka shkuar në Komisariatin e Policisë Pukë dhe ka bërë kallëzimin e tij me shkrim.
Për këto vepra penale ka marrë dijeni Shefi i Komisariatit, inspektori i policisë së zonës e të tjerë. Mirëpo edhe pas bërjes me shkrim të kallëzimit, nga ana e punonjësve të policisë nuk u bë referimi i veprave penale pranë organit të Prokurorisë dhe nuk u mor asnjë masë organizative për ndjekjen e këtij kallëzimi konform dispozitave procedurale e ligjore dhe për parandalimin e ndonjë vepre tjetër penale.
Në kundërshtim me nenet 284 e 285 të Kodit të Procedurës Penale ata i mbajtën madje kallëzuesit një procesverbal për heqjen dorë nga kallëzimi.
Nga ana jonë u provua plotësisht se qëndrimi i punonjësve të Komisariatit të Policisë Pukë, duke filluar nga Shefi i Komisariatit dhe punonjësit e tjerë është i kundërligjshëm. Ky qëndrim – duke e fshehur kallëzimin e bërë nga pjestarët e familjes së viktimave për dy vepra penale të rënda dhe reagimet e tyre për t’i “zgjidhur” problemet me mënyra e mjete të kundërligjshme, – sikurse është bërë në këtë rast, – dhe njëkohësisht duke moskryer detyrimet e ngarkuara me ligj, ka sjellë pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin e disa shtetasve, madje nisur nga rrethanat, gjykojmë se kjo ngjarje mbart edhe rrezikun që vrasja të shndrrohet në seri vrasjesh për gjakmarrje ndërmjet dy familjeve, siç edhe ka ndodhur në raste të kësaj natyre.
Ne deklaraten e AP-se, thuhet gjithashtu se kjo ngjarje ka cënuar edhe imazhin e Policisë së Shtetit.
Qëndrimet e punonjësve të policisë R.B., L.L. etj, duke kryer dhe njëkohësisht moskryer me dashje disa veprime lidhur me këtë kallëzim, janë në kundërshtim me aktet ligjore dhe përbëjnë mos përmbushje të rregullt të detyrës që i’u është ngarkuar, – njëri si drejtues i Komisariatit të Policisë dhe të tjerët (duke përfshirë edhe atë vetë) si oficerë të policisë gjyqësore. Këto veprime dhe mosveprime të tyre u kanë sjellë pasoja të rënda interesave të ligjshme të shtetasve. Me veprimet dhe mosveprimet e tyre ata kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 248 e 25 të Kodit Penal.
Rekomandimet e AP-se
1. Drejtuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pukë, të cilës i ka rekomanduar:
– Fillimin e ndjekjes penale në ngarkim të punonjësve të Komisariatit të Policisë Pukë R.B., L.L. etj, për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 248 e 25 të Kodit Penal.
– T’i kërkohet Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pukë marrja e masës ndaluese të parashikuar nga neni 240/1/a i Kodit të Procedurës Penale “pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, duke i pezulluar nga detyra Shefin e Komisariatit të Policisë Pukë dhe oficerin e policisë gjyqësore deri sa të përfundojnë hetimet. Kjo masë të kërkohet me arsyetimin, se duke qenë në detyrë, njëri drejtues i këtij komisariati dhe tjetri oficer i policisë gjyqësore, ekziston rreziku që të zhdukin provat e fajësisë së tyre.
2. Komisariatit të Policisë Pukë, të cilit i ka rekomanduar që t’i referojë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pukë veprat penale të kallëzuara nga shtetasi me inicialet F.M. në datën 28.05.2012.
3. Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, të cilit i ka rekomanduar:
– Të merren të gjitha masat e nevojshme për kapjen sa më shpejt të bashkëautorëve të tjerë të dyshuar të kësaj ngjarjeje, të cilët duke qenë të lirë dhe të armatosur vazhdojnë të përbëjnë rrezik për rendin dhe sigurinë
– Analizimin me objektivitet, me transparencë dhe luajalitet të shkaqeve që çuan në ndodhjen e masakrës në fshatin Qelëz të rrethit Pukë në datën 29.06.2012 dhe nxjerrjen e përgjegjësive administrative.
– Fillimin e ecurisë disiplinore ndaj punonjësve të policisë që kanë bërë shkelje ligjore, por që nuk kanë përgjegjësi penale.
– Përgjithësimin e këtij rasti në të gjitha organet e Policisë së Shtetit, me qëllim që ngjarje të tilla, të mosreferimit të veprave penale në organin e Prokurorisë dhe të mosndjekjes konform ligjit të kallëzimeve të marra nga shtetasit të mos përsëriten në të ardhmen.
Ngjarja
Përfundon me masakër konflikti i vjetër për një kanal vaditës mes dy fiseve në fshatin Mardhnac të komunës Qelëz në Pukë.
Dy vëllezër u vranë në pritë dhe tre familjarë të tyre u plagosën ndërsa po ktheheshin nga një festë fetare. Hil dhe Paulin Markaj, 58 dhe 45 vjeç, u ekzekutuan me breshëri automatikësh nga të paktën 4 persona, të cilët lanë të lënduar dhe nipin e viktimave dy gratë e tyre.
Policia arrestoi të plagosur njërin prej autorëve të dyshuar dhe kushëririn e tij, Bardhok dhe Seferin Përmarkajn, ndërsa po kërkon bashkëpunëtorët. Sipas Policisë, një prej viktimave ka shkëmbyer zjarr për pak sekonda me autorët, derisa mbeti pa jetë.
Konflikti
Rreth 7 vjet më parë ka nisur konflikti për vijën e ujit mes dy fiseve. Nisur nga fakti se zona është me thatësirë, ata janë përplasur mes tyre për shfrytëzimin e kanalit për vaditjen e tokave. Sipas Policisë, prej asaj kohe dy palët janë rrahur disa herë mes tyre, por pas shoqërimeve ata janë lënë të lirë me pretendimin se nuk do të përsëriteshin më. Në të vërtetëtë përplasjet kanë vazhduar, derisa rasti më i fundit ishte në Kamzë dy javë më parë, kur u rrahën mes tyre kushërinjtë e dy fiseve, Markaj dhe Përmakaj.











