Masakra në Mat, në pranga 3 vëllezër: Vramë për hakmarrje

Aug 16, 2011 | 10:59
Shtëpia e viktimave në fshatin Frankth

Tre vëllezër arrestohen për vrasjen e trefishtë në fshatin Frankth të Matit.Ata janë kushërinj me viktimat, por nuk kanë ngurruar të qëllojnë me automatik ndaj tyre, duke i marrë jetën burrit, gruas dhe djalit të tyre. Nga burime të Policisë pohohet se autorët e kanë pranuar krimin duke thënë se e kanë kryer për hakmarrje, pasi e akuzojnë Shaqir Barçin si vrasës të gjyshit.
Aksioni

Shtëpia e autorëve të krimit

Efektivë të policisë që kanë marrë pjesë në operacionin për kapjen e tre autorëve pohuan se sapo kanë marrë lajmin e rëndë, janë nisur drejt fshatit Frankth. Madje, në ndihmë atyre kanë shkuar edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë që ndodhen në qytetin e Bulqizës për të parandaluar bllokimin e rrugës nacionale nga minatorët. “Rreth orës 21:00, në sallën operative ka mbërritur një telefonatë anonime, e cila ka thënë shkurt: “Në Frankth është bërë nami, janë vrarë pesë persona”. Kaq ka mjaftuar që shefi i Komisariatit të Burrelit, Xhovalin Martincamaj, nëndrejtori i Policisë së Dibrës, Gazmir Lika dhe shefi i Krimeve, Sami Neli, të nisin operacionin për kapjen e autorëve dhe parandalimin e ngjarjeve të tjera”, sqaruan burime policore. Fillimisht është ndërtuar skema e operacionit. Janë bllokuar me efektivë policie pesë rrugëdalje nga fshati Frankth, rrugët në drejtim të Klosit, Zenishtit, Qafë-Buallit, Qafë-Shtamës dhe Komsisë. Shumë shpejt në vendin e ngjarjes kanë mbërritur edhe efektivat e FNSH-së, të cilët fillimisht kanë marrë në mbrojtje familjen e autorëve që ishin ngjitur në mal dhe më pas kanë nisur kërkimet për kapjen e tyre. Burime të sigurta informacioni thanë se fillimisht është negociuar me autorët që ata të dorëzoheshin. “Deri në orën 02:00 të ditës së djeshme tre djemtë e dyshuar si autorë të krimit makabër nuk kanë pranuar të dorëzohen. Pastaj u bindën se nuk kishin rrugë tjetër. Pas dorëzimit në polici ata kanë treguar se ata ishin autorë të krimit dhe se e kishin kryer për shkak të vrasjes vite më parë të gjyshit të tyre, Islam Barçi”, thanë efektivë të policisë. Pa u kthyer ende nga vendi i ngjarjes, Policia e qarkut Dibër njoftoi nëpërmjet zëdhënësit të saj se ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Arrestimi i hekurt”. Paulin Çera, zëdhënës i Drejtorisë së Policisë, tha se “efektivat e kësaj drejtorie, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Mat, si dhe me një grup të FNSH-së, kanë arrestuar shtetasit: Dashnor Barçi, 35 vjeç, Durim Barçi, 25 vjeç dhe Valter Barçi, 22 vjeç, që të tre banues ne fshatin Frankth të komunës Komsi. Arrestimi u bë pasi për motive të dobëta, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi kanë shkuar në banesën e shtetasit Shaqir Barçi, kanë qëlluar me armë automatik duke lënë të vdekur tre nga pjesëtarët e familjes, e konkretisht shtetasit: Shaqir Barçi, 58 vjeç, Hamide Barçi, 56 vjeçe dhe djali i tyre, Ylber Barçi, 30 vjeç. Po ashtu, nga kjo ngjarje kanë mbetur të plagosur edhe dy pjesëtarë të tjerë të familjes: Gazmir Barçi, 35 vjeç dhe Halit Barçi, 23 vjeç, të cilët janë dërguar në Spitalin Ushtarak Tiranë dhe janë jashtë rrezikut për jetën”.
Rrëfimi i autorëve

Vendi ku u ekzekutuan 3 anëtarët e familjes Barçi

Burime pranë grupit hetimor të ngritur menjëherë pas ngjarjes së rëndë thanë se ngjarja nuk është shkaktuar për motive pronësie, por se vetë autorët e arrestuar kanë deklaruar se vrasjet i kanë kryer sepse në vitin 1998, Shaqir Barçi u ka vrarë gjyshin, madje e ka fshehur në pyll që të mos gjendej më. “I vramë pjesëtarët e familjes Barçi sepse edhe pas vrasjes së gjyshit na fyenin e kërcënonin vazhdimisht. Disa herë kishim kërkuar të rrinte në punën e vet, por edhe natën e fundit jemi ndjerë të fyer rëndë nga Shaqiri. Ai qëlloi i pari ndaj nesh dhe ne iu kundërpërgjigjëm atij. Fillimisht është vrarë Shaqir Barçi, pastaj automatikun e ka marrë e shoqja dhe kemi qëlluar mbi të sepse kishim frikë se do të na vriste, pastaj kemi qëlluar mbi djemtë e Shaqirit”, kanë deklaruar Dashamir, Valter e Durim Barçi. Po sipas tyre, në vitin 1998, në rrethana misterioze, është vrarë gjyshi i tyre, Islam Barçi. “Policia arrestoi atëherë Shaqir Barçin, Fatos Hoshin dhe Ylmi Barçin. Dy adoleshentët u dënuan me nga 6 e 8 vjet burg, ndërsa Shaqiri pas 9 muajsh doli i pafajshëm nga Gjykata e Burrelit. Familjet e dy të rinjve herë pas here janë shprehur se autor i krimit ishte Shaqiri dhe jo dy fëmijët. Ne nuk mund ta harronim vrasjen e gjyshit tonë”, kanë vijuar tregimin e tyre autorët e ngjarjes.
Banorët
Banorë të fshatit tregojnë se ka të paktën 30 vjet që dy familjet, megjithëse të afërta me njëra-tjetrën, nuk kanë pasur hyrje-dalje. Ndërkohë ato janë acaruar akoma më shumë pas vrasjes së Islam Barçit, pasi ai jo vetëm u vra e fsheh në pyll, por u kryen edhe veprime jonjerëzore pranë trupit të viktimës të mbuluar me gjethe dushku në pyll. “Ja sa afër janë dy familjet me njëra-tjetrën, vetëm 150-200 metra. Thuhet se 13 vjet më parë u krye vrasja e Islam Barçit pas sherreve të shumta për çështje pronësie. Gjykata dënoi dy të rinj si autorë të krimit, ndërkohë familja e Islam Barçit hidhte dyshime të forta se autori kryesor i ngjarjes ishte Shaqir Barçi. Po sipas banorëve, mesnatën e një nate më parë, me gjithë praninë e madhe të policisë lokale dhe FNSH-së, familja e Hajredin Barçit, e babait të tre autorëve të krimit, është transferuar nga banesa dhe askush nuk mund të thotë ku është sistemuar ajo. “Autorët janë munduar ta shuajnë familjen e Shaqir Barçit, përderisa në vendin e ngjarjes janë gjetur 28 gëzhoja fishekësh”, pohuan për “Panoramën” banorë të fshatit kodrinor, të cilët rreken të jenë të paanshëm kur tregojnë ngjarjen e pazakontë.

Nipi i Shaqir Barçit: Daja u betua në kanun se nuk ishte fajtor

Për të udhëtuar drejt fshatit të tragjedisë ka dy rrugë. Mund të udhëtosh nga Burreli drejt fshatit Dom dhe ngjitur me të ndodhen shtëpitë e fisit Barçi, të cilët një natë më parë u përfshinë nga një konflikt i pazakontë. Ndërsa rruga tjetër është ajo Burrel-Komsi-Frankth. Para nisjes drejt Frankthit, banorë të zonës na thonë se nuk ishte mirë të mbërrinim atje, ndërkohë zyrtarë të policisë lokale shprehen se gjithçka është siguruar dhe se nuk do të kishte asnjë problem. Rruga nga ura e Domit deri në Frankth është tejet e dëmtuar. Njerëz të shumtë udhëtojnë drejt shtëpisë së mortit. Disa gra e nisin vajin me vargje pa mbërritur në banesën e Shaqir Barçit, ndërsa të tjera nuk mbahen kur shohin tre arkivole në oborrin e familjes Barçi. Afro 100 metra larg shtëpisë njëri nga nipat e kësaj familjeje na pret me shumë mirësjellje dhe na tregon se situata te dajat e tij është mjaft e rëndë. “Janë tre arkivole pranë njëri-tjetrit. Është ngjarja më e rëndë që ka ndodhur në anët tona. Njerëzve të afërm të viktimave u bie të fikët herë pas here. Daja kishte 4 djem dhe një vajzë. Djalin e madh, baba të dy fëmijëve e vranë, dy të tjerë luftojnë me vdekjen, ndërkohë pret e përcjell njerëz vëllai i vogël”, shprehet nipi, efektiv i policisë së Burrelit. Rrëfimi i tij është rrëqethës. Na tregon vendin e ngjarjes. Ai ngjan me një fushë beteje. Njollat e gjakut dhe heqja e barit dallohet qartë. Nipi i familjes së tre viktimave e tregon ngjarjen ndryshe nga policia lokale. Ai thotë se vrasja e dajës, nuses së dajës dhe djalit të tyre ka qenë e paramenduar. “Mbrëmjen e ngjarjes daja i ka nxjerrë dorën furgonit që posedonin kushërinjtë e tij, djemtë e Hajredin Barçit. Ata nuk e kanë larguar mjetin, por disa metra më tej i kanë dalë përpara dhe e kanë qëlluar. Këtu kanë mbërritur familjarë të të dyja palëve. Fillimisht janë përleshur me njëri-tjetrin. Pastaj Dashamir, Valter e Durim Barçi kanë qëlluar mbi Shaqirin, Hamiden, Ylberin, Gazmirin dhe Halitin. Tre të parët kanë mbetur të vdekur në vend, ndërsa dy djemtë e vegjël janë dërguar gjallë në spitalin e Burrelit”, tregon nipi i familjes Barçi, të cilit nuk i shqiten lotët nga sytë. Nisur nga dyshimet për vrasje për hakmarrje ai thotë se palët kanë qenë të sqaruara mes tyre. Sipas tij, me kanun daja i tij, Shaqir Barçi ka pranuar se nuk ka gisht në vrasjen e gjyshit të 3 djemve e më pas edhe gjykata ka shpallur pafajësinë e tij. Fare pranë vendit të ngjarjes është një parcelë me misër, e cila me sa kuptohet është shfrytëzuar për të qëlluar mbi pesë pjesëtarët e familjes Barçi.

© Panorama.al

Te lidhura