
KORÇE – Gjykata e Korçës dënoi dje me 25 vjet burg autorin e vrasjes së dy të rinjve në lagjen “Radanec”, si dhe nga 8 muaj heqje lirie për katër të pandehur të tjerë që përkrahën autorin e vrasjes së dyfishtë. Erjon Mukadezi, 37-vjecari nga fshati Porodinë, ka marrë dënimin me 25 vjet burg, duke u shpëtuar burgimit të përjetshëm që kishte kërkuar në konkluzionet e saj Prokuroria. Mukadezi, i dënuar edhe më parë për vrasjen e një polici në Greqi, përfitoi ulje dënimi pasi gjykata pranoi kërkesën e tij për gjykim të shkurtuar. Autori i vrasjes së dy të rinjve korçarë, Mikel Tepexhiku dhe Kastriot Hysi, katër muaj më parë, në lagjen periferike të Korçës, gjatë seancës së fundit gjyqësore ka marrë përsipër të gjithë përgjegjësinë e krimit duke dashur t’i lehtësojë katër të pandehurit e tjerë që bashkëpunuan me të gjatë dhe pas kryerjes së krimit. Prokuroria kërkoi një seancë më parë dënimin me nga një vit e gjysmë heqje lirie për të pandehurit Irfan dhe Ervis Mukollari, Fatjon Dinkollari dhe Bashkim Latollari, por gjykata i ka dënuar ata me nga 8 muaj burg për përkrahje të autorit të vrasjeve duke e ndihmuar atë me transportin deri në lokalin ku u krye krimi. Autori i dy vrasjeve u ka kërkuar falje edhe të afërmve të viktimave. Ai u ka dërguar atyre nga një letër, ku është përpjekur të shfajësohet e njëkohësisht të pranojnë faljen nga ana e tyre për tragjeditë që u shkaktoi. g.a











