Masakra e Pukës, rrethohet Gjykata e Spitali Ushtarak

Jul 3, 2012 | 14:55
Mikrobusi ku ndodhej familja Markaj që u qëllua në Pukë

Masakra e Pukës lë në burg pa afat dy kushërinjtë Përma-rkaj, të akuzuar për vrasjen e vëllezërve Paulin dhe Hil Markaj.
Seancat e sigurisë për të njëjtën vepër penale janë zhvilluar në dy rrethe të ndryshme. Për Bardhok Përmarkajn, 40 vjeç, masa e sigurisë është zhvilluar në ambientet e Spitalit Ushtarak, ku ai ndodhet prej së premtes, kur mbeti dhe vetë i plagosur nga shkëmbimi i zjarrit. Ndërsa për Severin Përmarkajn, 33 vjeç, gjyqi u zhvillua në Gjykatën e Pukës. Ata akuzohen se në bashkëpunim dhe me dy të tjerë ekzekutuan në fshatin Mardhnac të Pukës mëngjesin e 29 qershorit dy persona dhe plagosën 3 familjarët e tyre. Për Bardhok Përmarkajn seanca ka qenë e përshpejtuar, nisur nga rrethanat ku ndodhet. Gjatë kësaj seance ai ka pranuar se mban përgjegjësi vetëm për vrasjen e Paulin Markajt, ndërsa ka deklaruar se nuk e ka idenë se kush mund të ketë qëlluar mbi vëllanë e Paulinit, Hilën, viktima e dytë e pritës që iu ngrit atyre. Për përfaqësuesin e akuzës, pranimi i vrasjes së Paulin Markajt është provë më se e pranueshme që ndaj 40-vjeçarit të kërkohej burg pa afat, masë që u pranua nga gjyqtari. Po dje, në Gjykatën e Pukës, në një seancë të zhvilluar me masa të forta sigurie, u zhvillua gjyqi për të arrestuarin e dytë për ngjarjen. Bashkë me forca të rendit të qytetit, godina ishte e rrethuar dhe nga efektiva të FNSH-së së Shkodrës, për shkak të konfliktit mes dy fiseve. Burime të Gjykatës bëjnë të ditur se i pandehuri Severin Përmarkaj e ka mohuar që ai të ketë marrë pjesë në pritën e organizuar ndaj kushërinjve të fisit Markaj. “Unë jam arrestuar kot. Nuk kam asnjë lidhje me ngjarjen”, mësohet të ketë pohuar gjatë seancës së djeshme në ngarkim të tij Severin Përmarkaj. “Unë nuk kam qenë fare te vendi i ngjarjes. Policia më ka arrestuar pa asnjë provë”, ka deklaruar i arrestuari. Por, nga ana tjetër, Prokuroria ka bërë të njohura dje se ka prova që tregojnë që jo vetëm i akuzuari ka dijeni për ngjarjen, por dhe ka qenë pjesëmarrës direkt në pritën ndaj familjes Markaj. “Transkriptimet e zbardhjes së bisedave telefonike janë në një dosje të vënë në dispozicion gjykatës për të përcaktuar shkallen e implikimit të Severin Përmarkajt në këtë ngjarje”, pohoi prokurori. Dhe për të është kërkuar masa e sigurisë burg pa afat, çka u vendos edhe nga trupi gjykues.

Në kërkim
Burime nga Policia e Shkodrës bëjnë me dije se në lidhje me këtë ngjarje, krahas dy të arrestuarve të parë, Bardhok dhe Severin Përmarkaj, janë në kërkim dhe dy të tjerë. Bëhet fjalë për kushërinjtë e të arrestuarve, të dyshuar se kanë marrë pjesë në ekzekutimin e dy vëllezërve Markaj dhe plagosjen e tre personave të tjerë.

Krimi
Mëngjesin e së premtes që kaloi, anëtarë të fisit Përmarkaj i zunë pritë autobusit që drejtohej nga Paulin Markaj, duke vrarë atë dhe të vëllain, Hilën. Ata po ktheheshin nga një festë fetare në Pukë. Sipas Policisë, dy fiset kishin qenë në konflikt për një vijë uji në fshatin e tyre, por pa arritur ta zgjidhnin mosmarrëveshjen.

PUKE/ RITVAN DIBRA

© Panorama.al

Te lidhura