
Ish-shefi i Komisariatit të Policisë Pukë, Ridvan Bushati, shpallet i pafajshëm nga Gjykata e Apelit në Shkodër nga përgjegjësia për masakrën e Pukës, ku humbën jetën në pritë dy kushërinj. Në këtë mënyrë ai ka fituar të drejtën e rikthimit në detyrë, nga e cila ishte shkarkuar prej 30 korrikut të këtij viti, me vendim të Gjykatës së Pukës.
Në Apel çështja u gjykua nga treshja e gjyqtarëve Fuat Vjerdha, kryetar dhe Astrit Kalaja e Luan Dervishi anëtarë, të cilët pasi shqyrtuan të gjitha materialet, dhanë vendimin pro me 3 vota për pafajësinë e ish-shefit të Komisariatit të Pukës. Në fuqi është lënë vendimi ndaj oficerëve të tjerë të këtij Komisariati, Lulzim Latifi, Kol Zaja dhe Qetësor Gurra. Gjykata e Pukës, pas një kallëzimi të bërë nga Avokati i Popullit dhe të përfaqësuar nga Prokuroria e këtij rrethi, në vendimin e saj të datës 30 korrik, vendosi masën e pezullimit paraprak nga detyra ndaj Bushatit dhe 3 efektivave të tjerë. Ndaj tyre kishte filluar procedimi penal nga Prokuroria e Pukës, duke i akuzuar për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Tashmë ky vendim i Gjykatës së Apelit shkon direkt në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe më pas është drejtori i Përgjithshëm, Hysni Burgaj, që do të vendosë për rikthimin e Ridvan Bushatit në një detyrë të caktuar.
E gjithë çështja e ka zanafillën te tragjedia në fshatin Mardhnac të Pukës, në fund të qershorit të këtij viti, ku pjesëtarë të fisit Permarkaj ekzekutuan në pritë 58-vjeçarin Hil Markaj, vëllain e tij 45-vjeçar, Paulin Markaj, ndërsa mbetën të plagosur rëndë bashkëshortet e tyre, Tone dhe Anxha Markaj, si dhe nipi i dy viktimave. Drejtuesit e Komisariatit të Pukës u paditën nga Avokati i Popullit, i cili mori në shqyrtim një rast të tillë dhe i akuzoi uniformat blu se kishin pasur dijeni për marrëdhëniet e acaruara mes familjeve Permarkaj dhe Markaj, megjithatë nuk kishin ndërhyrë, duke lënë për pasojë 2 viktima dhe tre të plagosur. Nga verifikimet u bllokua çështja dhe Prokuroria nisi hetimet, duke përfshirë nën përgjegjësi dhe drejtuesit dhe oficerët e Policisë që duhet të merreshin me të. Nga ana e Gjykatës së Apelit së Shkodrës, ish-shefi i Policisë së Pukës nuk është përgjegjës për rastin, duke e lënë hetimin vetëm për 3 oficerët e tjerë, të pezulluar tashmë. r.d











