
SHKODER- Pak më shumë se një muaj më parë Gjykata e Pukës vendosi pezullim nga detyra për shefin e Policisë së Pukës dhe dy vartësit e tij, në lidhje me ngjarjen e 29 qershorit, ku u vranë 2 persona dhe u plagosen 3 të tjerë, të gjithë anëtarë të së njëjtës familje. Sot Gjykata e Apelit në Shkodër ka shfuqizuar vendimin e dhënë nga Gjykata e Pukës, ndërsa ka vendosur rikthimin në punë të shefit të Policisë së Pukës.
Fillimisht ka qenë Avokati i Popullit, i cili i akuzoi drejtuesit e Komisariatit të Pukës për mosndërhyrje në konflikt, gjë që do të shmangte sipas tij ngjarjen e rëndë, ndërkohë që këtë kërkesë 3 efektivët e policisë e kanë quajtur të njëanshme.
Tashmë do të jetë Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit që do të zyrtarizojë rikthimin në ë detyrë ose jo të efektivëve të pezulluar përkohësisht.
Ngjarja për të cilën u pezulluan drejtuesit e Policisë së Pukës ndodhi në fund të muajit qershor. Si pasojë e një konflikti mes dy fiseve, situata u rëndua derisa anëtarë të fisit Përmarkaj u zunë pritë vëllezërve Markaj, duke qëlluar për vdekje 2 prej tyre. Pas krimit të dyfishtë, familjarët e viktimave fajësuan Policinë për mosndërhyrje në kohë. Çështja u mor në shqyrtim nga Avokati i Popullit, sipas të cilit punonjësit e Policisë së Pukës nuk morën masa për të parandaluar vrasjen e dyfishtë. Në relacionin e dorëzuar në Prokurorinë e Pukës kërkohej nisja e hetimit për tre drejtuesit e Policisë, të cilët nuk e kishin raportuar fare ngjarjen në organin e akuzës.
© Panorama.al











