Gjykata e Norvegjisë e shpalli Anders Breivikun të shëndoshë mentalisht për vrasjen e 77 personave me armë dhe me bombë vitin e kaluar, duke e dërguar atë në burg për më së paku 21 vjet, pasi refuzoi kërkesën e prokurorisë për ta shpallur të akuzuarin të sëmurë mendor.
Ai akuzohet për terrorizëm dhe vrasje masive. Ai ka pranuar se e ka orkestruar shpërthimin e bombës në Oslo, nga e cila u vranë 8 vetë, dhe pastaj të shtënat e tij, që në shënjestër kishin pjesëmarrësit e një kampi veror në një ishull, që organizohej nga Partia Laburiste në qeveri.
Në të kaluarën ai ka thënë se sulmet ishin protestë kundër politikave imigruese liberale të Norvegjisë dhe ishte e domosdoshme që të parandalohet që Norvegjia të mos mbizotërohet nga myslimanët.
Ai nuk ka shprehur pendese per krimin e kryer. Në deklaratën e tij, Breivik e ka përshkruar veprimin e tij si “sulmin politik më të sofistikuar dhe më spektakular në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore”, dhe theksoi se kështu do të vepronte përsëri.
Gjykata në Oslo e ka shkarkuar njërin nga tre anëtarët e jurisë, për shkak të komenteve të tij në Facebook, se Breiviku e meritonte dënimin me vdekje.
Gjyqtari-porot, Thomas Indreboe, në komentet e tij në ditën pasi ishte bërë masakra, kishte shkruar se “dënimi me vdekje është e vetmja finale korrekte në këtë rast”. Në sistemin juridik në Norvegji nuk ekziston dënimi me vdekje.
© Panorama.al











