Masakra e Korçës, qeveria ndihmon me 300 mijë lekë familjen e Lilianës

Aug 25, 2011 | 13:48
Viktima Liljana Arapi

TIRANE – Masakra e Korçës kthehet dhe një herë në vëmendje, këtë herë të qeverisë shqiptare, e cila do të ndihmojë familjen e viktimës së masakruar mbrëmjen e 11 gushtit në Korçë, Liliana Arapi. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave u vendos që të akordohet një shumë prej 300 mijë lekësh për familjen Arapi, me qëllim mbulimin e shpenzimeve të ceremonisë mortore së viktimës. Ky fond do t’i akordohet prefekturës së Korçës për t’u kaluar më pas në duart e familjarëve të 42-vjeçares Arapi, e vrarë dhe gjymtuar nga i dyshuari i arrestuar tashmë, 84-vjeçari Gaqo Dumka. Sipas vendimit të djeshëm të qeverisë, ky fond do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit dhe për zbatimin e tij ngarkohen ministri i Financave, ministri i Brendshëm dhe prefekti i qarkut të Korçës. Ngjarja e rëndë, e cila tronditi mbarë opinionin publik, u shënua mbrëmjen e 11 gushtit, për t’u zbuluar vetëm të nesërmen, kur pjesë të trupit të gjymtuar të 42-vjeçares u gjetën të hedhura në vendin e grumbullimit të mbeturinave në Korçë. Autori i dyshuar si Gaqo Dumka, plaku me të cilin bashkëjetonte viktima, u arrestua pasi sipas policisë provat të çonin tek ai. Për 6 ditë me radhë, ai ngurroi të tregonte se ku ishte hedhur koka e viktimës. Vetëm pak orë para se të gjendeshin pjesë të saj, familjarët e Liliana Arapit kryen ceremoninë mortore, në qytetin e Bilishtit. Pas kësaj ngjarjeje, ata kanë refuzuar të flasin mbi krimin, duke deklaruar se për ta çdo gjë ka marrë fund me vdekjen e Lilianës.

© Panorama.al

Te lidhura