Masakra e Korçës, policia, tri pista hetimi për kokën

Aug 17, 2011 | 11:12
Shtëpia e Gaqo Dumkës, ku policia po kërkon për të gjetur kokën e viktimës

Policia e Korçës i është rikthyer skenës së krimit për të kërkuar kokën e viktimës 42-vjeçare, Liljana Arapi.Burime nga Policia bënë të ditur se janë vënë sërish në kërkim për kokën e viktimës brenda banesës së autorit që është edhe vendi ku u krye vrasja e më pas gjymtimi i trupit të gruas. Provat vërtetuan se krimi makabër u krye në brendësi të banesës private në Lagjen Nr. 4 të qytetit ku autori dhe viktima jetonin me qira prej vitesh. Së fundi, pas 5 ditë kërkimesh, policia ka ngritur dyshimin se koka mund të jetë shpërfytyruar dhe më tej fshehur brenda në banesë. Sipas Policisë, grupi hetimor është duke kërkuar në çdo centimetër të oborrit ku jetonte 84-vjeçari, me qëllimin për të gjetur qoftë edhe pjesë të kokës, e cila gjithashtu dyshohet të jetë copëtuar. Kërkimet nuk janë ndalur as në fushën e mbetjeve urbane në afërsi të fshatit Ravonik, ku mesnatën e 11 gushtit u gjet trupi dhe gjymtyrët e 42-vjeçares Arapi. Një tjetër pistë hetimi është edhe ajo e kërkimit në lumenj, të cilët ndodhen në periferi të qytetit të Korçës, pasi dyshohet se i moshuari, pas vrasjes, mund të ketë tentuar ta fshehë kokën për të bërë të pamundur identifikimin e gruas dhe për të penguar hetimet e policisë. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së qarkut bëjnë me dije se të gjitha provat e krimit kanë vërtetuar autorësinë e 84-vjeçarit Gaqo Dumka, si i vetmi person i cili ka vrarë dhe gjymtuar Liliana Arapin. Pavarësisht marrjeve të vazhdueshme në pyetje, Dumka nuk pranon të tregojë se ku e ka fshehur kokën e viktimës, duke u fshehur pas të njëjtit pretekst, që nuk e mban mend. Prej së shtunës, i moshuari qëndron në qelitë e paraburgimit, ku i vetmi familjar që i qëndron pranë dhe shkon për ta vizituar është vajza e tij, Marjana. Prej vitesh i moshuari nuk komunikonte me të afërmit e tij dhe as me djemtë si pasojë e disa konflikteve për pronësinë që kishte pasur me ta. Sipas të dhënave, përplasjet me të dy djemtë e tij kanë nisur 8 vite më parë, pasi të dy ata kanë kërkuar pjesë nga banesa që i moshuari kishte në fshatin turistik të Dardhës. Pas debateve të shumta dhe konflikteve, i moshuari mësohet t’i ketë vënë vetë zjarrin banesës së tij, duke e lënë atë të shkrumbohet dhe është strehuar në një shtëpi në qytetin e Korçës, kundrejt një qiraje të përballueshme. Tre vjet pas zhvendosjes në qytetin e Korçës, i moshuari njihet me Liliana Arapin, e cila, nga bashkëjetuesja u kthye në viktimën e tij. Fillimisht, sipas fqinjëve, ajo shkonte për ta vizituar njëherë në disa kohë, më tej vizitat u shtuan, derisa ata nisën të bashkëjetonin dy vite më parë. Pikërisht në këtë periudhë nisën të dëgjohen edhe grindje mes tyre, derisa Dumka, për shkaqe xhelozie, kreu krimin makabër. Pritet që sot, gjatë masës së sigurisë, të mësohet dhe dëshmia e plotë nga goja e të moshuarit.

Familjarët tërheqin sot trupin e Lilianës

Trupi i gjymtuar i 42-vjeçares Liliana Arapi pritet të tërhiqet sot nga familjarët e saj, të cilët do të organizojnë ceremoninë mortore ende pa u gjetur pjesa e kokës së viktimës së këtij krimi makabër. Pasi është mbajtur në morgun e qytetit me shpresën e gjetjes së kokës, familjarët do të drejtohen pranë atij për ta marrë dhe shoqëruar trupin e Lilianës për në banesën e fundit. Ky veprim është menduar së fundi, ndonëse e ëma e viktimës, Bukurie Arapi, në një intervistë për gazetën, deklaroi se nuk do t’i hapte dyert e mortit pa iu gjetur koka së bijës.

 

KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI

© Panorama.al

Te lidhura