Masakra e Korçës, policia mbyll përfundimisht dosjen

Aug 19, 2011 | 9:44
Gaqo Dumka, i arrestuar nga policia per vrasjen e 42-vjeçares (majtas) viktima Liljana Arapi

Mbyllet dosja e krimit çnjerëzor në Korçë. Policia ndali dje kërkimet për pjesë nga koka e Liliana Arapit, 42-vjeçares së masakruar e gjymtuar një javë më parë.Rrezja e gjerë e kërkimeve, e cila përfshiu zona të ndryshme, duke nisur prej kryqëzimit të Ersekës, zonës së varrezave të qytetit dhe lulishtes së Shetros, tashmë është përmbyllur. Rreth 24 orë pas gjetjes së pjesës së flokëve të 42-vjeçares, policia është vendosur para mundësisë së reduktuar për të gjetur edhe pjesë të tjera. Fillimisht u pretendua nga ana e saj për mundësinë e ndonjë pjese kockore, e cila mund të kishte mbetur pas shqyerjes nga kafshët e egra, por kërkimi rezultoi i kotë pasi në të gjithë zonën nuk u gjet asnjë shenjë nga koka e viktimës. Edhe pse intensiteti i kërkimeve të policisë angazhoi punonjës të shumtë për rreth një javë, të cilët u përqendruan në zonat përreth Lagjes Nr. 4 të qytetit ku u krye krimi, tashmë dosja është gati e mbyllur. Gjetja e pjesës së flokëve ka bërë që nga ana e policisë gjithçka të quhet e mbyllur, ndërsa do të ketë edhe një analizim të pjesës së flokëve, i cili do të kryhet në Tiranë. Krimi makabër që solli ndër mend skenat e filmave horror është zbardhur dhe autori ka pranuar kryerjen e tij. 84-vjeçari Gaqo Dumka tashmë vijon qëndrimin e tij në burgun e sigurisë së lartë në Drenovë, ku sipas informacioneve, është në një gjendje të mirë shëndetësore. Duket se për 84-vjeçarin zbardhja e krimit nuk ka sjellë asnjë shqetësim dhe nuk ka ndikuar aspak në ndryshimin e gjendjes së tij psikologjike. “Vetë autori e pranoi autorësinë e plotë të krimit pasi njëri prej oficerëve tanë arriti të gjejë thesin e shqyer dhe pjesën e flokëve. Për ne të gjitha kërkimet dhe hetimet kanë çuar vetëm te një person, i cili është Gaqo Dumka. U desh që ne të kërkonim për ditë të tëra para se ai të vendosej para përgjegjësisë ligjore për të treguar krimin e tij”, u shpreh dje për gazetën një zyrtar i Policisë së Korçës teksa ka përjashtuar mundësinë e implikimit të personave të tjerë në këtë krim. Ngjarja tronditëse e 11 gushtit tashmë ka një autor, i cili ka pranuar krimin e kryer në mënyrë mizore për motive xhelozie. Gaqo Dumka, 84 vjeç, vrau dhe gjymtoi Liliana Arapin, një 42-vjeçare nga Bilishti, me të cilën kishte një marrëdhënie prej disa vitesh. Pasi e vrau në dhomë ai më tej e copëtoi trupin e saj, i cili u zbulua në fushën e mbetjeve urbane në fshatin Ravonik të Korçës. Policia e Korçës identifikoi kufomën dhe arrestoi të dyshuarin kryesor një ditë pas ngjarjes së rëndë, ndërsa iu desh 6 ditë për të gjetur pjesë të kokës së gruas. Familjarët e Liliana Arapit e tërhoqën trupin e pajetë pa kokë, ndërsa i bënin apel policisë për të mos ndërprerë kërkimet për gjetjen e saj.

I moshuari në burg

“Vijon të jetë i qetë, flet shumë pak, por nuk paraqet asnjë gjë të çuditshme. Ka sjelljen normale të një të moshuari dhe për moshën që ka është mjaft i shëndetshëm. Sjellja e tij nuk tregon as pendim, as ndjenjë faji për atë që akuzohet se ka kryer”. Kështu e përshkruajnë ditën e parë në qeli të të moshuarit burime nga burgu i Drenovës.

 

KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI

© Panorama.al

Te lidhura