
Mbrëmja e së premtes ka qenë një nga më të përgjakshmet në Siri, kur ushtria sulmoi me tanke e bomba popullsinë në qytetin e rezistencës, Homs, duke marrë jetën e të paktën 300 civilëve. Ofensiva e ushtrisë ka nisur rreth orës tetë të mbrëmjes me orën lokale. Sulmi ishte përqendruar në lagjen “Khalidiya”, ku vetëm aty janë regjistruar mbi 130 të vdekur. Rreth 26 ndërtesa janë rrënuar nga bombardimet, ndërkohë që banorët e tyre ishin brenda. Trupat gjatë ditës së djeshme u mblodhën në grupe masive në dy xhami të kësaj lagjeje. Sipas njërit prej grupeve të protestuesve, numri i viktimave mund të ishte rreth 260, por televizioni panarab, “Al Arabya”, flet për 337 të vdekur dhe mbi 1300 të plagosur vetëm në 24 orë. Komuniteti ndërkombëtar nuk po gjen dot gjuhën e përbashkët për Sirinë. Ngjarjet kanë ndodhur vetëm pak orë para takimit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Nju Jork, i cili do të diskutonte mbi rezolutën për masat që duheshin marrë për të penguar dhunë në Siri. Por rezolutës iu vu veto nga Rusia dhe Kina. Sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, e ka akuzuar Moskën se “po pengon që bota të dënojë dhunën”. Ndërsa Presidenti Barak Obama ka dënuar “sulmin e tmerrshëm kundër popullit në Homs, duke i kërkuar Asad të largohet nga pushteti”. Edhe ministri i Jashtëm francez, Alain Juppè, tha se “duke bombarduar Homsin Asad ka bërë një hap tjetër më të madh në barbarizëm”. Kreu i vëzhguesve për respektimin të drejtave të njeriut në Siri, Rami Abdul Rahman, tha se “ky është sulmi më barbar që nga nisja e protestës në marsin e kaluar”. Sipas tij, kjo ishte një masakër e tmerrshme që ushtria ka kryer kundër protestuesve të Asad. Ai i ka bërë thirrje edhe Rusisë që ta dënojë këtë sulm. Ndërkohë, regjimi i Bashar Al Asadit nuk ka marrë asnjë përgjegjësi për sulmin. Madje, ata i kanë quajtur raportimet e vëzhguesve dhe mediave sajesa të televizioneve për të nxitur dhunën. Pas këtij sulmi, mëngjesin e djeshëm shumë ambasada të Sirisë janë sulmuar nga grupe protestuesish në kryeqytete të ndryshme europiane dhe të Lindjes së Mesme.











