TIRANE – Policia Rrugore dhe ajo e Rendit në kryeqytet kanë nisur prej tri ditësh një aksion për parandalimin e aksidenteve rrugore, kryesisht ato që shkaktohen nga motorët. Çiklomotorët janë kthyer në një problem për rrugët urbane të kryeqytetit, sidomos për shkak të numrit të lartë të aksidenteve ku përfshihen. Disa ditë më parë, një 32-vjeçar gjeti vdekjen si pasojë e mungesës së kaskës mbrojtëse, pasi u përplas me një mjet në qendër të Tiranës. Pas këtij aksidenti, Policia ndërmori një plan masash për bllokimin e të gjithë motorëve me mungesë dokumentacioni dhe për drejtuesit e tyre që lëviznin pa kaska mbrojtëse. Gjatë ditëve të fundit, shërbimet e Policisë Rrugore kanë vendosur 3500 gjoba për kundërvajtjet rrugore. Burime nga Policia thanë se vetëm në 3 ditët e fundit janë bllokuar 25 motorë me cilindrat të lartë, të cilët u kapën me shkelje të rregullave në qarkullim dhe me mungesa të theksuara në dokumentacion. Këta të fundit, duke qenë të paidentifikushëm, janë konstatuar se përdoren nga grupet plaçkitëse, por edhe si mjet largimi në krimet e rënda. Sipas burimeve, për mungesë të kaskës mbrojtëse për drejtuesit e motorëve janë vendosur rreth 1200 gjoba, duke e konsideruar si një element të rëndësishëm në parandalimin e humbjes së jetës në aksidente. Ndërsa Policia Rrugore, në vazhdim të masave, ka kryer verifikime të imtësishme edhe në drejtim të automjeteve që kanë mangësi në dokumentacion dhe shkelin rregullat e qarkullimit. Kështu, për mospërdorimin e rripit të sigurimit për automjet, janë vendosur 700 masa administrative me gjobë. Numri mesatar i gjobave për pjesën dërrmuese të kohës në Tiranë është më shumë se 300 çdo ditë. Sipas statistikave zyrtare të Policisë, shumica e gjobave vendosen për mosmbajtje të rripit të sigurimit, tejkalim shpejtësie, qëndrim apo parkim i gabuar dhe drejtim i mjetit nën efektin e pijeve alkoolike. Pak kohë më parë, Policia e Shtetit ka krijuar edhe sistemin e kontrollit të gjobave. Drejtuesit e mjeteve, duke vendosur targën dhe numrin e shasisë, mund të kontrollojnë në faqen zyrtare sa gjoba kanë, në çfarë vlere janë ato dhe llojin e kundërvajtjes.











