Problemet e Tiranës sa vijnë dhe shtohen, mirëpo kjo s’do të thotë që planet e klubit vazhdojnë, ndonëse me ritme tepër të ngadalta. Dihet që një ndër ngërçet që ka kapluar bardheblutë, është edhe mungesa e një trajneri. Me largimin e kroatit Misho Krstieçeviç, janë lakuar mjaft emra që mund ta zëvendësojnë, por për momentin nuk ka asgjë konkrete. Madje,së fundmi është përfolur një tjetër kandidat për pankinën, ndonëse ky emër ka dalë nga burime jo zyrtare. Bëhet fjalë për trajnerin Edi Martini, i cili sezonin e fundit e mbylli në krye të pankinës durrsake. Një trajner punëtor që ka pasur ecuri pozitive si në krye të Vllaznisë, po ashtu edhe në atë të Teutës. Madje, ai në Durrës arriti të ndërtojë një ekip me lojtarë të rinj, që edhe pse me vështirësi, arritën që të siguronin mbijetesën në Superiore. Mirëpo, është edhe një tjetër faktor që e bën një alternativë të mundshme shkodranin, duke qenë se klubit nuk do t’i kushtojë shumë. Duke parë gjendjen financiare, ky mund të jetë një variant. Megjithatë, në listë vazhdojnë të jenë edhe Alban Tafaji, i cili në fakt është më i preferuari i drejtuesve dhe vazhdon të mbetet më i kuotuari për këtë post, megjithatë ende nuk i ka ardhur një ofertë zyrtare nga ana e krerëve të klubit. Dhe një tjetër opsion vazhdon të mbetet trajneri me eksperiencë, Sulejman Starova, të cilit Halili i ka bërë ftesë publike që pas përfundimit të ndeshjes së kupës me Dinamon.
Lista, shtohet presioni i FSHF-së per federimet
Shtohet presioni nga ana e Federatës së Futbollit për listën e federimeve. Data 18 qershor, pra 8 ditë më vonë, drejtuesit më të lartë të skuadrës së Tiranës duhet të dorëzojnë listën e plotë të ekipit që do të jetë pjesëmarrës në kupat e Europës. Dihet që 20 qershori është dita kur pritet të hidhet shorti i këtij kompeticioni, ndaj duhen federimet të bashkangjitura edhe me kontratat e lojtarëve. Mirëpo, klubi nuk ka nisur ende nga rinovimet, që do të thotë se situata e Tiranës bëhet edhe më e pasigurt në prag të Ligës së Europës. E vetmja gjë që shpresohet, është që të zgjidhet një orë e më parë çështja e kryebashkiakut të ri.











