
PRISHTINE- Pas arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, Lëvizja Vetëvendosje nëpërmjet një deklarate për shtyp deklaroi se ditën e hënë, më 27 shkurt, do ta organizojnë një protestë demonstratë paqësore, përmes së cilës, siç kanë thënë, do ta bllokojnë për 4 orë punën e Qeverisë së Kosovës, e cila, sipas VV, “po e pezullon shtetin dhe pavarësinë e Kosovës”.
Duke konsideruar marrëveshjen si mjaft të dëmshme, sipas liderit të VV-së, Albin Kurti, marrëveshja e sotme i “ka hequr vendit tonë nocionin Republikë”, ndërkaq që mospërfshirja e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës në fusnotë “e bën të papranueshme atë, për institucionet e vendit dhe popullin e Kosovës”.
Sipas tij, marrëveshja për fusnotën nuk ka të bëj vetëm me përfaqësimin, por edhe me bashkëpunimin rajonal dhe si rrjedhojë, në këtë formë Republika e Kosovës privatizohet.











