Marrëveshja, Berisha: Serbia pranoi pavarësinë

Feb 24, 2012 | 17:16

Marrëveshja e arritur mes Kosovës dhe Serbisë, bën të mundur përfaqësimin e Kosovës në procesin e integrimit rajonal dhe Europian si shtet dhe vend i pavarur. Nëpërmjet një deklaratë për shtyp, kryeministri Sali Berisha ka vlerësuar marrëveshjen e arritur në Bruksel, duke e konsideruar atë, një akt të një rëndësie të veçantë.

Sipas kryeministrit, vërtet marrëveshja parashikon përdorimin e një fusnote si një kompromis ndërmjet palëve, por pranimi i saj nga pala serbe është pranimi de facto dhe de juro i Kosovës si shtet dhe vend i pavarur.

“E vërteta e pakundërshtueshme është se pas 17 shkurtit të vitit 2008, domethënë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe njohjes së Kosovës si shtet i pavarur nga SHBA, Franca, Britania, Gjermania, Italia, Japonia dhe mbi 90% e vendeve të lira të botës dhe pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, Rezoluta 1244 e OKB-së është thjesht një replikë në arkivën e një kohe që nuk kthehet kurrë më, një letër e vdekur që nuk i besojnë as ata që e citojnë.”- thuhet në deklaratën e kryeministrisë.

© Panorama.al

Te lidhura