Deputeti: Do të respektoj kontratën me votuesit e PD.
“Unë e kritikoj PD pa pasur konflikt me Berishën, drejtuesit e FRD kritikuan kur i hoqën nga postet”
Deputeti i PD, Mark Marku, është i qartë dhe nuk lë asnjë shteg për interpretim kur është fjala nëse do të qëndrojë në PD. “I përkas kulturës së qëndresës, dhe jo asaj të ikjes”, shprehet ai për gazetën “Panorama” një ditë pasi një prej drejtuesve të FRD-së, Biberaj, kishte aluduar se kjo parti ishte në bisedime me Markun. Deputeti i PD-së thotë se do të respektojë kontratën me votuesit e PD-së dhe se nuk e lidh asnjë me atë që quhet “partia e Topit”. Z. Marku, mesazhet tuaja publike për hapje të PD-së dhe rithemelim të saj në funksion të fitores së një mandati të tretë janë komentuar si shenja divorci me PD-në dhe afrim me parti të tjera të spektrit të djathtë. A keni ndonjë plan për t’u larguar nga PD-ja dhe për t’iu bashkuar një projekti të ri politik nëse idetë tuaja nuk do të pranohen nga lidershipi i PD-së?
E kam thënë më se një herë se nuk kam ndër mend të largohem nga PD-ja dhe nuk kam asnjë arsye për ta bërë një gjë të tillë. Qëndrimi im kritik duhet kuptuar pikërisht si shenjë e seriozitetit të marrëdhënies sime me PD-në. Ky qëndrim kritik shpreh shqetësimin dhe angazhimin që PD të jetë një parti moderne e njëherësh konkurruese në zgjedhjet e ardhshme. Analiza kritike e problemeve të krijuara gjatë dy mandateve qeverisëse synon që pushteti i saj t’u shërbejë më shumë qytetarëve. Qëndrimi im nuk është provokim për t’u larguar, por një mënyrë për t’i kontribuuar debatit të brendshëm në PD, gjë që mendoj se në këtë fazë është më i domosdoshëm se kurrë. Unë nuk pres që idetë e mia të shndërrohen në platformë të PD-së, pasi i njoh dhe i respektoj parimet demokratike të një force politike. I analizoj problemet dhe nuk i fsheh ato, i shpall publikisht idetë e mia, dhe kjo është mënyra se si unë e konceptoj aktivitetin politik e publik brenda dhe jashtë PD-së. Nuk u druhem të tjerëve, nuk i paragjykoj, nuk kushtëzohem prej tyre në asgjë, por ama as i kushtëzoj ata në asgjë. Pra qëndroj, dhe qëndroj duke qenë në harmoni me veten. Nëse dikush nuk e kupton këtë, ky nuk është faji im. Ish-deputet i PD-së, Aleksandër Biberaj, sot një prej drejtuesve të FRD-së, ose asaj që quhet “partia e Topit”, pasi vlerëson kritikat tuaja, aludon se është në bisedime me ju për t’ju afruar në FRD. A jeni ju në bisedime me këtë forcë politike për t’iu bashkuar asaj?
Zoti Biberaj nuk thotë të vërtetën, pasi kurrë nuk kam biseduar me njeri për përfshirjen time në partinë e Topit, për faktin e thjeshtë se as më ka shkuar në mendje një gjë e tillë. Në ndryshim nga pjesa më e madhe e atyre që janë aktivizuar në këtë parti, unë po e kritikoj PD-në pa pasur ndonjë konflikt me Berishën apo me ndonjë drejtues të strukturave të PD-së, ndërkohë që të tjerët e kanë kritikuar PD-në dhe zotin Berisha pasi janë hequr nga postet, ose pasi është krijuar një çarje mes tyre dhe strukturave drejtuese të PD-së. Ata kanë duartrokitur të gjitha largimet e figurave politike nga PD-ja, ndërkohë që kur iku zoti Oketa (i vetmi largim nga PD-ja i kësaj periudhe 3-vjeçare) pata kurajën t’i jepja atij pjesërisht të drejtë në kritikat që i adresonte PD-së. Bamir Topi ka qenë në PD që në vitin 1996 dhe gjatë karrierës së tij brenda PD-së, nga PD-ja janë larguar figura të rëndësishme të saj. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për anëtarë të tjerë të këtij grupi nismëtar. Si në sjelljen politike, ashtu edhe në konceptin politik, nuk më bashkon ndonjë gjë e madhe me FRD-në. Nuk mendoj se formacionet politike mund të ndërtohen mbi baza të pakënaqësive individuale dhe as mbi bazën e nostalgjive për situata historike tashmë të papërsëritshme. Kërkoj rithemelim të PD-së dhe rikonceptim të së djathtës, jo për t’u kthyer në Lëvizjen e Dhjetorit, por për t’i tejkaluar kufizimet e një situate politike gati 20- vjeçare të diktuara nga rrethanat e Dhjetorit. Kërkoj që PD-ja dhe përfaqësuesit e saj të jenë jo vetëm politikisht të djathtë, por edhe kulturalisht të djathtë. Besoj, pra, se është e qartë se nuk kam asnjë ngasje për t’u përfshirë në ndonjë formacion tjetër politik. Kjo sepse në ndryshim nga zotërinjtë që kanë aluduar për negociata imagjinare, unë nuk i përkas kulturës së ikjes, por kulturës së qëndresës, për më tepër që vij nga një zonë si Mirdita, që nuk e ka pranuar historikisht konvertimin, pavarësisht kostos së rëndë që ka paguar për një gjë të tillë. Kam një kontratë me PD-në dhe votuesit e PD-së për t’i përfaqësuar, dhe do ta respektoj këtë kontratë deri në fund. Ju keni deklaruar se projektin tuaj për hapjen e PD-së do t’ia dorëzoni kryetarit të partisë suaj, madje dhe se do ta bëni publik. Në çfarë faze jeni dhe si e vlerësoni deri tani reagimin e kolegëve tuaj në Grupin Parlamentar të PD-së?
Nuk është një projekt për hapje, por një projekt për rithemelim të PD-së dhe rikonceptim të së djathtës shqiptare. Më saktë, është një korpus analize dhe tezash për mënyrën se si duhet të shkojmë drejt zgjedhjeve të ardhshme dhe se si duhet të jetë e djathta shqiptare posttranzicionale. Jam në punë e sipër dhe mendoj se brenda shtatorit idetë e mia do t’ia paraqes zyrtarisht zotit Berisha, strukturave drejtuese të PD-së dhe opinionit publik.
Ka pasur reagime, dhe kjo është e rëndësishme. Nuk marr përsipër t’i gjykoj një për një, sepse secili ka të drejtë të reagojë në përputhje me kulturën, bindjet dhe sjelljen e vet politike. Më pëlqen t’ia lë elektoratit, demokratëve dhe publikut ekskluzivitetin e gjykimit.
Oketa: Maxhoranca ka humbur identitetin
Gazmend Oketa
Kryetari i Grupit Nismëtar të FRD-së, Gazmend Oketa, deklaroi dje nga Elbasani se maxhoranca aktuale e ka humbur identitetin. “Ne mblidhemi për t’u dhënë qytetarëve të Elbasanit një alternativë të re dhe moderne, e cila do të përfaqësojë të gjithë ata që nuk pajtohen me politikën aktuale të maxhorancës, që ka humbur krejtësisht identitetin dhe besimin e qytetarëve, ashtu dhe të opozitës, e cila ofron gjysmën tjetër simetrike të tablosë politike në vend”, deklaroi Oketa gjatë ceremonisë së hapjes së degës së kësaj partie, në teatrin “Skampa”. Duke bërë një retrospektivë në vitet e tranzicionit, Oketa u shpreh se “…fatkeqësisht Shqipëria gjendet dhe sot në një tranzicion të lodhshëm e të pafund, në kërkim të ndërtimit të shtetit demokratik, në një moment ku ëndrra e të rinjve dhe studentëve të sotëm është identike me atë tonën, 22 vjet më parë”. Sipas njoftimit të zyrës për shtyp të FRD-së, në takim kanë përshëndetur edhe studentë e intelektualë elbasanas, të cilët u shprehën të gatshëm t’i bashkohen kësaj nisme politike. “Ne duam një politikë ndryshe, ne duam një politikë ku premtimet që do të jepen, të mbahen”, u shpreh në fjalën e saj Ksenja Karaj, studente në universitetin “Aleksandër Xhuvani”.