Nënkryetari i Komisionit parlamentar të Medias, Mark Marku, argumentoi dje gjatë seancës parlamentare shkaqet që çuan këtë komisionin në shtyrjen e miratimit të Ligjit për transmetimet televizive për në shtator. “Ne e kemi shtyrë diskutimin dhe miratimin e projektligjit për shkak se opozita ka qenë bashkëhartuese e tij dhe është mirë që ajo të jetë pjesë e këtij diskutimi dhe miratimi. Meqenëse opozita ka thënë se do të kthehet në Kuvend në shtator, mendojmë që projektligji të diskutohet në sesionin e ardhshëm të Parlamentit. Gjithashtu, për këtë projektligj janë bërë disa sugjerime nga OSBE, të cilat do të diskutohen nga ekspertët tanë dhe do t’i përfshijnë ato në draftin përfundimtar të këtij projektligji. Gjithashtu, mendojmë se ky projektligj duhet të marrë pëlqimin edhe të grupeve të interesit, me të cilët ne do të konsultohemi para miratimit të tij. Për këto arsye, Komisioni parlamentar i Medias ka vendosur që ky projektligj të shtyhet për në shtator”, u shpreh Marku. Pak ditë më parë, Komisioni parlamentar vendosi ta shtyjë këtë projektligj për në muajin shtator, propozim ky i mbështetur edhe nga anëtari socialist i këtij komisioni, deputeti Kastriot Islami.











