
DURRES – “Turqia nuk ka shfaqur interes për të identifikuar dhe tërhequr kufomat që mendohet se janë shtetas të tyre”. Kështu u shprehën dje burime nga morgu i Durrësit, në të cilin ndodhen pesë kufoma, dy prej të cilave të identifikuara si marinarë të anijes-cisternë “Edirne”. Tre trupa të tjerë janë ende të paidentifikuar dhe qëndrojnë prej një kohë të gjatë në morg, por dyshohet se edhe ata u përkasin marinarëve të anijeve turke që u aksidentuan në ujërat e Adriatikut. Që në momentin e parë të gjetjes së trupave, autoritetet shqiptare i kanë kërkuar Ambasadës Turke në Tiranë që të bashkëpunojë për të identifikuar kufomat. Burime nga morgu në spitalin e Durrësit pohuan se disa prej viktimave kanë pasur të veshur uniformë marinari. Mësohet se Ambasada Turke nuk ka dërguar asnjë përfaqësues të saj që të merrej me këtë problem, ndonëse i është kërkuar që të sjellë fotografitë e marinarëve të zhdukur, me qëllim identifikimin e kufomave të gjetura. Në morg mësohet se pala turke nuk ka reaguar dhe se fotot e kërkuara nuk erdhën asnjëherë. Në rastin e aksidentit të parë, ku u përfshinë anija tregtare turke me flamur maltez “Reina1” dhe trageti i linjës Durrës-Bari “Ankara”, u tregua një interes i madh nga ana e shtetit turk. Për të bërë kërkimet e 8 marinarëve të zhdukur mbërriti fregata turke “TCG Barbaros”, e cila për ditë me radhë kërkoi në det të hapur. Kërkimet zgjaten tetë ditë, por me gjithë përpjekjet, operacioni rezultoi pa sukses. Edhe për ngjarjen tjetër që ndodhi në Porto-Romano, ku anija-cisternë “Edirne” u mbyt si pasojë e një shpërthimi, fillimisht pati interes, jo nga shteti turk, por nga vetë pronari i anijes. Ai, për të gjetur marinarin e zhdukur solli dy polumbarë të specializuar nga Turqia, të cilët për dy ditë zhvilluan kërkime. Por, edhe në këtë rast rezultuan pa sukses. Ky ka qenë interesimi i palës turke për gjetjen dhe identifikimin e marinarëve të zhdukur në brigjet e Durrësit. Mësohet se pesë prej kufomave qëndrojnë prej kohësh në morgun e këtij qyteti, ndërkohë që për to nuk është interesuar askush. Madje, edhe vetë familjarët e marinarëve të zhdukur nuk kanë shfaqur interes për t’i identifikuar kufomat që u gjetën në Kallmë dhe Bisht-Pallë të Durrësit. l.m











