Edhe pse iu bë jehonë mediatike aktitivitetit të organizuar më 9 maj, ditën e themelimit të BE-së, disa detaje duket se u lanë në harresë apo nuk u panë me vëmendje nga reporterët. Krahas simbolikës që kjo ditë ka, aq më tepër për një vend si Shqipëria që aspiron të futet në BE, ne ishim kuriozë të shihnim edhe disa gjëra të tjera. Jemi mësuar të shohim figurat politike dhe ekzekutive, me veshjet formale dhe në salla mbledhjesh, por rrallë na qëllon t’i shohim si në Ditën e Europës, me veshje sportive. Por problemi ishte, krahas veshjes, a kanë ata edhe një natyrë sportive? Kollaj të thuash se do vrapojmë drejt Europës, por puna është kush ka takat e kush jo! Dhe në fakt, mjaftoi kjo garë me biçikleta, për të testuar përgatitjen fizike të emrave të njohur. P.sh., kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha, dukej shumë i impenjuar për ta fituar këtë garë, por problemi ishte se Ettore Sequi, i stërvitur tashmë edhe në salla spektaklesh, dukej më ambizioz se ai. Por mbase edhe për moshën më të
re, më në fund Basha ia doli të mundë Seqiu-n. Mjaft të impenjuar në këtë garë dukeshin edhe zëvendësministri i Shëndetësisë, Bardh Spahija, pasi mjekët e dinë mirë rëndësinë e sportit, por dhe Klodiana Shala e cila është një atlete profesioniste. Por kishte nga ato që nuk ia dolën. P.sh. nënkryetarja e Bashkisë Jorida Tabaku, edhe pse vajzë e re, tregoi përgatitje të ulët fizike dhe u lodh shpejt, kurse ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, iu shmang “intergrimit të mëtejshëm” në garë dhe kur iu duk se askush nuk e kishte mendjen, e ktheu biçikletën te kthesa e Kryeminstrisë. Duket që dy zonjat e nderuara po e përdorin makinën më shumë sesa duhet dhe “të vraposh” për ta është vetëm një slogan, se për ta bërë me të vërtetë as që bëhet fjalë.











