SHKUP- Parlamenti i Maqedonisë sot pritet të vazhdojë seancën për zgjedhjen e Qeverisë së re. Seanca e filluar prej mesditës së djeshme ka vijuar me debate të ashpra midis pozitës dhe opozitës, ndërsa sipas marrëveshjes dhe rregullores, Qeveria e re duhet të votohet deri sonte para mesnate.
I mandatuari për formimin e Qeverisë së re, Nikolla Gruevski në ekspozenë e tij shpalosi prioritetet e qeverisjes së re duke nënvizuar përkushtimin për rritjen ekonomike dhe të punësimeve, integrimin e vendit në NATO dhe BE, luftën kundër korrupsionit, marrëdhëniet e mira ndëretnike dhe investime në arsim, shkencë dhe teknologji informatike.
Programi i shpalosur qeveritar përmban projekte prioritare të dy partive të koalicionit qeveritar VMRO-DPMNE dhe BDI dhe kjo është theksuar nga partia shqiptare që është pjesë e koalicionit, e cila ka shprehur prioritetet e saj. Nga ana tjetër, partitë opozitare shqiptare PDSH dhe RDK kanë theksuar se qeverisja e re do të jetë vazhdimësi e qeverisjes së kaluar midis dy partive, që ishte në dëm të shqiptarëve në Maqedoni.
Votimi i Qeverisë së re vjen disa ditë pas arritjes së një marrëveshje trepikëshe midis VMRO-DPMNE dhe BDI për avancimin e përdorimit të gjuhës dhe simboleve kombëtare shqiptare si dhe për mbylljen e rasteve të Hagës që ngarkonin ish-UÇK-në. (INA)
© Panorama.al











