SHKUP- Partitë e koalicionit VMRO-DPMNE dhe BDI në Maqedoni gjatë fundjavës kanë ulur tensionet dhe kane renë dakord për vazhdimin e bashkëqeverisjes.
Burime të larta qeveritare brenda Qeverisë në Shkup theksojnë se liderët e VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski dhe ai i BDI-së, Ali Ahmeti kane rene dakord për vazhdimin e politikave parimore brenda koalicionit dhe shmangien e veprimeve provokative.
Marrëveshja që akoma nuk është deklaruar zyrtarisht përjashton zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Jo zyrtarisht mësohet se VMRO-DPMNE ka vendosur që të tërheqe projekt-ligjin për përkujdesje institucionale për ish-pjesëtarët e forcave maqedonase të sigurisë pjesëmarrëse në konfliktin e 2001, për të përjashtuar zgjedhjet dhe rrezikun e një blloku të përgjithshëm politik kundër saj.
Një zyrtar i lartë i VMRO-DPMNE ka bërë të ditur për mediat maqedonase se projekt – ligji pritet të tërhiqet, me arsyetimin që do të jetë për opinion se do të bëhet plotësimi i tij.
Ndërkohë, nga zyra e kryeministrit Gruevski kanë thënë se tensionet midis dy partive më të mëdha nuk janë reflektuar në funksionimin e kabinetit qeveritar.
“Qeveria e Republikës së Maqedonisë funksionon me përbërje të plotë dhe kapacitet të plotë në një formë të mirë dhe funksionet e sistemit, pa marrë parasysh nëse janë ekonomike, politike apo shoqërore i kryen rregullisht dhe qytetarët duhet të jenë të qetë”, ka deklaruar dje zëdhënësi i Qeverisë, Aleksandër Gjorgjiev.
Tensionet midis partive të koalicionit pasuan pas homazheve të ministrit të mbrojtjes Fatmir Besimi në varrezat e UÇK-së në Sllupçan me praninë edhe të pjesëtarëve të ARM-së, ndërsa ky veprim pasoi me kundërpërgjigjen e VMRO-DPMNE, e cila vendosi në rend dite projekt ligjin për zgjidhjen e statusit të ish-pjesëtarëve të forcave maqedonase të sigurisë. (INA)
© Panorama.al











